Policia e Burrelit ka arrestuar avokatin lezhjan, Ilirian Bizeni, pasi tentoi të fusë disa doza heroinë në burgun e sigurisë së lartë, raporton Ora.
Sasia e heroinës ishte e ndarë në qese të vogla të dozuara, ndërkohë që Bizenit i janë vënë prangat menjëherë pasi u kap në flagrancë gjatë kontrollit që iu bë në trup nga gardianët e Burrelit.
Avokati 30-vjeçar kishte shkuar në burg për të vizituar klientin e tij Mariglen Përgjini, i transferuar së fundmi në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, pas incidentit në burgun e Shën Kollit ku goditi me grusht prokurorin Ervin Beqiri.
Mariglen Përgjini akuzohet për vrasjen e Maltin Shtjefnit dhe plagosjen e Ergys Nikës, ngjarje e ndodhur me 10 janar të vitit 2013 në një lokal muzike në superstradën Lezhë-Laç, në afërsi të kryqëzimit të Shën Kollit.
Pas shpalljes në kërkim nga policia e Lezhës si autor i ngjarjes, Përgjini u vetëdorëzua në polici 2 javë më pas, kjo sipas tij për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes, pasi nuk ishte ai autor i vrasjes