Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në burg Redjan Rrajën, i vetmi i arrestuar për atentatin me armë zjarri ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj. Në makinë ishin edhe Aleksandër Laho (Rrumi) dhe Andi Maloku (shoferi).
Seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Redjan Rrajës u zhvillua sot (20 nëntor).
Rraja përmes avokatit të tij, Besnik Çerekja, kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda. Nga ana tjetër prokuroria kërkoi lënien në fuqi të masës “arrest me burg” deri në përfundim të hetimit.
34-vjeçari akuzohet nga prokuroria si një nga atentatorët ndaj prokurorit, Arjan Ndoja, që mbeti i plagosur më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit, teksa ishte në makinë me Landi Muharremin (Aleksandër Laho) apo ndryshe ‘Rrumi’, si dhe shoferin e tij Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital.
Në makinë u gjendën edhe dy automatikë të cilët pas ekspertizës janë ata që janë përdorur në vendngjarje.