Aktualitet

Kujtimet e Sinanit/ Gjyqi me lidhjen dhe dëshmia e Dritëroit





               Publikuar në : 21:15 - 07/12/19 |
Hysen Sinani

Hysen Sinani


– Hysen, – e hapi seancën gjykatësi Urim Bejleri – mund ta kundërshtosh përfaqësimin e shokut Dalan Shapllo, sepse ai është sekretar partie në Lidhje.



– Jo, – thashë, – nuk kam asnjë kundërshtim.


– Atëherë, fillojmë – tha ai dhe u parashtroi atyre ankesën time për pushimin nga puna në datën … 1985.

– Çfarë keni për të thënë mbi thyerjen e disiplinës në punë nga paditësi Hysen Sinani, lindur në Tiranë me 7.2.1949 dhe banues po në Tiranë, në rrugën…?

Filloi të fliste Dritëroi.
Sipas tij, thyerjet e mia të disiplinës në punë, nuk kishin të numëruar, por ai do të përmendte vetëm disa:

– Kur pi ky, zoti gjykatës, i rreh të tërë. Nxehet papritur dhe qëllon këdo që ka pranë. Mua më janë ankuar me emër nja katër a pesë punonjës të aparatit tonë. Kështu, po them, Fisnik Sinën, që është redaktor edhe ai në gazetën “Drita”, e pa një ditë në kabinën e dezhurnit të Lidhjes dhe se si iu duk aty brenda dhe i tha: “Çfarë bën ti aty brenda?” Dhe, pa pritur përgjigje, e qëllon me grusht që nga sporteli i dezhurnit ku ai po lexonte gazetën. I thirra të dy në zyrë dhe Hysenit i dhashë vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna, kurse Fisnikun e hoqa nga gazeta dhe e dërgova te revista “Nëntori”, që të mos ishin më bashkë. Nuk kaluan shumë kohë, dhe një mëngjes më vjen në zyrë me syrin të nxirë Fatmir Mborja, një njeri i urtë që si bën keq as mizës.

Ky është si administrator i Lidhjes dhe organizon të gjitha aktivitetet tona. E kishte qëlluar kot papritur dhe e kishte hedhur në kanal. Ia përsërita vërejtjen me paralajmërim dhe i thashë se kjo ishte hera e fundit. U duk i penduar këtë herë dhe, në të vërtetë, ndenji ca kohë pa pirë. Ne thamë epo shyqyr. Edhe e dekoruam me Urdhërin “Naim Frashëri” dhe shoku Dalan i propozoi që të hynte në parti, por ky nuk deshi, sepse tha që pinte dhe bënte sherre… Vitin e kaluar, mbasi kishin pirë e kishin qeshur, qe zënë me Adem Istrefin, një poet i ardhur nga Kosova me halle të mëdha. E kishte sharë atë e nuk kishte lënë gjë pa i thënë, aq sa të nesërmen, i shkreti, erdhi në zyrë me lot ndër sy dhe m’u ankua. “Filloi prapë ky”, thashë me vete, por nuk e thirra në zyrë, e lashë të kalonte, se edhe mua më vinte zor t’i bëja vërejtje përditë. Kur para nja gjashtë muajsh, më vjen në zyrë një grua zonjë, siç i thonë, dhe e revoltuar sa s’kishte ku të vente për fyerjen që ky i kishte bërë, më thotë se nuk mund ta besonte që një njeri i tillë punonte në një institucion të kulturës sonë…

– Më falni, – e ndërpreu gjykatësi, – çfarë i kishte bërë kësaj “gruas zonjë”?

– Ky ishte ngjitur në autobusin e linjës së Porcelanit, sepse andej e ka shtëpinë. Siç ishin ngushtë në autobus, gruaja e gjorë e vë dorën në hekur për t’u mbajtur mbi dorën e tij, por ky me harbutëri i thotë: “Hiqe dorën nga dora ime! – Ku ta shpie, ia kthen gruaja. – Fute në pith!” – i thotë ky…

– Nuk thuhet me “th” por me “dh”, – ndërhyra unë, – është siç themi i “madh” dhe jo i “math”.

– Oh, ç’janë këto gjëra! – tha Dalani.

Sekretarja kishte ndaluar së shkruari duke vështruar gjykatësin.

– Çështje gjyhësore, – i tha ai. Pastaj pyeti kryetarin e Lidhjes. – Ankesën, e bëri me shkrim gruaja apo vetëm me gojë.

– Jo, vetëm me gojë, dhe emrin tha të mos ia përmendja, sepse i vinte turp.

– Po, e qartë. Dhe rasti kryesor, ai i fundit, që u bë shkak ta pushonit nga puna?

– Po. Ka ndodhur në shtypshkronjë. Ky ishte dezhurn i gazetës dhe kishte pirë tërë ditën. Në shtypshkronjë, gazetari dezhurn duhet të jetë i kthjellët, sepse mban përgjegjësi për çdo rresht a emër të botuar. Gazeta atë numër kishte dalë si mos më keq. Emri i Kryetarit të Lidhjes, domethënë emri im, ishte ngatërruar që në faqe të parë me atë të Llazar Siliqit, sekretarit për letërsinë… Por kjo nuk ishte gjë fare në krahasim me fyerjen që i kishte bërë korrektores letrare të gazetës “Drita”…

Dhe vazhdoi t’i shpjegonte gjykatësit se si kishte ardhur radhitësi i shtypshkronjës, ai që shtronte radhët me shkronjat prej plumbi, dhe më kishte pyetur mua se me çfarë ta mbushnim një gjysmë kolone të mbetur bosh, me ndonjë fotografi, duke hapur rreshtat apo me ndonjë shënim të shkurtër. Ndërsa unë isha tallur me atë duke i thënë kështu e ashtu… derisa gjykatësi e humbi durimin dhe e pyeti:

– Shoku, Dritëro, të gjitha këto që thoni, duhet t’i keni të vërtetuara me fakte, domethënë duhet të sillni gazetën ku është bërë ndryshimi i emrave, duhet të vijnë të gjitha ata me të cilët është zënë Hyseni që të dëshmojnë në Gjykatë. Kështu, mund të caktojmë datën e gjyqit dhe të bëjmë ftesat për dëshmitarët, për këta emra dhe për emra të tjerë që shoku Dalan mund t’i sjellë kur të dojë pranë sekretares.
Pastaj ai u kthye nga unë:

– Edhe ju, shoku Hysen, mund të paraqisni dëshmitarët tuaj për të mbrojtur veten nga akuzat që ju bëhen. Për procedurën gjyqësore mund të këshilloheni me juristin e Ndihmës Juridike për pak gjëra që do t’ju duhet të dini… Atëherë, ta lemë për datën 3 shtator… kur njerëzit janë kthyer edhe nga pushimet?
Askush nuk pati kundërshtim dhe të gjithë u ngritëm në këmbë.

Për mua, ajo datë qe e largët, megjithëse tani kisha filluar punë në Uzinën e Autotraktorave dhe librezën e punës e kisha marrë nga Hasan Petrela me motivacionin “Largohet me dëshirën e tij”. Kur e pyeta se përse e kishte shënuar ashtu, ma ktheu:

– Ik ore! Do të shënoj unë ty në librezë “pushohet nga puna”! Ik tani!

Formalisht, e gjithë kjo zhurmë, ishte si për të qeshur, por unë do ta shpija deri në fund, edhe ashtu, si për të qeshur, sepse më kishte përfshirë kureshtja e dëshmive të njerëzve ndaj meje. Vetë unë, nuk doja t’i thosha askujt që të vinte e të dëshmonte se sa burrë i mirë kisha qenë.


Etiketa: ,

Pas