Vlora është tronditur sot nga një ngjarje e rëndë, e cila ka rikthyer në vëmendje hakmarrjen 22-vjeçare mes familjeve Llanaj dhe Xhaferri në zonën e Selenicës. Një 50-vjeçar nga familja Xhaferri ka mbetur i plagosur rëndë gjatë një atentati të bërë në derën e shtëpisë, ku sipas policisë ka ndodhur në rrethana të paqarta.
Blutë e Vlorës në përpjekje për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes kanë zbuluar se autori është afruar i maskuar me një kapuç në kokë, teksa ka hapur zjarr ndaj 50-vjeçarit Jetnor Xhaferri, i cili ka marrë disa plagë më trup. Menjëherë autori është larguar me një automjet nga vendngjarja. Ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij.
Blutë e Vlorës ngrenë dyshime se autori nuk ka vepruar i vetëm. Aktualisht janë ngritur disa pista hetimi, të cilat lidhen kryesisht me të shkuarën e 50-vjeçarit nga Selenica e Vlorës. Mes tyre, edhe rikthimi i mundshëm i sagës së hakmarrjes mes familjeve Llanaj-Xhaferri.
Hakmarrja mes këtyre dy fiseve zë fill në vitin 1998, kur në Selenicë u vra Gjysh Xhaferri dhe Baftjar Llanaj u akuzua për vrasjen e tij.
Në vitin 2011 vritet Baftjar Llanaj. Për këtë vrasje u arrestua Sako Xhaferri, djali i Gjysh Xhaferrit. Në Shtator 2011, Altin Aliaj, nip i familjes Llanaj, tentoi të vriste me armë Nihat Xhaferrin, djalin e Gjysh Xhaferrit. Pas arrestimit si i dyshuar, Altin Aliaj u la “detyrim paraqitje” nga gjykata.
Ndërsa në Janar të vitit 2012 është ekzekutuar me armë Nure Xhaferri, 52 vjeç, djali tjetër i Gjysh Xhaferrit, i vrarë në 1998.
Më 1 tetor 2017 u tentua të vritet Ferdinand Llanaj, djali i të ndjerit Baftjar Llanaj. Ai mbeti i plagosur, së bashku me Dritan Begajn, pasi të dy po udhëtonin me makinë në rrugën Transballkanike kur u qëlluan nga një tjetër makinë në ecje. Pranë vendit të ngjarjes, policia gjeti një pistoletë që dyshohet se i përket 39-vjeçarit Ferdinand Llanaj.
Për dy vite dukej se palët kishin rënë në qetësi, por me atentatin e sotëm, policia është alarmuar për rikthimin e hakmarrjes mes këtyre fiseve. I plagosuri Jetnor Xhaferraj ndodhet në spitalin e Vlorës, ndërkohë që policia ka blinduar ambientin, ku ai po kurohet. Sipas policisë, deri tani, ai nuk ka dhënë asnjë dëshmi për identifikimin e mundshëm të autorëve.
LEXO EDHE: