Babai i 25-vjeçarit të vrarë, Klodian Rasha, Qazimi, ka komentuar protestën e djeshme në Tiranë.
Ai u shpreh për “Fax News” se, ndonëse i përkrah tubimet, nuk preferon t’i preket asnjë lule kryeqytetit.
Qazim Rasha bëri gjithashtu thirrje që fatkeqësia e tij të mos përdoret, dhe që drejtësia për të birin e vrarë të vendoset një orë e më parë.
“Ajo që mund të shpreh unë është kjo, që ajo fatkeqësi që më ndodhi mua, të mos i ndodhë asnjë familjeje shqiptare, dhe asnjë kombësie tjetër. Është shumë e rëndë për një prind, që me shumë sakrifica kam arritur që t’i rris fëmijët dhe t’i sjell deri këtu.
Si prind dhe si baba kërkoj që fatkeqësia ime të mos përdoret. Unë dëshiroj që të bëhet protestë, por të mos preket asnjë lule. Tirana të rritet, Shqipëria të rritet. Djali ka qenë i përkëdhelur se ka qenë i vogli, por nuk më kishte sjellë asnjë problem, do të isha unë vetë i pari që në rast se do të kishte do të kërkoja ndihmën e Policisë.
Kjo është banditeske, unë kam qenë duke punuar një periudhë kohe në ushtri, dhe ishim me rregulla dhe me norma. Uniforma e Policit duhet nderuar, kjo është masakër, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, është makabre, një fëmijë mund të arrestohet, mund të marrë dënimin, por nuk mund të masakrohet në rrugicën e lagjes.
Unë kam groposur djalin, e nuk mund të rri e të bëj filmime, kërkojmë drejtësi, kërkojmë drejtësi. Nuk kam komunikuar me asnjë lloj përfaqësuesi të shtetit, më duket sikur jam duke u vrarë vetë. Shteti të zbatojë ligjin, të shohë normat, nuk di, nuk di. Ju uroj gjithë moshës së re që të gëzojnë shëndet të mirë, dhe fatkeqësia ime të mos i bjerë askujt, njerëzit të ëndërrojnë për një jetë më të mirë. Fëmijët tanë meritojnë të gëzojnë jetën, nuk di, nuk di, do ma bëni hallall”, – tha Qazim Rasha.
Risjellim në vëmendje se Klodian Rasha u vra dy ditë më parë nga një efektiv policie në zonën e Laprakës, pasi kishte thyer fashën e orarit në kuadër të masave anti-Covid.