Prokuroria për Krimeve të Rënda reagoi sot pas publikimit të përgjimeve në “Bild” të shitblerjes së votës në Durrës. Prokuroria ‘kërcënoi’ median të mos vijonte me publikimin e këtyre përgjimeve.
Për këtë ka reaguar avokati i njohur, njëherazi pedagog, Jordan Daci. Përmes një statusi në facebook ai shpjegon se neni 295/a që përmend prokuroria nuk është për ndjekjen penale të gazetarëve, por funksionarëve publike që kanë detyrë ligjore ruajtjen e sekretit hetimor. Daci thotë se “shkresa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është thjesht presion banal, i pakuptimtë, por mund të jetë edhe paralajmërim i asaj cfarë fshihet në ato qindra disqe që s’kam asnjë pikë dyshimi që janë kopjuar të gjithë dhe shpërndarë aq shumë sa tani se kanë idenë se nga mund të kenë dalë”.
Reagimi i plotë i Jordan Dacit:
Një freskim i dijes përsa i përket zbatimit të nenit 295/a të Kodit Penal
Të dashur gazetarë, mos u trembni nga zbatimi i nenit 295/a i Kodit Penal të RSH, sepse fatmirsisht nuk është i njëjtë me nenin 55 të Kodit Penal të PPSH…
Së pari, që një person të mbajë përgjegjësi sikurse pretendojnë prokurorët, duhet që së pari të jetë funksionar publik ose një person i ngarkuar me një shërbim publik që gjatë detyrës bie ne kontakt me të akte ose të dhëna sekrete hetimore. Sigurisht, ju si gazetarë nuk jeni të tillë në kuptim të këtij ligji.
Së dyti duhet të jeni prokuror ose oficer i policisë gjyqësore dhe ju nuk jeni as të tillë, por edhe nëse do të ishit, do të mbeteshit pa punë se informacionet do i ishin dhënë kërkuesit më të parë 😛 sikurse bëjnë vazhdimisht dhe pastaj bërtasin kush i nxori… ju e dini më mirë se si veprojnë në të tilla raste…
Së treti, duhet që një person tjetër të ketë dijeni dhe të jenë paralajmëruar më parë nga prokurori ose OPGJ për moszbulimin e tyre. Paralajmërimi duhet të jetë individual dhe nëpërmjet një dokumenti të shkruar ku vetë personi, konfirmon që ka marrë dijeni dhe zotohet të ruaj sekretin dhe njoftimi publik ose fletërrufeja e Krimeve të Rënda nuk e plotëson këtë kriter…
Së katërti, ky nen nuk është bërë për gazetarët, por për subjektet e procedimit penal si: prokurorët, gjyqtarët, mbrojtësit; si dhe personat e tjerë që marrin pjesë në proces si: përkthyesit, ekspertët etj. Për më tepër, që një informacion nuk është më sekret kur bëhet publik, kështu që ripublikimi i një publikimi nuk është më publikim.
Se pesti, besoj kuptohet që është thjesht presion banal, i pakuptimtë, por mund të jetë edhe paralajmërim i asaj cfarë fshihet në ato qindra disqe që s’kam asnjë pikë dyshimi që janë kopjuar të gjithë dhe shpërndarë aq shumë sa tani se kanë idenë se nga mund të kenë dalë…
Frika e ruan vreshtin, por jo pasi vilet se pas vjeljes s’ka nevojë më ta ruaj njeri … Kështu që mos e vrisi mendjen, se Gjermani e ruan vetë miellin…
Çfarë paralajmëroi prokuroria e Krimeve të Rënda:
“Nisur nga fakti se publikimi i akteve të mësipërme, cenojnë sekretin e hetimit paraprak lidhur me procedimin penal Nr.339, të vitit 2016, i cili nuk ka përfunduar akoma, çmoj se duhet ndaluar publikimi i tyre nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.
Në këto kushte, bazuar në kërkesat e neneve 103, 104 dhe 105 të K.Pr.Penale;
Urdhërojmë:
Ndalimin e publikimit të akteve të procedimit penal Nr.339, të vitit 2016, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.
Ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhri Koordinatori për Mediat në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë”.