Austria ka vendosur të mbyllë shkollat, pjesën më të madhe të rrjeteve të dyqaneve dhe shërbimeve dytësore.
Sipas kancelarit Sebastian Kurz, përpjekjet për t’u mbështetur në vetëdisiplinim dhe në kufizimet e moderuara dështuan për të ngadalësuar ritmin e koronavirusit.
Masat e reja vijnë dy javë pas një izolimi të lehtë të ngjashëm me Gjermaninë që la një pjesë të mirë të ekonomisë dhe shoqërisë të hapur. Me rritjen e infeksioneve, Kurz u shpreh se shpreson që kufizimet të marrin fund deri në datën 6 dhjetor, për të pasur disi liri për festat e fundvitit.
Njerëzit mund të lënë shtëpitë e tyre vetëm për qëllime të caktuara, si pazare ushqimesh apo për të shkuar në punë e për të bërë vizita urgjente. Këto kufizime të cilat deri tani zbatoheshin vetëm pas orës 22.00, do të aplikohen gjatë gjithë ditës.
Dyqanet ushqimore, farmacitë, bankat, postat, pikat e karburantit dhe autoserviseve do të qëndrojnë të hapura me orar të kufizuar, nga 6 e mëngjesit deri në 7 të pasdites.
Shkollat do të zhvillohen online, ndërkohë një pjesë e mirë e të punësuarve do të punojnë nga shtëpia.
Reagimi i ngadaltë i qeverisë ndaj rritjes së shpejtë të infeksioneve është në kontrast me marsin, kur qeveria veproi shpejt dhe me vendosmëri dhe ishte ndër kombet e para europiane që kontrolloi valën e koronavirusit.
Austria ka raportuar shifra rekord me raste të reja të Covid-19, me plot 9 586 persona të infektuar vetëm të premten.
Kjo shifër është nëntë herë më e lartë se ajo e rregjistruar në kulmin e valës fillestare.
Vendi ka regjistruar më shumë se 191,000 raste që nga fillimi i pandemisë dhe 1,661 vdekje të lidhura me COVID.