Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për dosjen “Babalja” dhe e ka dërguar atë në gjykatë. Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji është thirrur nga Prokuroria e kryeqytetit të premten në orën 09:00 në cilësinë e të pandehurit, për t’u njohur me dosjen dhe akuzën e ngritur nga organi i akuzës ndaj tij. Mësohet se Prokuroria e akuzon Salianjin për “kallëzim të rremë”.
Veç Salianjit, i dorëhequr tashmë nga funksioni i deputetit, nën hetim janë dhe Albert Veliu protagonist i videopërgjimit dhe i afërmi i tij, Fredi Alizoti, që sipas prokurorisë ka imituar zërin e Agron Xhafës, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, si dhe gazetari Jetmir Olldashi.
Përmes një audio-përgjimi të publikuar në media vitin e kaluar, u pretendua se Geron Xhafaj fliste me Albert Veliun, i njohur si “Babale” për trafikimin drejt Italisë të një sasie droge. Ndërsa sipas prokurorisë zëri i audios rezultoi të mos ishte i Agron Xhafës, por i kunatit të tij, Fredi Alizoti. Ky i fundit nga ana tjetër dha dëshmi kontradiktore, njëherë duke deklaruar se ishte ai imituesi i Agron Xhafajt dhe njëherë tjetër, duke pretenduar se i ishin ofruar shuma të mëdha parash si dhe e kishte takuar drejtori i Policisë, Ardi Veliu, për të dhënë dëshmi të rremë.
Çfarë ndodhi seancën e kaluar
Më datë 25 shkurt, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e deputetit demokrat, tashmë me mandat të dorëzuar, Ervin Salianjit, për moszgjatjen e hetimeve në cështjen “Babalja”. Gjykata i la afat prokurorisë deri në 20 mars që të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe të marrë një vendim, se cfarë do të bëjë me hetimet për rastin e “Babales”, dosje në të cilën Salianji akuzohet për kallëzim të rremë.
Në daljen e fundit për mediat, teksa doli nga gjykata per kete ceshtje, Salianji ka theksuar se hetimi qe po behet eshte teresisht politik dhe zgjatja e afateve te hetimit nuk ka asnje mbeshtetje ligjore.
“Prokurori tërësisht politike dhe në shkelje të ligjit, prokurori që vazhdon cështjen nuk ka guxuar të marrë mostrat e zërit të vëllait të ish ministrit Xhafaj, prokurori tjetër që është shtuar është një prokuror që ka lidhje të afërta me drejtuesin e MB sot, pra një hetim tërësisht politik, nuk ka arsye të zgjaten hetimet, vetëm për të mbajtur tymnajë, ne kemi kërkuar thjesht për të mbajtur në dijeni publikun që vazhdon në fakt një hetim jo për personin që sot është në burg në Itali, por gazetarin dhe ne e kemi denoncuar dhe do vazhdojmë të denoncojmë. Kemi tashmë një vendimmarrje që na con te qytetarët nesër në 10 para kuvendit për gjithë qytetarët”– tha ai.