Aktualitet

Audiopërgjimi-100 mijë ndërtime nuk legalizohen, 40 mijë shemben pas zgjedhjeve














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:24 - 21/04/21 |
mapo.al

Gazetari Artan Hoxha ka publikuar një audiopërgjim ku dëgjohet kreu i Kadastrës Artan Lame teksa i orienton vartësit që të përdorin procesin e legalizimit në këmbim të votave. Lame, thotë se 100 mijë ndërtime nuk do të legalizohen, por kjo duhet mbajtur sekret, pasi mund të ketë efekt elektoral. Për 40 mijë prej tyre, kryesisht në Tiranë po përgatitet shembja pas zgjedhjeve. Lame pranon audiopërgjimin por thotë se i takon vitit 2017, ndërsa SPAK shprehet se do të nisë hetimet. Basha: Akt kriminal, qindra mijë qytetarë do lihen pa strehë pas 25 prillit





Pa dalë akoma përgjegjësit për skandalin e rrjedhjes së të dhënave personale të më shumë se 900 mijë votuesve në Tiranë në databazën e Partisë Socialiste, një tjetër skandal ka ngritur dyshime të forta për tentativat e partisë në pushtet për të blerë votat e mbi 200 mijë zgjedhësve. Gazetari Artan Hoxha ka publikuar dje një regjistrim audio në të cilin dëgjohet se si kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame u jep udhëzime punonjësve për të vepruar me procesin e legalizimeve në shërbim të fushatës zgjedhore.


Në audio bëhet fjalë për rreth 100 mijë ndërtime pa leje, pronarët e të cilëve kanë aplikuar për legalizim, por lejet do të përdoren si presion për votën për PS-në. Sipas asaj çka thuhet në përgjim, porositë janë dhënë pas një mbledhjeje me Kryeministrin, nga ku rezulton se 100 mijë banesa do të skualifikohen por kjo s’duhet t’u bëhet e ditur banorëve. “Është bërë një takim te kryeministria para rreth një muaj, për procesin e legalizimeve në vijim. Në këto 320 mijë objekte që kanë bërë vetëdeklarim pra që janë fizikisht dosje reale, janë mbyllur rreth 150 që do të thotë kanë mbetur edhe 170 të tjera. Në këto 170 të tjera vetëm 60, se sapo diskutonim qëparë që kjo 60 mijëshe për sa kohë i mbyllim, vetëm rreth 60 mijë bëhen.





Të tjerat janë të pabëshme ose që nuk duhen bërë se janë kriminale që do të thotë që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje. 100 mijë objekte të cilët ne me vetëdije do të vazhdojmë t’i mbajmë se janë njerëz po i the që nuk të bëhet ia hodhe palës tjetër, u bënë mish për top për palën tjetër, pra vazhdojmë të trajtohen do shikohet, do të trajtojmë do ta diskutojmë do të rishohim atë kur të rishihet legjislacioni”, dëgjohet të thotë Kreu i Kadastrës, i cili më poshtë shton, “Në momentin që ti shkon iu gërmon vetë tani edhe iu thua 100 mijë unë do i skualifikoj se nuk ju legalizohen këta i ktheve në mall për palën tjetër, atëherë u ra dakord në këtë takim që logjika është që ne do të vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë.



Pra do vazhdojmë të bëjmë këtë 60 mijëshe dhe do vazhdojmë të mbajmë situatën varur. Sepse mund të ketë ndryshime nesër ligjore sepse do ta rishohim dhe njëherë e kështu me radhe. Kjo do bëjë shumë nga këta do të thonë më erdhën një herë dhe dy herë pse s’ma bënë. Të jeni të bindur që në shumicën e rasteve qëndron kjo arsyeja, pra që neve nuk duam t’i themi që shtëpia jote nuk legalizohet dhe ti do prishesh. Millosheviçi t’i thojë që ta legalizoj unë, ai bëhet me Millosheviçin. Në rregull se ka shtëpinë të jeni të qartë. Kjo nuk përjashton faktin që ne po përgatisim nja 40 mijë objekte me bashkinë, kryesisht me bashkinë e Tiranës të cilat do t’i nxjerrim për skualifikim masiv edhe unë po të isha kandidat atje të nesërmen do veja t’i thoja që të gjithëve ditën e parë pas zgjedhjeve jeni të legalizuar edhe ikën ata u bënë me atë, natyrisht s’i intereson atij ça është politika ai thotë të shpëtojë shtëpia”, është fjala e Lames në përgjimin e gazetarit Hoxha.


Reagimi
Vetë Lame, ka reaguar në lidhje me këtë postim kur thotë se përgjimi është i vjetër dhe daton pas zgjedhjeve të 2017-ës, por nuk mohon autenticitetin e audios, apo dhe shifrat që janë përdorur aty. Lame shprehet se në atë audiopërgjim ka folur si politikan, ndërkohë . “E folura ime aty është politike. Po natyrisht që politike do të jetë, se unë di të trajtoj problemin politikisht kur flitet për zgjidhje politike, ashtu siç di ta trajtoj teknikisht kur flitet për çështje teknike, apo si historian kur flitet për çështje historike. Sfidoj përgjuesit dhe PD-në, të gjejnë një kategori ndërtimesh që unë kam përmendur aty dhe ne nuk e zgjidhëm me atë ligj. E kanë të lehtë ta bëjnë, sepse tani kanë në dorë edhe regjistrimin e atij takimi.

Unë nuk kam regjistrimin por ligjin që po vepron”, -thotë Lame në reagimin e tij. Lame shprehet se nuk mund t’u thotë njerëzve që do u vërë kazmën shtëpive të tyre, por nuk mohon faktin se 100 mijë shtëpi nuk do të legalizohen, siç ka thënë dhe në një prononcim të 22 marsit për mediat. “Natyrisht që unë them se “këtyre njerëzve që nuk mund të legalizohen, ne do t’ju themi që do të gjejmë një zgjidhje kur të bëjmë ndryshimet ligjore”. Pse, ç’do t’ju thonim, që do t’ju vëmë kazmën sepse kështu e ka ligjin Saliu? Dhe këtë unë e kam përsëritur kaq e kaq herë në çdo takim publik”, shprehet Lame. Në fakt, të njëjtat deklarata u bënë dhe për banesat që u shembën tek unaza e re por ndërtimet atje thjesht u prishën dhe për banorët nuk u gjet asnjë zgjidhje.

Basha: Rama ka synim që pas 25 prillit të prishë shtëpitë e njerëzve
Kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh nga takimi elektoral në Kamëz se përgjimi që implikon drejtorin e Kadastrës, Artan Lame, për përdorim të legalizimeve për fushatë, është akt kriminal që duhet dënuar më 25 Prill me votë. Basha u kërkoi banorëve të zonës votën gjithashtu duke premtuar se me të ardhur në krye të qeverisjes, procesi i legalizimit do të përfundojë njëherë e mirë. Lideri i opozitës u shpreh se pas taktikave të Lames fshihet kryeministri Edi Rama dhe politika e tij që ka shkatërruar dhe zhytur Shqipërinë në krizë.

“E dëgjuat si drejtori i Kadastrës me porosi të Ramës udhëzon që të shkojë derë më derë, “se do t’ua bëjmë legalizimin për vota”, por në fakt nuk do t’ua bëjnë. Ky është një akt kriminal sepse çdo shtëpi nga ato qindra mijëra që ai do t’i prishë pas 25 Prillit, është sakrifica e jetës dhe familjes. Premton legalizim kur në fakt qëllimi është t’ua prishë pas zgjedhjeve vetëm që t’ju marrë votën me mashtrim. Ky është Edi Rama i vërtetë, që vetëm pak metra më tej firmosi legalizimin falas. Kjo është politika që shkatërroi vendin. Le ta marrë përgjigjen nga Kamza dhe gjithë Shqipëria. Më 25 Prill do ta largojmë duke votuar numrin 9 për të përfunduar procesin e legalizimit. Për të gjithë ata që meritojnë dhe do të kenë me planin tonë përfundimin e këtij procesi, ora e ndryshimit nuk ka të ndalur”, – tha Basha.

SPAK nis verifikimet për audiopërgjimin e Lames
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK tha të martën se do të verifikojë një audiopërgjim të publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ku drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame dëgjohet të rekomandojë që të mos u kthehet përgjigje pronarëve të 100 mijë objekteve informale që nuk plotësojnë kushtet për legalizim, pasi mund të kalojnë me palën tjetër. Në audiopërgjim, Lame përmend edhe një takim me kryeministrin, ndërsa lë të kuptohet se vetëm 60 mijë legalizime mund të bëhen, ndërsa pjesa tjetër prej 100 mijë objektesh janë të pabëshme. “…të tjerat janë të pabëshme ose që nuk duhen bërë se janë kriminale, që do të thotë që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje, 100 mijë objekte, të cilët ne me vetëdije do vazhdojmë t’i mbajmë, se janë njerëz, po i the që nuk të bëhet ia hodhe palës tjetër, u bënë mish për top për palën tjetër…,” dëgjohet të thotë Lame.

“…logjika është që ne do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë, pra do vazhdojmë të bëjmë këtë 60 mijëshe dhe do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur, sepse mund të ketë ndryshime nesër ligjore, sepse do ta rishohim dhe njëherë e kështu me radhë,” sugjeron ai si përgjigje për qytetarët. Nga audiopërgjimi nuk është e qartë se cilët janë personat konkretë të cilëve u drejtohet Lame, ku është realizuar takimi dhe data e regjistrimit. Megjithatë, audiopërgjimi është një tjetër shembull i përdorimit të administratës publike dhe i procesit të legalizimit për qëllime elektorale. I pyetur nga BIRN nëse kishte nisur ndonjë hetim apo verifikim, kreu i SPAK, Arben Kraja tha se nuk kishte ndonjë kallëzim për këtë audiopërgjim. “Do e verifikojmë çfarë është,” tha ai për BIRN.

Drejtori i përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi. Megjithatë, në një postim në faqen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Facebook, Lame pranoi se diskutimi është bërë, por e zhvendosi atë pas në tetor apo nëntor të vitit 2017. “Aty jemi pas zgjedhjeve të atij viti, pra nuk mblidhemi për të blerë vota, se votat i kishim marrë,” pretendoi Lame. Si argument për pretendimin, Lame përmendi shifrat e legalizimeve, që sipas tij kanë ndryshuar. “Them ‘janë të vërteta për atë kohë’, sepse ndërkaq kemi ecur përpara. Pra, aty them 150 mijë legalizime, sot kemi tejkaluar 210 mijë,” shtoi Lame në postim. /Reporter.al

Meta: Zyrat e shtetit me taksidarë të krimit zgjedhor
Presidenti Ilir Meta ka reaguar menjëherë pas publikimit të audios ku kreu i Kadastrës Artan Lame jep udhëzime si të përdoren lejet e legalizimit për vota, duke e cilësuar këtë një krim zgjedhor. Meta ka kërkuar të nisë hetimi dhe të dalin para drejtësisë përgjegjësit, ndërsa i ka cilësuar zyrat e shtetit të mbushura me taksidarë që bëjnë biznes me votat. “ Një audio-përgjim tronditës, që provon se për “Rilindjen” shqiptarët janë “mish për top”, ndërsa zyrat e shtetit, që paguhen me taksat tona, janë kthyer në strofulla të fuksave, banditëve, të korruptuarve, shkelësve të ligjit dhe “taksidarëve” të biznesit kriminal të votës. Pres nga Drejtësia të zgjohet dhe të nisë menjëherë hetimet për këtë skandal të rëndë, që meriton ndëshkim. I bëj thirrje Policisë së Shtetit, të bëjë kujdes dhe të ndalë përpjekjet për manipulimin e provave të flagrancës të krimit zgjedhor”, shkruan kreu i shtetit. Në fund ai paralajmëron partinë në pushtet; “Mos e detyroni popullin të arrestojë të paudhët!”.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas