Kronika

Atentati në Durrës/ Zbulohet SMS-ja që nxori në pritë dy vëllezërit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:45 - 29/04/20 |
mapo.al

Prishja e pazareve të drogës është pista kryesore ku po heton grupi hetimor për ngjarjen ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia, me origjinë nga Puka dhe banues në Durrës.


Hetuesit kanë gjetur në telefonin e njërit prej viktimave një SMS që mendohet se ka shërbyer për të nxjerrë në pritë dy vëllezërit biznesmenë.


Kemi gjetur një sms në telefonin e tyre, që nuk mund ta themi përmbajtjen, dhe dyshojmë se mund të na çojë drejt zbulimit të motivit të këtij atentati”, ka thënë një burim pranë grupit hetimor.


Hetuesit kanë mbledhur informacione rreth të shkuarës së vëllait të madh (Besmirit), i cili rezulton person i përfshirë në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike.


Mësohet se disa vite më parë, afro një dekadë, ai ka qenë pjesë e një grupi që merrej me shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike në Itali, ndërsa në vitin 2018 u deportua nga Franca, për shkak se ishte përfshirë sërish në trafikimin e kokainës. Në këto kushte, hetuesit i kanë dhënë përparësi kësaj piste pa neglizhuar edhe pista të tjera që kanë të bëjnë me ndonjë konflikt të freskët të vëllezërve, të cilët zotëronin disa biznese në qytetin e Durrësit.

Policia ka shoqëruar mbi 40 persona, mes tyre familjarë, të afërm, të njohur dhe persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen dhe motivin e atentatit ku mbetën të vrarë Besim dhe Viktor Haxhia.

Sekuestrimi i celularëve të viktimave është një ndër shpresat që grupi hetimit ka për të mësuar diçka më tepër, pasi kamerat e sigurisë në vendin e ngjarjes kanë fokusuar fare pak makinën që dyshohet të jetë përdorur nga autorët që mbeten ende të paidentifikuar. Bëhet fjalë për një automjet “Toyota” ngjyrë gri, me të cilën autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Si ndodhi atentati
Ekspertët e kriminalistikës u rikthyen paraditen e djeshme për të rindërtuar edhe një herë dinamikën e atentatit ndaj dy vëllezërve mbi makinën e të cilëve u derdhën mbi 55 plumba kallashnikovi, në vendin e njohur si “Tregu i makinave të përdorura”.

Në fazën e parë të hetimeve, që nisi menjëherë pas ngjarjes, hetuesit menduan se autorët qëlluan në lëvizje e sipër mbi makinën e vëllezërve. Por në rindërtimin e dinamikës, ekspertët dolën në përfundimin se dy persona kanë dalë nga makina dhe kanë qëlluar mbi ta, duke i lënë të vdekur në vend.

“Nga të dhënat dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, mësuam më shumë rreth dinamikës së atentatit. Vëllezërit janë ndjekur nga një makinë, por u vranë këtu nga dy persona që i kishin zënë pritë teksa qëndronin të fshehur pas makinave që janë parkuar anës rrugës, të favorizuar edhe nga orari, që korrespondon me mbylljen e aktivitetit të këtij tregu të makinave të përdorura.

Makina që i ndiqte, ka pritur dy autorët e tjerë që qëlluan nga një distancë fare e afërt, rreth tre-katër metra dhe ndërkohë që ata hipën, u largua me shpejtësi në drejtim të lagjes “Nishtulla”.

Sasia e madhe e plumbave është qëlluar në xhamin e parë të makinës, ndërsa një numër po shumë i lartë në xhamin anësor të sediljes së pasme. Kjo pasi vëllezërit qëndronin njëri në timon dhe tjetri në sediljen e pasme, kjo për shkak të masave ndaj COVID-19″.

Shkaku
Hetuesit e çështjes kanë ngritur disa pista hetimi, të cilat po i verifikojnë një e nga një, por përparësi i kanë dhënë pistës së larjes së hesapeve për prishje të pazareve të drogës.

“Në raste të tilla, kur kemi të bëjmë me krime të sofistikuara të ngjashme me këtë, hetojmë të gjitha pistat e mundshme që dyshojmë se mund të ketë lidhje. Në këto kushte, ne verifikojmë gjithçka të mundshme, që nga ndonjë konflikt banal, deri te prishja e pazareve për drogë apo edhe arsye të tjera, pasi dihet që vëllezërit dispononin disa biznese.

Njëri prej tyre ka të kaluar të errët jashtë kufijve, çka na bën të mendojmë që përparësi t’i japim pistës të larjes së hesapeve për prishje të pazareve të drogës jashtë vendit, por paralelisht po verifikojmë çdo pistë tjetër të mundshme.

Kemi gjetur një sms në telefonin e tyre, që nuk mund ta themi përmbajtjen, dhe dyshojmë se mund të na çojë drejt zbulimit të motivit të këtij atentati”, thanë burime nga grupi i hetimit.


Etiketa: , , ,

Pas