Institucioni i Avokatit të Popullit që është edhe një nga organet kryesore që mbikëqyr veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka publikuar një raport të gjatë mbi veprimtarinë e KED, ku shpjegon se ka përgatitur edhe një padi ndaj KED dhe kryetarit të saj Ardian Dvorani.
Në raportin e Avokatit të Popullit ndaj KED, theksohet se gjatë hartimit të rregulloreve të funksionimit të KED u konstatua një përpjekje për të kufizuar kompetencat ligjore të institucionit të Avokatit të Popullit për të marrë pjesë në mbledhje, duke “parashikuar një kufizim të mëtejshëm të transparencës së Këshillit”.
Pjesë nga deklarata e Avokatit të Popullit
Problematikat në lidhje me shortet përmblidhen në elementet thelbësore si vijon:
KED ka miratuar një rregullore në të cilën prezanton konceptin e dhomës së këshillimit në mbledhjet e këtij organi administrativ, gjë e cila jo vetëm nuk është e parashikuar në ligj, por edhe nëse do i referoheshim teorisë të së drejtës, është një koncept i përdorur në procedurat gjyqësore dhe jo në ato administrative. Kështu, sipas pikës 41 të Vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nr.4 datë 11.03.2019 “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, është vendosur që: “Bisedimet e çështjes, si dhe votimi i vendimit, bëhen vetëm me praninë e anëtarëve të Këshillit». Duke vlerësuar një parashikim të tillë në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta dhe ligji që cituam më siper i kanë dhënë institucionit tonë, ne kemi përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor, por për të mos penguar procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pritur për depozitimin e padisë deri në përfundimin e procesit nga ana e Këshillit për të evidentuar tërësisht problematikat që mund të përfshihen në këtë padi, por edhe për të mos dëmtuar imazhin e reformes së drejtësi. Pra, shumë shpejt ne do të paraqesim këtë padi në gjykatën administrative të apelit, me objekt shfuqizimin e disa prej neneve të dy prej rregulloreve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
– Fakti i përjashtimit të institucionit të Avokatit të Popullit nga veprimtaria e KED-së, nuk pasqyrohet as në Vendimet e KED-së. Në pjesën hyrëse të këtyre vendimeve thuhet se Avokati i Popullit ka qënë prezent, në pjesën arsyetuese thuhen mendimet e dhëna nga Avokati i Popullit për çështjen në fjalë, por në asnjë rresht të këtyre vendimeve nuk thuhet që Avokati i Popullit, nuk ka qënë prezent (për shkak të parashikimit të Rregullores nr. 4 të KED-së «Për procedurat e verifikimit të kandidatëve”, që cituam më sipër), në momentin e diskutimeve për problematikat e ndryshme që mund të rezultojnë për kandidatët, apo në momentin e votimit.
Formati i vendimeve të relatorit për verifikimin e plotësimit të kritereve dhe/ose relacioni i relatorëve për vlerësimin, paraqesin në hollësi veprimet proceduriale të kryera nga relatori, por nuk bëhet apo jepet asnjë analizë për gjetjet përkatëse, nëse ka. Në çdo rast mendojmë se arsyetimi i vendimeve dhe ose relacioneve do të rriste transparencën e vendimarrjes së KED, e cila formë të vetme të komunikimit me publikun ka Vendimet. Në të njëjtën linjë është edhe mungesa e çdo informacioni në vendimet e verifikimit, nëse vendimi ka qënë unanim apo jo. Deri në momentin e hartimit të këtij raporti paraprak, nuk kemi arritur të gjejmë të publikuar ndonjë vendim pakice, bashkë me vendimet për kalimin e procedurës se verifikimit për anëtaret e Gjykatës Kushtetuese, ndaj supozojmë se vendimet duhet të kenë qënë unanime.
– Një konstatim tjetër i yni ka qënë edhe niveli jo i duhur i transparencës nga ana e kryetarit të KED-së.
Sipas nenit 226 gërma d të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”: Kryetari i KED «siguron që mbledhja e Këshillit të regjistrohet në sistemin audio dhe që një përmbledhje e procesverbalit të mbledhjes së Këshillit mbahet dhe bëhet publik në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë. Përmbledhja e procesverbalit u vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit përpara se të bëhet publike. Në rast se ndonjëri prej anëtarëve ka dyshime për saktësinë e përmbledhjes së procesverbalit, Kryetari i Këshillit urdhëron ballafaqimin e përmbledhjes me regjistrimin audio dhe ndryshimin e saj në qoftë se dyshimi i anëtarit rezulton i justifikuar».
Duke qënë se në kundërshtim me nenin e sipërcituar, në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë KED-së nuk botoheshin proces-verbalet e mbledhjeve, ne kërkuam të na viheshin në dispozicion këto proces-verbale (ose në versionin audio, ose në versionin e zbardhur). Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura bërë në mbledhjet e këtij organi, por edhe kërkesave me shkrim drejtuar kryetarit të KED-së, ne nuk na u vunë asnjëherë në dispozicion proces-verbalet e disa mbledhjeve (qoftë edhe në version audio, që nuk kërkon punë shtesë për zbardhjen). Në gjykimin e Avokatit të Popullit, mosadresimi i kërkesave të bëra prej nesh në lidhje me transparencën dhe/ose çështje të tjera që ne kemi ngritur, kanë kufizuar dukshëm mundësinë tonë për të bërë detyrën e ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji. Në leximin që ne i bëjmë Kushtetutës dhe ligjit nuk na rezulton i justifikuar apo legjitim qëndrimi i mosmarrjes në shqyrtim të kërkesave të vëzhguesit dhe trajtimi i tyre jo në prani të tij.
– Po për sa i përket transparencës, ne kemi konstatuar se vendimet e arsyetura të kandidatëve nuk u publikuan në kohën duhur në faqen zyrtare të KED-së.
– Sigurimi i një transparence më të madhe në lidhje me mbledhjet e Këshillit, pasi jemi të mendimit se është cenuar transparenca për shkak të mospublikimit fare, ose jo në kohë të materialeve të mbledhjeve, si dhe të mungesës së informacionit, apo të dhënies së një informacioni tepër të kufizuar për publikun, që ka si të vetmen mënyrë informimi faqen zyrtare të KED-së. Më konkretisht nuk janë publikuar në faqen zyrtare të KED-së procesverbalet e mbledhjeve. Në këtë faqe në rastin më të mirë jepet vetëm një përmbledhje shumë e shkurtër dhe jo e mjaftueshme e zhvillimit të tyre, ndërkohe që sipas nenit 233/3, të ligjit nr. 115/2016 “Këshilli komunikon me publikun pas çdo mbledhjeje përmes një komunikate për mediat e cila informon së paku për: a) kohën e mbledhjes; b)pjesëmarrjen; c) kandidatët, jetëshkrimin e përditësuar të tyre, pozicionet për të cilat ata kandidojnë dhe institucionet propozuese; ç) një shpjegim të shkurtër të procedurave dhe të metodës së ndjekur për verifikimin kushteve ligjore dhe të kritereve të përdorura për renditjen e kandidatëve; d) aktin përfundimtar të verifikimit dhe renditjes së kandidatëve”.
Duke qenë se procedurat e KED-së në disa raste kanë qënë atipike dhe të pakryera më parë, ka pasur jo pak çështje për të cilat ka dalë nevoja e bërjes së ndryshimeve ligjore, pasi ka ometim në një numër çështjesh, të cilat do të paraqiten të plota në raportin përfundimtar, por në këndvështrimin e Avokatit të Popullit mendojmë se duhet të evidentohen që në këtë moment për të bërë adresimet përkatëse për punën e KED në vitin 2020 edhe:
– Përcaktim i qartë i kompetencave të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në lidhje me anëtarët, por edhe me të tretët, në funksion të ligjit për të drejtën e informimit;
– Vendosja e afateve ligjore për publikimin e procesverbaleve;
– Ndryshimi i disa prej afateve proceduriale për paraqitjen e një pjese të dokumentacionit për verifikimin e pasurisë, pasi një afat i tillë i shkurtër nuk lejon pjesëmarrjen e një numri të mjaftueshëm kandidatësh;
– Parashikimi i mënyrës së ndërveprimit midis gjetjeve të ILDKPKI dhe vendimarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
– Parashikimi i një procedure administrative për kandidatët që të kenë mundësi të adresojnë në ILDKPKI gjetjet e këtij organi dhe/ose parashikimin e pjesëmarrjes së kandidatëve në seancat e verifikimit për t’iu dhënë mundësia për të kundërshtuar apo mbrojtur gjetjet e ILDKPKI-së. Në keto seanca duhet të parashikohet edhe prania e përfaqësuesve të ILDKPKI për të argumentuar gjetjet e tyre.
