Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur para deputetëve të Kuvendit për skandalin e CEZ-DIA.
“Si mund t’i besoj unë SPAK kur nuk po thërret Berishën?”, ishte pyetja e drejtuar prej tij, teksa shtoi se ky institucion është zgjuar më në fund dhe ka marrë në pyetje biznesmin e arrestuar, Kastriot Ismailaj.
“E di e gjithë Shqipëria dhe nuk dihet ku kanë shkuar paratë që ka dhënë qeveria japoneze për sistemin e kanalizimeve. Meqenëse zotëria kryeministër në atë kohë, le të shkojë dhe të hetohet. Meqë u hap kjo historia e SPAK gjej rastin ta përshëndes, se më në fund kanë vendosur të hetojnë CEZ-DIA. Qoftë e vërtetë që
SPAK të jetë zgjuar dhe të hetojë edhe atë çështje. Kastriot Ismailaj është marrë në pyetje nga prokurorët. Është Berisha i pari që duhet të merret edhe si i akuzuar edhe si dëshmitar. Është Nuel Kalaj, personi që mori një thes me euro dhe i ngarkoi në makinë”, tha Balla.
Ai theksoi se Kalaj në emailet që shkëmbente në partnerët çekë thotë se kishte marrë garanci nga Berisha për të vepruar.
“Nuel Kalaj në emailet që shkëmbente me partnerët çekë thoshte se ka pengesa nga qeveria, por Berisha do i thyejë çështjet burokratike të qeverisë së vet. Në këtë vend ka ndodhur që ke shitur një aset shtetëror pa ia parë vlerën. Është nga ato raste që nuk dihet nëse shteti shqiptar i ka marrë lekët apo jo ”, tha ai.