Avokati i Klement Balilit, i ftuar në “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, deklaroi se do të kërkojë gjykim të shkurtuar për klientin e tij dhe se historia me Balilin dhe etiketimi i tij si “Eskobar” lidhet me xhelozinë që kishte Greqia ndaj klientelës që po merrte kompleksi ‘Santa Quaranta’.
Si pritet të shkojë procesi?
Baftjar Rusi Ne avokatët do kërkojmë gjykim të shkurtuar dhe besojmë se çështja do mbyllet shumë shpejt. Nuk ka prova dhe jam i bindur se nuk do ketë dënim të rëndë. Kjo drogë, për të cilën akuzohet Balili, nuk është kapur në territorin shqiptar e as në ujërat tonë, por në një ishull të shkretë të Greqisë dhe atje janë arrestuar dy persona, Petro Dajlani dhe Kleanthi Lala. Ata nuk kanë përmendur emrin e Balilit.
Baftjar Rusi: Ajo Santa Quaranta që duket madhështore ka qenë ish-Kampi i Punëtorëve që u rikonstrukta. Balili e bleu me ankand me çmimin për 800 mijë dollarë.
Nga i bëri 800 mijë dollarë?
Baftjar Rusi: Nga burime të ligjshme. Me aktivitete tregtare, me polici private dhe ndërtime.
Po përse u lidh politika?
Baftjar Rusi: Sepse ka xhelozi për Balilin. Duke qenë se kanë pasur shumë vota si familje e madhe dhe lidhje pune tregtare, imagjinoni te ‘Santa Quaranta’ kishte të punësuar 500 persona, kamarierë dhe punonjës të një biznesi kaq brilant, që u bë xheloz Greqia. Përse nuk e bëni këtë lidhje?
Vërtet Santa Quarata është më e mirë se të tjerat, por nuk bëhet xheloz Greqia për Santa Quaranta se na hoqe trurin?
Baftjar Rusi: 2 mijë- 3 mijë turistë kalonin nga Greqia në Sarandë, çfarë mendonin ata? Balili dhe familja e tij në fillim i kanë shërbyer Partisë Demokratike me të gjithë votat. Më vonë te e majta dhe më vonë te LSI.
Përse ka thënë Balili se e kam nga Sali Berisha këtë?
Baftjar Rusi: Bëhet xheloz Berisha, prandaj.
Tani Greqia xheloz, Berisha xheloz, DEA amerikane xheloze. Ore çfarë po thua?
Baftjar Rusi: Po si erdhi në këtë situatë. Unë nuk e di përse u bë xheloze, por unë di që DEA amerikane në çdo vend të botës nuk merret me kanabis, por me droga të forta.