Një ditë pasi u ndalua nga Policia e Kukësit, Ismail Morina, i njohur si Ballist Morina është dërguar në ambientet e paraburgimit të Durrësit.
“Efektivët e Komisariatit të Policisë Kukës ndaluan shtetasin Ismail Morinaj, 40 vjeç, banues në fshatin Shikaj, Kukës, i shpallur në kërkim për llogari të DVP Durrës”, njoftoi dje policia e Kukësit.
Sipas saj, Morina u ndalua, pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar, person në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.
“Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur revokimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për lirimin e tij me kusht dhe ka caktuar vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, 5 muaj e 12 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve””, thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Ballist Morina u bë i njohur pasi ngriti dronin me simbolet etnike në ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Në minutën e 41 të ndeshjes, Ballist Morina i fshehur në majë të stadiumit lëshoi dronin me flamurin shqiptar, duke bërë që lojtarët serbë të tensionohen.