Aktualitet

Auditimi digjital, sfida e Kontollit të Lartë të Shtetit





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 09:42 - 23/01/20 |
mapo.al

Nga Alfred LESKAJ*


Gradienti në rritje i përdorimit të teknologjive të informacionit dhe digjitalizimi i proceseve dhe shërbimeve, është futur në spiralen e rritjes të pandalshme duke dominuar çdo aspekt të jetës dhe të shoqërisë, për të kaluar përmes transformimeve të mëdha inovative në fushën e teknologjive të informacionit, dhe aplikimit të inteligjencës artificiale, duke përfaqësuar emblemën më sinjifikative të ciklit të ri të zhvillim, në këtë fillim të dekadës dhe revolucionit të 4 (katërt) industrial. Viti 2020 dhe dekada e tij, ka qenë pika e referimi të shekullit të kaluar, për shumë parashikime, dhe zbulime të rëndësishme që do të ndodhnin, dhe padyshim fillimit të (r)evolucionit në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Platformat që do të dominojnë jetën tonë në të ardhmen, pa dyshim do të jenë digjitale, me një rritje dhe me shpejtësi marramendëse të ndryshimeve të tyre.



Sot ato janë instrumente të rëndësishme, dhe kanë një ndikim të ndjeshëm në jetën e përditshme, si në drejtim të rritjes së transparencës së ofrimit të shërbimeve publike, uljes së kostove të tyre, diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve, etj., pa përmendur të gjitha fushat dhe sferat e jetës. Fillimi i epokës digjitale padyshim, starton me aktin e nënshkruar nga presidenti i SHBA Bill Klinton në vitin 1996, mbi telekomunikacionin, ku transmetimet televizive mund të realizoheshin nëpërmjet internetit.


Efektet zinxhirë që lindën nga ndërthurja e aplikimit të teknologjive të Informacionit, inteligjencës artificiale si dhe intensifikimit dhe shkëmbimit të të dhënave bëri që interneti të jetë një nga instrumentet e pazëvendësueshme dhe më inovativi deri më sot, duke transformuar dhe shndërruar tërësisht komunikimin e shoqërisë përmes teknologjive.
Në këtë Dekade të re, synohet që nëpërmjet digjitalizimit dhe decentralizimit të proceseve të sundoj, ashtuquajtura “demokraci digjitale”, përmes rritjes së gamës së përdorimit të teknologjive digjitale në të gjitha fushat e jetës, duke i bërë vendimmarrjet politike dhe qeveritare më mira dhe transparente, për të ndikuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike. Blochchain do të jetë një nga platformat dhe rrjetet e komunikimit të decentralizimit të veprimtarive të shoqërisë në këtë dekadë. Blockchain është një regjistër digjital, i decentralizuar, publik që mban regjistrime të pandryshueshme të pasurive dhe transaksioneve digjitale. Me blockchain, informacioni mund të përdoret dhe shpërndahet njëkohësisht në një mënyrë shumë të sigurt dhe transparente. Duke realizuar përfitimet e mundshme të kësaj teknologjie inovative për qytetarët, institucionet publike dhe subjektet jo publike.

Komisioni Evropian në shkurt 2018, në forumin për blockchain nënvizojë dhe nxori më në pah zhvillimet kryesore të teknologjisë së blockchain, duke e promovuar me synimin e forcimit dhe angazhimin me aktorë të shumtë të përfshirë në aktivitetet blockchain. Më 10 prill 2018, njëzet e dy (22) shtete anëtare europiane nënshkruan një deklaratë për krijimin e një partneriteti Evropian të blockchain si një mjet, për bashkëpunim midis shteteve anëtare për të shkëmbyer përvojën dhe ekspertizën në fushat teknike dhe rregullatore për ti paraprirë përgatitjeve për fillimin e pjesëmarrjes në blockchain në të gjithë “Tregun e vetëm digjital” të BE-së. Për këtë arsye, brenda Gjykatës Europiane të Auditimit (ECA) është krijuar rrjeti i brendshëm ECALab. Kjo njësi eksperimentale aplikon dhe piloton përdorimin e teknologjive të reja digjitale, duke hapur rrugën drejt krijimit të shërbimeve të të dhënave të përshtatura për audituesit dhe auditimet në ECA.

