Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shkruan se Kuvendi i Republikës nesër do të miratojë paketën ligjore me qëllim forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ai u ndal edhe tek çështje e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, ndërsa e cilëson si një skandal të rëndë që kërkon me patjetër një legjislacion të fortë për ta hetuar.
“Nesër Kuvendi miraton Paketën ligjore për forcimin e luftës kundër pastrimit të parave&financimit të terrorizmit. Përfshirja #PD #LulezimBasha në skemë tranzaksionesh të paligjshme përmes kompanive guackë& oligarkësh rusë është një skandal i rëndë,që kërkon legjislacion të fortë”– shkruan Balla në “Twitter”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.
“Është revoltuese, kur dëgjon Taulant Ballën t’u flasë shqiptarëve për luftë kundër pastrimit të parave të pista. Të presësh që Taulant Yaris alias Taulant Bego të luftojë pastrimin e parave, është njësoj si të besosh që hijena do të bëhet vegjetariane. Taulant Balla duhet të sqarojë së pari, përfshirjen në pastrimin e parave të 3.5 milionë eurove me Toyota Yaris.
Kush ka durim t’u hedhe një sy arkivave, do të kuptojë se ky është një nga skandalet më të mëdha të kësaj qeverisjeje, për mbulimin e të cilit Kryemjeshtri i pastrimit të parave, Edi Rama keqpërdori prokurorinë e tij për të rikthyer artificialisht në vëmendje çështjen e lobimit të PD në SHBA.
Nuk ka shqiptar me dy pare mend të besojë se Taulant Balla do të luftojë pastrimin e parave të miqve të tij trafikante ndërkombëtar të drogës. Taulant Yaris/Bego, që pavareissht se me nje rroge shteti, zotëron pasuri marramendëse në Tiranë dhe jeton në luks, nuk ka fuqi as të luftojë krimin, as të luftojë pastrimin e parave të krimit e të korrupsionit. Taulant Balla dhe shefi i tij, Edi Rama do të japin shpejt llogari për vjedhjen e shqiptarëve, për pastrim parash dhe për çdo krim tjetër kundër qytetarëve,” shkruan ai.