Austria nisi sot lehtësimin e masave të izolimit, të cilat ishin ndërmarrë për mbrojtje nga koronavirusi, raporton BBC. Mijëra dyqane nën 400 metra katrorë u rihapën.
Megjithatë, rregullat e rrepta mbeten ende te fuqi. Keshtu duhet te respektohet distancimi fizik, ndërsa njerëzit udhëzohen të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që ta kenë të mundur.
Austria ka qenë në mesin e vendeve të para evropiane që ka ndërmarrë masa të izolimit rreth një muaj më parë. Autoritetet atje kanë raportuar deri më tani për 14,000 të infektuar me koronavirus dhe 368 të vdekur. Qeveria austriake ka thënë javën e kaluar se ka arritur ta rrafshojë kurbën e infektimeve të reja.
Lehtësimin e izolimit e ka nisur edhe Spanja, duke i lejuar disa qytetarë të kthehen në punë, ndërsa Danimarka i ka rihapur shkollat për fëmijët e vegjël.
Italia – vendi më i goditur i Evropës, me më shumë se 20,000 viktima nga koronavirusi – do t’i lejojë disa firma të rifillojnë operimet nga sot.
Megjithatë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka zgjatur zgjatur izolimin atje deri më 11 maj.
Në një deklarate televizive të hënën, Macron ka thënë se kufizimet aktuale e kanë ngadalësuar virusin, por nuk e kanë mundur atë.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka mirëpritur ngadalësimin e rastete te te infektuarve në disa vende evropiane, por paralajmëroi heqjen e kufizimeve shumë herët.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus ka paralajmëruar se lehtësimi i masave shumë shpejt “mund të çojë në një ringjallje vdekjeprurëse”.