Si pjesë e veprimtarisë së vëzhgimit të teknologjisë së Gjykatës Evropiane të Auditorëve, ECALab ka filluar një projekt pilot, në mars 2018 duke synuar të eksplorojë zbatimin praktik të teknologjive blockchain, që përmes simulimit të avancimit të teknologjisë së blockchain në sferën e auditimit të BE-së të krijojë mundësi kuptimplote për të reformuar mënyrën e regjistrimit dhe verifikimit të provave, si dhe për të ndryshuar mënyrën e veprimit të aktorëve me transaksione financiare dhe kontrata si dhe për të eksploruar aftësitë dhe përfitimet e zbatimit të një sistemi që përdor Blockchain për të regjistruar, verifikuar dhe gjurmuar dokumentet dhe çdo informacion tjetër të digjitalizuar në një mjedis të dedikuar në internet.
ECA përzgjodhi katër (4) fusha auditimi pilot, si raste të përdorimit të një sistemi të regjistrit të pandryshueshëm, pjesë integrale e menaxhimit të fondeve të BE-së dhe procedurave të raportimit për të mundësuar një auditim tërësisht digjital.
Auditimet përmes platformës Blockchain përfshinë: a) Auditim të Prokurimit Publik; b) Auditim në fushën e bujqësisë; c) Auditim për trajnimet e financuara nga BE; dhe d) Publikimet e ECA-së. Për të krijuar një ide për rastin e auditimeve për trajnimet e financuara nga fondet e Bashkimit Europian, përfituesit e fondeve te BE ( ose nga audituesit ) regjistrojnë dokumente, që lidhen me organizimin dhe veprimtaritë e procesit të trajnimeve. P.sh.., listë prezenca duhet të regjistrohet menjëherë pas përfundimit të trajnimit. ECA përdori regjistrin mbi kontrollin e liste prezencës menjëherë pas përfundimit të trajnimeve të financuara nga BE në këtë auditim, duke siguruar kështu që asnjë nënshkrim ose emër pjesëmarrësi nuk mund të shtoheshin.

Në regjistrin ECA, audituesit kanë qasje në një gjurmë të auditimit digjital të pandryshueshëm, i cili është veçanërisht i vlefshëm kur përdoret për evidencë dokumentare, siç është në këtë rast, listë prezenca në trajnime. Këto dokumente sigurohen nga subjektet që organizojnë trajnimet si “kopje origjinale digjitale”. Një gjurmë e tillë auditimi, që shërben si një “kopje origjinale digjitale” nuk mund të ndryshohet dhe për rrjedhojë zvogëlohet rreziku i ndodhjes së parregullsive dhe mashtrimeve potenciale mbi pjesëmarrjen në këto trajnime.

Përballë kësaj rritje dhe domosdoshmërie për përdorimin e teknologjive të informacionit dhe vendi ynë ka një zhvillim me tregues të kënaqshëm.

Penetrimi gjithnjë e më shumë në dekadën e fundit, të teknologjive informacionit dhe digjitalizimi i proceseve dhe veprimtarive qeveritare kryesisht për ofrimin e shërbimeve publike ka projektuar sfida të reja dhe për auditimet shtetërore.
KLSH, në koherencë të plotë me zhvillimet e teknologjive të informacionit dhe digjitalizimit të shërbimeve publike, ka projektuar dhe adresuar problematika dhe çështje që lidhen me epokën digjitale. KLSH nëpërmjet reformimit të vazhdueshëm, ka marre në konsideratë zhvillimin dhe rritjen e digjitalizimit të operacioneve qeveritare dhe shërbimeve publike, duke rritur ndjeshëm përdorimin e teknologjive dhe programeve informatike që përdor, për të realizuar produkte auditimi eficente dhe efektive, duke ndikuar në përmirësimin e proceseve dhe operacioneve të veprimtarisë së institucioneve publike dhe miradministrimin e shpenzimeve të tyre. KLSH për tu përballur me sfidat e zhvillimit dhe rritjes së digjitalizimit të operacioneve qeveritare dhe shërbimeve publike, për arritjen e objektivave strategjik të vendosura ka hartuar dhe po implementon me kujdes, strategji efikase për kalimin drejt auditimit digjital. Në strategjinë e zhvillimit 2018-2022, KLSH synon rritjen, zhvillimin dhe konsolidimin e përdorimit të teknologjive të informacionit në proceset audituese.
Departamenti i Auditimit IT në KLSH tashmë, është në fazën e rritjes dhe konsolidimit, duke realizuar një sërë auditime IT, në institucionet publike. Implementimi i programit informatik për menaxhimin dhe mbështetjen e proceseve audituese, (mbi platformën RevZone) e ka e vendosur KLSH në të njëjtën linjë me zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të informacionit me homologët e saj dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

*Auditues në KLSH


Etiketa: , ,

Pas