Kur flitet për automjetet e blinduara, menjëherë mendohet për modelet amerikane SUV ose Sedan me disa kilogramë shtesë edhe pse janë të shkëlqyer kundër plumbit dhe rreziqeve të tjera, nuk janë automjetet më të pëlqyera. Kompania AddArmor ka prezantuar projektin e saj – Audi RS7 i blinduar, i cili është modifikuar dhe tani ka marrë titullin si vetura e blinduar më e shpejtë në botë.
Çfarë saktësisht është më e veçantë te ky model?
Le të fillojmë nga fakti se ky RS7 ka motor 4.0-litër V8 Twin-Turbo të përforcuar në 771 kuajfuqi, gjë që i mundëson atij që shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë ta arrijë për 2.9 sekonda dhe atë maksimale deri në 325 km/h.
Si kanë arritur deri në këtë performancë? Vetëm përforcimi i motorit nuk mjaftonte, pasi modelet e blinduara gjithmonë kanë peshë shtesë për shkak të pjesëve që u shtohen. Kjo është arsyeja pse kjo kompani ka vendosur të përdorë material të fortë por edhe të lehtë dhe kështu këto materialet e përforcuara kanë shtuar peshën e përgjithshme për vetëm 90 kilogramë. Ky Audi RS7 ka nivelin B4 të mbrojtjes balistike.
AddArmor nuk është ndalur këtu, por vendosi që këtij modeli të shtojë disa pajisje interesante dhe duket se është frymëzuar nga filmat e James Bondit. Kështu, ky RS7 lëshon një zhurmë të veçantë dhe ka sprajt lotsjellës i cili mund t’i lëshohet armikut sipas nevojës. Përveç kësaj, dorezat e dyerve janë të pajisura me elektro-shok, gjë që parandalon hyrjen e padëshiruar në veturë.
Gjithashtu, ky Audi RS7 ka edhe një kamera të veçantë me vizion për natën, detektor për eksplozivë dhe mina si dhe maska për shoferin dhe pasagjerët. Nën mbrojtësin e përparme gjendet një përforcues i cili ruan ftohësinë e motorit.
Në rastet më ekstreme, në bagazhin e këtij RS7 të blinduar gjendet një pjesë e veçantë e pajisur me një armë dhe në momentin kur aktivizohet, vetura automatikisht do të telefonojë 911-shin dhe do të dërgojë vendndodhjen.
Sa kushton e tërë kjo?
Çmimi i këtij modeli në SHBA kushton 205.000 dollarë dhe në rast se tashmë keni një RS7 në garazh dhe dëshironi ta shndërroni në një të tillë, kjo do t’ju kushtojë 91.000 dollarë. AddArmor, po ashtu, thotë se mund të merren edhe versionet më të lira që sillen nga 28.000 dollarë.