Nisma për minishengin ballkanik ndryshoi vetëm emrin dje por jo qëllimin. Kryeministri Edi Rama firmosi me homologët e tij Vuçiç dhe Zaev marrëveshjen për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerzve mes tre vendeve. Por nismës nuk i është bashkuar Kosova, qeveria e së cilës e quan pa vizion për rajonin dhe në samit krahas Albin Kurtit nuk ishin as kryeministrat e Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës. Kreu i PD Basha shprehet se ajo çka ndodhi në Shkup sdo sjellë asgjë, dhe Serbia bën mirë që më parë të njohë Kosovën. Qendrimet e Ramës kanë ngjallur debat dhe janë kritikuar ne mediat e Kosovës dhe Shqipërise
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut synojnë të heqin kontrollet në kufijitë e tyre për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve nga tre vendet, duke filluar nga 1 janari, 2023, një nismë kjo që të enjten e ndryshoi zyrtarisht emrin në “Ballkani i hapur” nga referenca e njohur Mini-Shengeni Ballkanik. Nisma është kundërshtuar nga qeveria e Kosovës, por kjo nuk e ka penguar Edi Ramën kryeministrin e Shqipërisë të jetë krah homologëve të tij njërit maqedonas dhe tjetrit serb të firmosin në Shkup ditën e djeshme marrëveshjen e cila do të hyjë në fuqi në janarin e vitit 2023. Nismës duket se nuk i janë bashkuar as Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina, dhe në rast se këto tre shtete i qëndrojnë kësaj vije atëherë kjo ide mund të konsiderohet si utopike.
Shqetësimin për këtë e shprehu dhe Edi Rama kur tha se këto tre vende do kenë vetëm të mira në rast se i bashkohen marrëveshjes. Ai kujtoi rastin e tërmetit ishin forcat e Serbisë dhe Maqedonisë së veriut të parat që i erdhën në ndihmë Shqipërisë, megjithëse në fakt ishin forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Kosovës që erdhn në kohë rekord.
“Kur në Shqipëri ra tërmeti, ishin forcat e kërkim shpëtimit nga forcat e rajonit që mbërritën në Shqipëri, ishin dhe ato nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ajo çka kuptuam ne në atë moment tragjik. Më thoni, çfarë të keqe do të kishte për Kosovën, për Malin e Zi, për Bosnjën, që të bashkoheshin në këtë nismë, që hap rrugën, që forcat tona emergjence të ndërveprojnë së bashku, të kenë sistem të përbashkët alarmi dhe të gjenden aty për të ndihmuar. Apo për rastin kur për shkak të ndryshimeve klimatike, sipërfaqe të tëra pyjesh digjen. Ku është e keqja. Që helikopterët e vendeve tona, të gjenden aty të gjithë bashkë. Ky është shpirti i kësaj nisme, e s’dua të flas më shumë”, tha Rama.
Në fakt qëndrimet e Ramës janë kritikuar jo pak dje në mediet e Kosovës dhe Shqipërisë, lidhur me këtë çështje.
Qeveria e Kosovës
Por ideja e minishengenit ballkanik duket se nuk është pritur mirë nga qeveria e Kosovës. Zëdhënësja Rozafa Kelmendi në një dalje për mediat tha se nisma është pa vizion për rajonin, duke i bërë ftesë qeverive të ballkanit të fokusohen tek agjenda e BE-së “Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur “Mini-Schengen”, tashmë janë të njohura. Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne i ashtuquajturi “Mini Shengen” është nismë pa vizion për rajonin. Republika e Kosovës e ka propozuar avancimin e bashkëpunimeve rajonale nga CEFTA në SEFTA nga e cila do të përfitonin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Qeveria e Republikës së Kosovës u bën ftesë qeverive të rajonit që të mbetën të përkushtuara në agjendën e Bashkimit Evropian dhe në marrëdhënie trans-atlantike“, tha zëdhënësja Kelmendi.
Deklarata e Vuçiç
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në fjalën e tij u kujdes të tregohej dashamirës me kryeministrin e Shqipërisë kur e quajti “mikun e tij të dashur” “Më kujtohet takimi i parë me Edin në 2015, që ishte takim i dy armiqve që erdhën te njëri-tjetri, duke gjetur justifikime për ofendime dhe mos kërkuar bashkëpunim real. Sot s’duam t’ia dimë për këtë, por për të ardhmen e përbashkët, kaq. A mendoni se duhet t’i përgjigjem dikujt në rajon që s’është bashkuar, jo. Nëse duhet të bashkohen në rregull, nëse jo s’prish punë.
