(Ese rreth librit “Devolli rrjedh si më parë” i Luan Xhulit, botim i MUZGU-t)
Nga Mark Simoni
Në mes të skedave të mija me shënime, që kam marrë në kurse psikologjie në Dubrovnik, (Kroaci), gjeta një shprehje të J. S. Bruner (psikolog amerikan i pedagogjisë), që thoshte: “Aventurat iu ndodhin atyre që dijnë t’i tregojnë.”.
Kjo mu kujtua sot, tek lexoja librin me tregime të Luan Xhulit. Dhe vërtetë, edhe aventurat kanë fatin e tyre. Lum ato aventura që bëhen dhe përjetohen nga ata që i tregojnë dhe i shkruajnë bukur. Luan Xhuli është njëri prej atyre, që, i rrëfen në këtë mënyrë, na i sjell aq pranë bëmat e çuditëshme, na mban në suspansin e përfundimit, dhe e fut lexuesin në rrezen e energjisë së ndodhive.
Herë herë, edhe narrativa të thjeshta marrin përmasa të jashtëzakonshme nga ky autor, siç ndodh me ortekun, që një grusht dëborë rritet pafund, dhe pastaj merr përpara e trand dynjanë me përmasën e saj.
Diku nga mesi i shekullit të XVI Helvetius shkruan: “Historia është tregimi i fakteve, ndërsa tregimi është historia e ndjenjave”. Kur i bie kryq e terthorë narracioneve të Luan Xhulit, e ndjen në tërë dimensionin e tyre substancën e ndjenjave, përmasën e tyre reale, vibrimin magjik të ndjesive të brendshme, delikatesën e mardhënieve, vezullimin e dashurive, mallin e përzier me ndjenjat e mungesës, dhimbjen e distancës. Autori është shumë i sigurt në këtë abitat. Ai din të ndjej. Ai din ta shkruaj bukur me gjithë rafiniturat këtë thelb të njeriut, ai din të përjetojë dimensionin e vërtetë të kësaj magjie, ai e bën mjeshtrisht subjektin e kësaj loje të pafund mes njerëzve.
Ky autor devolli ka një mardhënie të habitëshme me kujtimet dhe arealin ku është lindur. Markez thotë: “Jeta nuk është thjeshtë ajo e jetuara. Por ajo që mbajmë mend, dhe që mbajmë mend për ta treguar.”. Luan Xhuli e ka jetuar letërsinë e tij, i ka brenda profilit karakterial ngjarjet e jetës së tij, i ka përjetuar deri në thelb historitë që e kanë rrethuar. Kujtesa i është mbushur me subjekte, imazhe, galeri përsonazhesh krejt të veçantë. Dhe nga ky arkiv i memorjes tregimtari na vë përpara rrëfimet e tij interesante, na e begaton leximin me prozën e tij, na e pasuron panteonin e leximeve dhe me përsonazhet që na sjell.
Ritmi dhe shkurticat e frazave janë ndër karakteristikat bazike të tregimit të shkurtër. Aq sa Stiven King thekson se: “Tregimi i shkurtër është krejt i veçantë nga prozat e tjera. Tregimi i shkurtër është si një puthje e shpejtë në errësirë nga një i huaj.”. Luan Xhuli e di mirë këtë “first lesson” të kësaj lloj proze. Rrëfimet e tij janë gjithë temporitëm, operojnë shpejt me situatat, kanë energjinë e akumuluar sidomos tek thekset logjike të ngjarjeve, janë sinteza. Autori bën letërsi të komprimuar dhe na jep ngjarje të shkruara në mënyrë krejt racionale, pra një letërsi tepër ekonomike.
Sa herë që marr në dorë tekste proze, nga autorë që deri at’botë kanë shkruar poezi, mundohem të kap se sa poezia vazhdon të jetë prezente e të ndikojë dhe në narracionet e tyre, dhe ç’shkëlqim dhe lbyrje i jep ajo tregimeve. Madje të kuptoj atë fillin magjik që i ndanë dy zhanret tek autori që po lexoj. Asturias thekson se: “Proza e shkurtër është më pranë poezisë se sa vetë prozës”.
Në këto tregime ka jehona të poezisë, gjeste letrare të saj, delikatesë figurash dhe elegancë shprehjesh. Dhe këto janë vetë hijeshia dhe eleganca që merr Luan Xhuli nga poezia. Të tjerat janë vetë proza, e shkruar bukur, që vibron situata, subjekte, bëma, karaktere, që luajnë në mënyrë interesante në tregimet e tij, sa ato bëhen pjesë e kënaqësisë së një letërsie të shkruar mjeshtrisht. Jam i bindur se Luan Xhuli na ka dhënë në dorë një libër interesant dhe të veçantë.