Avokati i cili përfaqësonte yllin e filmave pornografikë Stormy Daniels në padinë e saj ndaj presidentit amerikan Donald Trump, është akuzuar për mashtrim. Michael Avenatti, sipas prokurorëve, u përpoq të rrëmbejë më shumë se 20 milionë dollarë nga “Nike”, duke kërcënuar se do përdorte njohjet e tij që të ulte reputacionin e firmës.
Avenatti u takua në fillim të këtij muaji me një avokat të “Nike” dhe dyshohet se e ka kërcënuar me shpërndarje të informacioneve të dëmshme për kompaninë në rast se kjo e fundit nuk do t’i jepte miliona dollarë. Ai u arrestua në Nju Jork, pasi njoftoi se do të mbajë një konferencë për shtyp rreth një skandali për “Nike”.
Avokati është shfaqur deri më tani në shumë intervista dhe emisione televizive si një kritik i ashpër i Presidentit Trump. Madje, ai është shprehur në një moment se po mendonte të kandidonte për president.