Ministria e Energjetikës thotë se të paktën 14 koncesione të dhëna përgjatë periudhës 3-mujore qershor-shtator 2013, kanë rezultuar me shkelje në procedurë dhe dokumentacion. Për këto shkelje, sipas ministrisë do të përgjigjen penalisht dy ish-zyrtarë të lartë të këtij institucioni, për të cilët është depozituar edhe një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Ish-Sekretari i Përgjithshëm në METE dhe ish-Përgjegjësi i Sektorit të Lejeve të Koncesioneve Energjetike janë kallëzuar penalisht në prokurori për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Ky vendim është marrë pas përfundimit të auditit, të urdhëruar nga ministri Damian Gjiknuri vetëm për periudhën kur kjo ministri drejtohej nga ish-ministri i PD-së, Florion Mima. Për më shumë se 3 vjet e gjysmë, kjo ministri u drejtua nga Lëvizja Socialiste për Integrim, por auditi nuk e përfshin këtë periudhë. “Në përfundim të auditimit janë konstatuar shkelje të rënda ligjore, shkelje të cilat përmbajnë elementë të figurave të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, të kryer në bashkëpunim dhe atë të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”- thuhet në një njoftim për media të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Referuar përfundimeve të auditit, ministria thotë se për shkeljet e evidentuara duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore ish-sekretari i Përgjithshëm, Dardan Domi dhe ish-përgjegjësi i Sektorit të Lejeve të Koncesioneve, Andi Cerma. “Raporti i auditimit konstaton se mbajnë përgjegjësi shtetasit Dardan Domi, ish-Sekretar i Përgjithshëm në ish-METE, në cilësinë e Kryetarit të Vlerësimit të Ofertave, dhe Andi Cerma, ish-Përgjegjës i Sektorit të Lejeve të Koncesioneve Energjetike në ish-METE, në cilësinë e Kryetarit të Njësisë së Hartimit të Dokumenteve”, – thotë Ministria e Energjetikës. Mbështetur në të dhënat e auditit, dy ish-zyrtarët e lartë janë kallëzuar në prokurori për shpërdorim detyre. Ministria thotë se auditi investigoi rregullshmërinë për procedurat përzgjedhëse e konkurruese për dhënien me koncesion për 14 hidrocentrale, për të cilat kanë përfunduar procedurat konkurruese dhe janë lidhur kontratat me koncesionarët për ndërtimin e tyre. “Auditi evidentoi se sistemi i procedurës konkurruese ka shfaqur mangësi si në fazën e përpilimit dhe të miratimit të dokumenteve standarde të procedurës konkurruese; në fazën e publikimit të ftesës për ofertë; ashtu edhe në fazën e vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit”, -thuhet në njoftimin për media. Më tej Ministria e Energjetikës thotë se nga auditimi i materialeve të dosjeve të zhvillimit të procedurave përzgjedhëse të 14 koncesioneve të mësipërme, në të gjitha fazat e tyre janë kryer veprime dhe mosveprime që janë në kundërshtim me ligjin “Për koncesionet” dhe vendimin e qeverisë për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve. Periudha për të cilën është urdhëruar kontrolli përkon me tranzicionin e ndërrimit të pushteteve. Ministria e Ekonomisë për më shumë se tre vjet e gjysmë është drejtuar nga ministra të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa pas largimit të kësaj force politike nga koalicioni qeverisës, drejtimin e saj e ka marrë ish-ministri Florion Mima, aktualisht deputet i Partisë Demokratike.