Zbardhen detaje nga ekzekutimi i 40-vjeçarit Gentian Qarri këtë mbrëmje në Vlorë.
Dyshohet se atentati lidhet me të shkuarën e 40-vjeçarit jashtë vendit.
Gentian Qarri, i njohur si ‘Geçe’, ka qenë i dënuar me 11 vite burg për drogë në Itali.
Pas kryerjes së dënimit në shtetin fqinj, Gentian Qarri prej 3 vitesh është kthyer në Vlorë dhe ishte martuar.
Aktualisht, 40 vjeçari punonte si hidraulik. Për shkak të dënimit për drogë, pista e hetimit është përqëndruar tek larja e hesapeve.
Skema e ekzekutimit
Dyshohet se autorët, të veshur me kapele dhe maska kanë qëlluar ndaj Qarrit 20 herë nga një automjet në lëvizje.
Mësohet se nga të shtënat, disa plumba e prekën Qarrin në gjoks. Ai u dërgua fillimisht me urgjencë në spital, ndërsa nuk mundi t’i mbijetojë plagëve.
Autorët e ruanin Qarrin, ndërsa pritën momentin teksa ai po lëvizte në këmbë në lagjen ’29 nëntori’ për t’a qëlluar.
40-vjeçari mësohet se po shkonte drejt banesës së tij. Pas të shtënave me breshëri, autorët janë larguar me shpejtësi.
Makina e djegur në Pyllin e Sodës
Një mjet tip ‘Toyota’ u gjet i djegur në Pyllin e Sodës. Dyshohet se është përdorur nga vrasësit e 40-vjeçarit.
Brenda automjetit u gjet dhe një armë zjarri.
Policia
Bultë e Vlorës kanë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit.
Gjithashtu pritet që kamerat e sigurisë së bizneseve që janë në vendin e ngjarjes të hedhin dritë mbi identifikimin dhe kapjen e autorëve.
LEXO EDHE:
Gjendet një makinë e djegur, dyshohet se u përdor në atentatin ndaj Geçes