Policia ka gjetur makinën e autorëve, të atentatit në Shkozet të Durrësit ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Mësohet se makina tip “Benz Evo”, ngjyrë gri, me targa shqiptare të falsifikuara është gjetur e padjegur në fshatin Shkafanë në zonën e Ishmit. Targat e makinës janë denoncuar të vjedhura në Tiranë rreth dy javë më parë.
Gjithashtu brenda në makinë janë gjetur dy maska dhe dy automatikë AK47 të cilat mendohet se janë përdorur në atentatin e sotëm. Autorët që kryen atentatin kanë ikur me shpejtësi duke mos arritur që t’i vendosin flakën për të humbur gjurmët, që tani janë në dorën e ekspertëve.
Provat e administruara tashmë pritet të ndihmojnë grupin hetimor në identifikimin e autorëve të atentatit që tronditi Durrësin këtë pasdite.
Prokurori ishte në automjetin e tij bashkë me shoferin dhe një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Shijakut”, Landi Muharremi nga Sukthi. Makinës tip “Benz GL” me targë AA 33 ZD (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga prokurori Ndoja, iu bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet, duke i lënë të tre të plagosur, ngjarje e ndodhur këtë të premte rreth orës 16:30.
Të plagosurit u transportuan në drejtim të spitalit të Durrësit me automjete private.
LEXO EDHE:
Momenti kur prokurori nxirret nga makina pas atentatit (VIDEO)
s