Aktualitet

Ballafaqimi asimetrik














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 22/05/21 |
Kastriot Islami

George Orwell: Gabimi që bëni, dhe nuk e shihni, është në të menduarit se dikush mund të jetojë në një shoqëri të korruptuar pa u korruptuar vetë. …Kjo nuk është e mundur. Prandaj duhet ndryshuar sistemi, përndryshe nuk mund të ndryshoni asgjë. Askush nuk mund t’i rregullojë gjërat siç duhet duke luajtur vrimave dhe qosheve.






Ballafaqimi elektoral në Shqipëri prej disa vitesh është asimetrik. Kjo përballje asimetrike prej vitit 2009 ka krijuar një situatë që ka dëmtuar rëndë zgjedhjet e lira e të ndershme. Fatkeqësisht, nëse konkurrimi do të mbetet asimetrik, gjasat janë që kjo asimetri të thellohet dhe gjendja për rrjedhojë të përkeqësohet. Gradualisht, gjatë tri mandateve të fundit, asimetria e ballafaqimit është thelluar, duke u bërë ndërkohë më e qartë dhe më e dukshme.


Modeli i promovimit të së KEQES si Model Suksesi e ka themelin te kjo asimetri. Gradualisht po arrihet në absurdin, se Hajduti është FITUESI, pra edhe model suksesi. Kurse i Vjedhuri është HUMBËSI, pra edhe model dështimi. Duke e ngarkuar vetëm HUMBËSIN me të gjitha përgjegjësitë (përgjegjësi që duhen analizuar e përcaktuar qartë) në mënyrë implicite pranohet modeli i Hajdutit si model suksesi. Kjo ndryshe do të thoshte që i vjedhuri duhet të kthehet në hajdut, i miri në të keq, sepse vetëm kështu humbësi mund të kthehet në fitues. Kjo mundësi edhe sikur të realizohej (s’besoj se mund të ndodhë) do të rezultonte tragjike për qytetarët dhe vendin.







A i bën ballafaqimi asimetrik zgjedhjet ‘jo të lira dhe jo të ndershme’? Duket se gjatë 8 viteve të fundit, sa më asimetrik është bërë ballafaqimi, aq më pak të lira e të ndershme kanë rezultuar zgjedhjet, aq më të shumta, arrogante e kriminale, janë shfaqur marifetet antiligjore për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor. Aq më të dëshpëruar e të revoltuar kanë mbetur qytetarët. Nëse asimetria s’do të zbutet, eliminohet apo anihilohet, situata mund të degjenerojë, duke shkuar drejt anarkisë, ndoshta edhe deri në diktaturë të maskuar të një pakice…



Si mund të arrihet në rrethanat aktuale ballafaqimi simetrik? Kjo s’është e lehtë, por ky është një debat që duhet bërë.. Opsioni i parë do të ishte që Pala 1 ‘fituese’ të ‘detyrohet’ aq sa mundet të bëhet si Pala 2 ‘opozitare’ duke përcaktuar rregulla konsensualë konkurrimi; kjo mund të quhej ‘simetria pozitive’. Kurse opsioni tragjik do të ishte që Pala 2 të bëhet si Pala 1; në rastin e kësaj simetrie, që mund të cilësohet ‘negative’, gjendja do të bëhej katastrofike për vendin e qytetarët. Ka edhe një opsion tjetër të tretë, që Pala 2 më mbështetje masive qytetare ta ‘mundë’



Palën 1 qoftë edhe në ballafaqim asimetrik, kjo mund të cilësohej ‘përmbysje’ e modelit që promovon të Keqen si model suksesi…A janë të mundura këto opsione? Të gjithë opsionet janë të mundshme, por ato janë të ndryshme nga efikasiteti dhe pasojat. Një gjë duket e sigurt, se nëse vazhdohet në rrugën e thellimit të asimetrisë, pa menduar se ç’duhet bërë, me shumë gjasa, vendi do të destabilizohet dhe qytetarët ose do t’i nënshtrohen një regjimi autoritar të pakicës, ose do të emigrojnë; sepse një gjendje e tillë në demokraci nuk mund të zgjasë.

Ç’duhet bërë për të shmangur përkeqësimin e situatës? Gjithçka është e mundur, nga secili individ e të gjithë së bashku, për ta kthyer ballafaqimin mes palëve në ballafaqim simetrik, ose për ‘përmbysjen e modelit të së keqes’, përndryshe thellimi i kësaj asimetrie veçse do të përkeqësonte situatën për të gjithë. Duhet të angazhohet seriozisht çdo qytetar i ndershëm që të ndodhë opsioni i parë apo in extremis opsioni i tretë. Sepse opsion i parë dhe opsioni i tretë të çojnë drejt vendosjes së simetrisë ‘pozitive’, kurse opsioni i dytë i arritjes së simetrisë ‘negative’ do të ishte me pasoja tragjike për qytetarët.

Rruga më e lehtë për të vendosur simetrinë ‘pozitive’ do të ishte përmes angazhimit serioz të ‘partnerëve’ gjë që aktualisht duket ende se ka pak mundësi të ngjasë. Nëse ky angazhim do të vazhdojë të jetë minor, atëherë mbetet që pala 2 t’i drejtohet ‘popullit’, duke e ndërgjegjësuar atë se asimetria e ballafaqimit mes palëve ka dëmtuar rëndë ‘demokracinë’ apo ndryshe ‘qeverisjen e tij’ dhe po e çon vendin drejt katastrofës, duke kompromentuar të ardhmen e tyre dhe duke i detyruar qytetarët të emigrojnë.

Rruga e daljes nga ky qorrsokak, përmes veprimit masiv qytetar, kërkon lidership serioz e të fortë, që njeh mirë mentalitetin e qytetarëve dhe mbi këtë bazë i nxit ato për t’u angazhuar dhe vepruar masivisht, duke i ndërgjegjësuar se bëhet fjalë për një rrugë tepër e vështirë, të përballjes së të MIRËS me të KEQEN, për më tepër kur e KEQJA ndonëse përkohësisht është kthyer në ‘model suksesi’, duke krijuar edhe alibinë që ka mbështetjen e ‘partnerëve’. Në këto rrethana, kjo rrugë mbetet e vetmja mundësi për të shpëtuar demokracinë dhe të ardhmen. Përndryshe vendi do të zhytej në anarki, por mund të përfundojë edhe në një diktaturë oligarkike, të maskuar me lajle demokracie.

 

 

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas