Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar opozitën jashtë Parlamentit, si penguese të reformave dhe kundër integrimit të vendit në BE. Duke treguar përqindjen e madhe të shqiptarëve që kërkojnë integrimin në familjen evropiane, Balla ka theksuar: “Nuk ka politikanë më me fat se ne që kemi një popull që na mban të orientuar në rrugën evropiane, 8% e atyre që nuk janë pro Evropës janë këta që bllokojnë rrugët”.
Sipas Ballës, çdo bllokim rruge çdo dhunë që ushtrohet ndaj institucioneve është pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar të ardhmen evropiane dhe fillimin e bisedimeve. Kreu i grupit të deputetëve socialistë foli për masa të ashpra në Kodin Penal, të cilat u prezantuan një javë më parë nga kryeministri Edi Rama, duke parashikuar dënime me burg për disa vepra të cilat aktualisht ligji i parashikon me gjobë ose ndjekje në gjendje të lirë.
“Kush guxon të godasë policinë do marrë ndëshkimin që meriton dhe plotësimet e mangësive në Kodin Penal janë pikërisht në bindjen se dhuna nuk mund të tolerohet. Ndëshkimi me burg është për t’i vënë gishtin kokës që çdo politikan i papërgjegjshëm që teksa shqiptarët që kthehen nga puna të presin sa Luli, Mona, Saliu, Mziu të plotësojnë kuotën e protestës javore në planifikimin që politikanë të korruptuar në përpjekje për të penguar të ardhmen evropiane të vendit bëjnë”– tha ai.
Duke folur për rrugëtimin e vendit drejt BE, Balla tha se Shqipëria ka përmbushur detyrat e përcaktuara nga Komisioni Europian. “KE është i vetmi që paguhet nga paratë e taksapaguesve evropiane për të bërë diagnozën e çdo vendi në rrugën e vet evropiane dhe Shqipëria ka plotësuar parakushtet për të filluar bisedimet dhe nuk është rastësi që ne si Kuvend përmbyllin paketën e reformës në drejtësi në javën Evropës, e një ditë para ditës së Evropës që është 9 maji”.