Aktualitet

Atentati në Kamëz – Mapo siguron dëshminë e Jamakut: Si u njoha me Cukalin














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:00 - 03/03/21 |
Mirgen Çela

Gazeta Mapo ka siguruar dëshminë e Enver Jamkut, i dyshuar si personi i cili shpërtheu me porosi të Gjergj Cukalit, minën në automjetin e Gjon Menës, në Kamëz. Ky i fundit, i mbijetoi atentatit, por u gjymtua. Mësohet se Enver Jamku, ka deklaruar se është paguar rreth 30 mijë euro nga Cukali, ndërsa shton se e ka bërë atentatin për arsye ekonomike. Jamku deklaroi se është kërcënuar nga Cukali për të kryer porosinë. Ai thotë se Gjergj Cukali erdhi me persona të tjerë ta takonte, të cilët nuk mund t’i identifikojë dot, i dha minën me telekomandë, dhe celularë për të bërë shpërthimin e minës. Ai tregon dhe mënyrën se si ka vepruar për të vendosur minën me celular. Jamku, thotë se është njohur me Gjergj Cukalin, 5 vite më parë, kur i ka blerë një automjet këtij të fundit dhe se e njeh me emrin ‘Lashi’.





Përpara rreth 3 muajsh në rrugën “Hoxha Tahsim” Jamku ka qenë duke ecur në këmbë kur e ka përshëndetur nga një makinë “Mercedes Benz”, Gjergj Cukali.


Cukali e ka thirrur “o Velo”. Ka kthyer kokën dhe ka parë se ishte Gjergj Cukali, i cili ia ka bërë me dorë që do të kthehej. Sipas Jamkut, nuk e di arsyen përse Gjergji e ka thirrur në këtë emër. Pas rreth një jave një person i ka shkruajtur në aplikacionin “whatsapp” me një numër të panjohur.




Gazeta Mapo mëson se ai i ka shkruar se ku ndodhej, dhe pasi Jamku e ka pyetur se kush ishte, ky shtetas i ka shkruar “Unë Velo, unë“. Në këto momente është kujtuar se ishte Gjergj Cukali, pasi ai e ka thirrur “Velo” në rrugë një javë më parë. Gjergji i ka kërkuar takim.


Kjo ka ndodhur para fundit të muajit dhjetor të vitit 2020. Sipas Jamkut, i ka thënë se ishte në shtëpi, ku rrinte me qira tek “Xhamia Xhura”. Me Gjergjin është takuar në rrugë përpara xhamisë, rreth orës 18.00-19.00 në trotuar.


Gjergji ka shkuar me një fouristradë “Range Rover”, ngjyrë e bardhë. Cukali ishte dhe me një person tjetër në makinë në vendin e parë dhe vetë zbriti nga vendi i shoferit.

Gjergji i ka thënë nëse kishte nevojë për punë, ku Jamku i është përgjigjur se nuk donte që të ngatërrohej me punët e tij, duke patur parasysh se e kishte parë në televizor Gjergj Cukalin, që kishte probleme me drejtësinë.

Gjergji e ka garantuar se nuk do kishte asnjë problem, vetëm se duhej të vendoste një minë, poshtë makinës së një personi dhe këtë do e bënte në Kamëz, ku nuk kishte kamera sigurie -thuhet në dosjen hetimore.

“Sa i përket atentatit ndaj Gjon Menës, ku mbeti i plagosur, një ditë dikush më thirri ‘Velo’ dhe ktheva kokën. Nuk e kuptova pse më thirri kështu, por pashë se po më thërriste Gjergj Cukali. Ai tha se kishte një punë për mua, por fillimisht nuk doja të përfshihesha në aktivitetin e tij kriminal. Më tha se do të më paguante 30 mijë euro nëse do të vija minën me celular në automjetin e një personi, më shpjegoi arsyet dhe vendin ku unë duhet ta vendosja minën. Fillimisht nuk pranova, por më pas duke qenë se jam pa punë dhe pa shtëpi, vendosa ta kryej këtë punë me qëllim që të blej një banesë për veten dhe familje”, thotë Enver Jamaku.

Enver Jamku, shpjegon se ka pasur disa herë kontakte me Gjergj Cukalin. Ai thotë se Cukali e mori në automjetin e tij dhe shkuan pranë banesës së shënjestrës së atentatit, Gjon Menës.

Pashë që ishte një djalë rreth 35-40 vjeç. Ishte rreth 185 cm i gjatë dhe kishte flokë të rëna dhe kishte karakteristike mjekrën e dalë. Për këtë arsye vendosa të kërkoja ndihmën e kushëririt tim, Ermondit për ta finalizuar me sukses punën”.

Ai thotë se Cukali erdhi me persona të tjerë ta takonte, të cilët nuk i identifikon dot, i dha minën me telekomandë, para dhe celularë për të bërë shpërthimin e minës. Ai tregon dhe mënyrën se si ka vepruar për të vendosur minën me celular.

Ai ka pranuar dhe ka kërkuar ndihmën e kushëririt të tij Ermondit. “Nëpërmjet rrjeteve sociale gjeta një automjet dhe e bleva për 800 mijë lekë të vjetra, në zonën e Kasharit dhe më pas kam lidhur një kontratë tek noteri në zonën e Astir-it.

Këtë automjet do e përdorja për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit dhe më pas do e shisja. Do e mbaja deri sa të kryeja atentatin dhe më pas do e dërgoja në zonën e Brarit”, dëshmon Enver Jamaku.

Ai ka lëvizur në gjithë kryeqytetin.

“Fillimisht nuk arritëm ta vinim minën me celular, disa herë i kërkova Ermondit të shkonte atje. Ai shkoi rreth 7-8 herë gjatë ditës, por nuk arriti ta vinte sepse kishte lëvizje dhe mund të pikasej nga kamerat e sigurisë.

Në një moment Gjergj Cukali më telefoni dhe më kërcënoi. Më tha që nëse nuk e vendos brenda natës së sotme do t’i kesh punët keq.

Për këtë arsye duke qenë se janë në fuqi dhe rregullat e karantinës, vendosëm të kalonim në periferi të Tiranës, në rrugë dytësore, të pashtruara që të mbërrinim tek banesa e Menës.

Kur mbërritëm atje, kemi qëndruar nga ora 12 e natës deri në orën 5 të mëngjesit. Ermondi shkoi dhe e vuri minën me celular dhe në momentin që do lëvizte shënjestra duhet ta shpërthenim, që Mena të ndërronte jetë”, ka deklaruar më tej Enver Jamaku

Nga të dhënat e siguruara pranë grupit hetimor, ka rezultuar se mina nuk është vendosur poshtë automjetit por në një kuti plastike pranë gomës së parë nga ana e shoferit dhe për këtë arsye Gjon Mena nuk ka gjetur vdekjen .

“Në momentin që ai doli dhe makina po lëvizte, unë i kam rënë ziles së celularit që më kishte dorëzuar Gjergj Cukali dhe pamë që po dilte tym dhe u ndje shpërthimi. Më pas jemi larguar dhe kemi shkuar në periferi të Tiranës ku do të linim automjetin”, ka thënë ai.

SHENJESTRA E ATENTATIT
Gjon Mena, babai i dy fëmijëve, jeton në Kamëz. Një pjesë të kohës ka jetuar në Belgjikë dhe kohët e fundit pas kthimit, ishte i papunë.

Në vitin 2019 ka ndodhur një vrasje në Mirditë, ku ka mbetur i vrarë Eri Zefi. Mena ka deklaruar se ka qenë i dyshuar dhe është marrë në pyetje.

Ai ka shpjeguar se ai dhe familjarët e tij nuk kanë marrë asnjë kontakt me familjarët e viktimës, pasi ai ka lidhje me shtetasin Gjovalin Alia, i cili është në burg si i dyshuar për vrasjen e Eri Zefit.

Ndonëse akuzat për vrasjen e Eri Zefit për Gjon Menën kanë rënë ai ka qëndruar në “arrest shtëpie” për një vit, pasi gjatë kontrollit në banesë, i është gjetur një armë.

Policia dhe Prokuroria është duke hetuar këtë pistë, nëse personat që kanë kërkuar atentatin e Gjon Menës kanë lidhje me viktimën në Mirditë. Policia po heton dhe të shkuarën e Menës në Belgjikë.

KUSH ËSHTË GJERGJ CUKALI

Ai është i njohur si i “forti” i Myslym Shyrit dhe ka miqësi me persona të njohur të botës si krimit, mes tyre edhe Emiljano Shullazi.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë të shumta, duke filluar nga pengmarrje, armëmbajtjet pa leje dhe shpërndarje droge. Për herë të fundit ai u arrestua në 12 Prill 2018, pasi kishte shkelur masën e sigurisë, “arrest shtëpie”.

Ndërsa në Korrik të vitit 2016 ai u arrestua së bashku me 16 persona të tjerë si pjesë e një rrjeti kriminal që shpërndante kokainë në Tiranë. Ky grup drejtohej pikërisht nga Cukali, dhe sipas policisë, fitimet e tyre shkonin në 50 mijë Euro në muaj.

Më 24 Nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 10 vite burg Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004 në rrugën “Myslym Shyri” pas një konflikti për 100 mijë Euro. Cukali përfitoi amnisti dhe doli pas disa vitesh.

Më 20 Gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë Gjergji Cukali u arrestua, pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.

1


Etiketa: , , ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas