Rafik Gurra, avokat i njohur u vra në një atentat mafioz të premten në Elbasan. Rreth kësaj ngjarje të rëndë ka folur mbrëmjen e sotme gazetarja e kronikës, Klodiana Lala. Gjatë emisionit “Opinion” ajo tha se në dijeni të kërcënimeve është dhe një zyrtar policie në Elbasan.
“Avokati para një vitit e gjysmë ka shprehur një shqetësim pranë një zyrtari të lartë të policisë së Elbasanit, por e ka lënë në kuadrin miqësor. Ata që kanë patur informacion, më kanë thënë se avokati ka dhënë detaje të sakta për ata që e kërcënonin. Ka pretendime që një pjesë të atyre kërcënimeve që konstatonte i ka renditur në një celular që nuk dihet se në duart e kujt është”, tha gazetarja Lala.
Mënyra si u ekzekutua
Gazetari tjetër i njohur, Artan Hoxha po nga studio e “Opinion” ka përshkruar skenën si ndodhi vrasja e avokatit, bazuar në hetimet e deritanishme të prokurorisë.
“Ai ka qenë në një nga lokalet në qendër të qytetit me dy miqtë e tij, papritur ndalon një Benz, nga kjo makinë del një person me kapele në kokë dhe i afrohet më pas e qëllon dy herë në kokë. Arma që është përdorur ka qenë një armë mini blow Zastava, është një armë e lehtë, e pasigurt. Nuk ka precizon, gjendet shumë lehtë. Është një prodhim në masë. Policia e ka jashtëzakonisht të vështirë. Kamerat nuk japin shumë informacion, nuk kanë ende asnjë drejtim gishti se kush është autori. Nuk ka asnjë pistë se pse është vrarë”, u shpreh Artan Hoxha.
Lexo edhe
Vrasja e avokatit/ Gazetarët: Bandat mbështeten nga kryebashkiaku