– Përgjithësisht Këshilli ka pasur bashkëpunimin e organeve apo institucioneve të ndryshme në përgjigje të kërkesave të bëra për informacion. Rezulton se vetëm disa institucione (SHISH dhe SHIU) nuk kanë dërguar informacion në mënyrë të drejtëpërdrejtë në Këshill, por e kanë bërë atë nëpërmjet DSIK. Filtrimi ose jo i informacioneve, nga një organ nën varësinë e ekzekutivit, mund të ngrinte pikpyetje në lidhje me saktësinë e informacionit. Për këtë arsye duhet të gjenden zgjidhjet e duhura ligjore që të jepet informacioni, por edhe të adresohet përgjegjësia në rast mos dërgimi i informacionit. Problem mund të paraqiste në këtë kuadër edhe pajisja me certifikatë sigurie e anëtarëve të Keshillit, duke konsideruar se Këshilli ushtron detyrën për një periudhë relativisht të shkurtër dhe mundet që procedura e paisjes me certifikatë, të shkurtojë edhe më shumë mundesinë e ushtrimit efektiv të detyrës nga ana e anëtarëve të Këshillit.
– Duhet të bëhen rregullime në ligj për të trajtuar natyrën e disa parashikimeve ligjore që lidhen me kushtet individuale dhe ato të përgjithshme që lidhen me Gjykatën Kushtetuese, psh parashikimet e bëra në lidhje me numrin e kandidatëve që duhet të vijnë nga gjyqësori, me balancën gjinore të gjyktatës, me fushat e ndryshme të ekspertizës, si dhe me numrin maksimal të hapjes së thirrjeve për vakancat, në rast se kandidatët që i vijnë Keshillit nuk bëjnë të mundur plotësimin e këtyre kritereve ligjore.
– Avokati i Popullit gjykon se ka rëndesi themelore të trajtohen këto probleme dhe të ketë arsyetim në vendimarrjet përkatëse, të cilat të adresojnë pamundësinë e plotësimit të kërkesave ligjore.
– Duhet të bëhen rregullime në rregulloret e Këshillit për të përcaktuar kohën dhe afatin brenda të cilit duhet të dërgohen listat përkatëse në organin e emërtesës;
– Duhet të bëhen amendamente ligjore për të rregulluar ometimin ligjor në lidhje me organin që ka kompetencë për të konstatuar mos-ushtrimin e të drejtës për të zgjedhur nga ndonjë prej organeve të emërtesës dhe procedurën e nevojshme në këtë rast.
– Mundësimi i kandidatëve për t’u njohur në kohë me gjetjet e relatorit në procesin e tij të verifikimit, gjetje të cilat duhet të shoqerohen edhe me argumentim përkatës për t’i mundësuar kandidatit të bëjë një mbrojtje sa më efektive.
Në lidhje me procesin e shqyrtimit të kandidaturave, institucioni ynë ka bërë prezent (si me shkrim, ashtu edhe gjatë mbledhjeve) shqetësimin që materialet pothuajse asnjëherë, nuk janë sjellë sipas afateve të parashikuara në Rregulloren e Brendshme të miratuar nga kjo KED (duke pasur parasysh se dokumentet që lidhen vetëm me një kandidat shpesh janë rreth 10.000 fletë, moslënia e kohës së duhur për shqyrtimin e dokumentacionit, ka vënë në pozitë shumë të vështirë institucionin tonë, për dhënien e një mendimi të plotë, e profesional) dhe si shpjegim për këto vonesa nga kryetari i KED-së (i cili sipas ligjit 115/2016 është përgjegjës për këtë pjesë të procesit), na është thënë se kjo bëhet për përmbushjen e afateve dhe ngritjen sa më parë të institucioneve të reja. E vërteta është që institucioni ynë është vënë në pamundësi për të parë dosjet përkatëse me seriozitetin e nevojshëm që ky proces kërkon.
Për më tepër, materialet e dërguara nuk janë dërguar me një listë inventari pavarësisht kërkesës së përsëritur për një gjë të tillë për të na mundësuar identifikimin e akteve që na janë dërguar dhe atyre që nuk na janë dërguar.