Dje u mbajt një ceremoni për ditëlindjen e FRESSH, që ishte relativisht e vakët. Por aty nuk mungoi sidoqoftë, Taulant Balla i cili foli me patos e frymë heroike.
Mirëpo, një reagim ka ardhur nga një ish-themelues, dhe socialist me përvojë. Ish-deputeti e ish-prefekti i Tiranës, Taulant Dedja, është shprehur se FRESSH është një kujtim i bukur i së kaluarës, dhe nuk ka më lidhje me pasardhësit e bllokut që e kontrollojnë sot.
Statusi i plotë nga Taulant Dedja:
I PËRJETSHËM KUJTIMI I FRESSH!
Ju që nuk keni asnjë lidhje me FRESSH, Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar, mos na hapni barkun sot me histori idealesh dhe urimesh. FRESSH është një kujtim i bukur i të kaluarës. FRESSH guxoi dhe hoqi marksizmin nga programi përpara se ta bënte partia-mëmë, ndërsa sot fantazma e PSSH, Rilindja Mavi kontrollohet nga pasardhësit e Bllokut famëkeq dhe bijtë e marksistëve dogmatikë të PSSH. Si ish-anëtar dhe ish-deputet i FRESSH përulem me respekt para themeluesve të Janarit 1992! I përjetshëm kujtimi i FRESSH!