Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla nuk u kursye me akuzat ndaj opozitës nga foltorja e Kuvendit.
Ai tha se opozitarët ishin të vetmit që nuk u solidarizuan me tragjedinë e 26 nëntorit, ku humbën jetë 51 qytetarë nga tërmeti me magnitudë 6.9 ballë.
Balla u shpreh më tej se kryedemokrati Lulzim Basha po bën politikë me të vdekurit nga Covid-19, dhe shtoi se është “i vetmi shqiptar që u zgjua pas tërmetit me dy vila”.
“Kurrë më parë Shqipëria nuk ishte gjendur në një situatë të tillë. Do t’i mbajmë mend gjatë ato ditë, ku shqiptarët u bënë bashkë me njëri-tjetrin. Ishte një moment i veçantë solidariteti, edhe pse ndonjë hienë në krahun tjetër të politikës nuk e zgjati solidaritetin. Politikanë të pashpresë, njerëz të trembur deri në palcë nga efektet e reformës në drejtësi. Të gatshëm të përdorin një fatkeqësi natyrore si koronavirusi për të shpërndarë panik dhe ankth.
Përgjatë këtij një viti në Shqipëri është zhvilluar edhe një betejë me panikun që tentuan të përhapin kandrat e opozitës rrugore. Lulzim Basha, i vetmi shqiptar që u zgjua pas tërmetit me dy vila, flet me lot krokodili se gjoja qeveria i ka lënë në harresë. Lulzim Basha nuk paska as pikë turpi dhe as moral qoftë me tërmetin dhe pandeminë. Të bësh politikë me vdekjen, është një turp” – tha Balla.
Kryeministri Edi Rama, vijoi Balla, përmbyll sot në Dubai një nga marrëveshjet më të rëndësishme për rindërtimin, duke i mëshuar kështu punës së jashtëzakonshme që sipas tij ka bërë dhe po bën qeveria në menaxhimin e pasojave të tërmetit.
Etiketa: Lulzim Basha, Taulant Balla, Termeti me 26 nentor, Video