Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ia ka lejuar vetes t’i japë një këshillë BE-së për të ndryshuar sistemin e vendimarrjes për zgjerimin e BE-së.
Nga foltorja e Kuvendit duke iu përgjigjur në replikë deputetit Myslim Murrizi, Balla nënvizoi edhe një herë se Shqipëria i kishte përmbushur detyrat, por mbeti “peng” i mosdakordësive Bullgari-Maqedoni e Veriut.
“Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për tu mbajtur ky event formal i fillimit zyrtar të bisedimeve…
Të mos harrojmë që BE është një institucion me vendimmarrje tepër të vështirë. Nëse këtu në këtë sallë do të duhet të kishim vendime unanime nuk do të kishim kurrë, edhe në një familje me 27 anëtarë, është e pamundur që për çështje të karakterit të politikës së jashtme të gjendet konsensus unanim. Në këtë këndvështrime shpresa jonë është që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ta gjejë një zgjidhje për këtë çështje. Derisa Bullgaria të zhvillojë zgjedhjet në mes të korrikut që po vjen dhe të krijohet qeveria e re atje e të ketë mundësi të dialogojë dhe të gjendet një zgjidhje. Kjo nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë.
Procesi ecën ne do të vazhdojmë të kemi vëmendjen dhe angazhimin e duhur për të çuar përpara reformat. I dashur Myslim nuk është në përgjegjësinë e qeverisë shqiptare as të Kuvendit mungesa e një vendimmarrje. Ne nuk jemi pjesë e BE-së. Këshilla jonë e vetme është që BE duhet ta ndryshojë këtë sistem vendimmarrës sepse ndryshe s’ka për të marrë kurrë vendime,” u shpreh Balla.
Ndër të tjera Balla vlerësoi opozitën parlamentare për mbështetjen që i ka dhënë legjislacionit për çuarjen përpara të reformës në drejtësi.
Kuvendi u mblodh sot për të shqyrtuar për 6 projektligje, një dekret të Presidentit dhe për të dëgjuar 4 raportime të institucioneve shtetërore për veprimtarinë vjetore të 2020, KLSH, ILDKPI, AMA dhe KQZ.