Njerëzit në kufijtë e hapur do të ndihen më të mirëpritur” do shprehej më tej Vuçiç. SIpas tij nga 1 janari i vitit 2023, mes vendeve firmëtare nuk do të ketë asnjë ndalesë për lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve “Nëse shkojmë në Novisad, Nish, Shkup e Durrës, mund të bëjmë diçka të madhe. Dje kemi zbatuar dhe një detyrë, ne do të përpiqemi dhe japim maksimumin tonë. Të ndërtojmë besimi ne ndërsjelltë, të kemi rezultat, nëse i bëjmë këto ne më 1 janar 2023 nuk do kemi kufij mes vendeve tona. Nga Beogradi do nisemi për në Tiranë dhe askush nuk do iu ndalë. Rrisim sigurinë e qytetarëve tanë. Kur futemi në një sistem të vetëm, do dimë se cilët janë kriminelët apo ata që merren me aktivitete ilegale”, tha Vuçiç ndër të tjera.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë dakordësuar për tre marrëveshje:
1. Marrëveshja për mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar.
2. Marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.
3. Marrëveshje për qarkullim e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.
Basha: Protagonizëm i stërparë, Serbia duhet të njohë Kosovën
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka reaguar për nismën “Open Balkan” të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që deri dje njihej si Mini-Shengeni ballkanik. Basha ka thënë se takimet mes tre liderëve të këtyre shteteve po bëhen aq shpesh sa nuk po dihet çfarë po prodhojnë. Lideri i opozitës në Shqipëri shtoi se kjo ka të bëjë më shumë me protagonizëm politik.
“Mendoj që këto takime po bëhen kaq shpesh, sa nuk po e kuptojmë se pse po bëhen dhe çfarë të reje po prodhojnë, përveçse protagonizmit të tepruar politik të atyre që janë në këto takime. Pozicioni i Partisë Demokratike është që lëvizja e lirë në rajonin tonë të funksionojë, duhet t’i japim fund hipokrizisë, duhet urgjentisht të punohet për eliminimin e kërcënimit të fundit për paqen dhe stabilitetin në rajon, që është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Të na kursejnë një film të parë e të stërparë, që nuk po prodhon gjë për qytetarët”, ka thënë Basha.
Nisma e vështirë për t’u realizuar, Kosova nuk jep mbështetje
Një studim i Institutit Demokraci për Zhvillim, tregon se një përqindje e vogël e qytetarëve në Kosovë e mbështesin projektin e ashtuquajtur Mini-Shengeni Ballkanit. Visar Xhambazi autor i këtij studimi thotë se sipas hulumtimit të kryer në muajin dhjetor të vitit të kaluar, qytetarët e anketuar kanë pak njohuri për nismën.
“Në përgjithësi 38 për qind e qytetarëve deklaruan se ishte një vendim i gabuar ndërsa në anën tjetër vetëm 17 për qind e qytetarëve deklaruan se ishte një vendim i mirë apo shumë i mirë për vendin. Mirëpo në anën tjetër kur i pyetëm qytetarët se sa kanë informacion për projektin e Mini-Shengenit Ballkanik numri i atyre që thanë se ishin jo të informuar mirë apo pak të informuar ishte 38 për qind ndërsa vetëm 18 për qind e qytetarëve deklaruan se kanë qenë të informuar”, tha ai.
Zoti Xhambazi thotë se Mini-Shengeni si nismë ka dështuar të marr mbështetjën politike dhe zotimin e të gjitha qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe si projekt shihet vështirë i realizueshëm. “Fakti që kjo iniciativë është lansuar në Novi Sad të Serbisë nën patronazhin e presidentit serb Vuçiç krijoi një problem për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor sidomos për këto vende sikurse Kosova që nuk kanë raporte të mira me qeverinë në Beograd”, tha ai.
Kosova është zotuar me marrëveshjen e katër shtatorit në Shtëpinë e Bardhë se do të behët pjesë e projektit për lëvizjen e lirë që është bërë i njohur si “mini-Shengeni Ballkanik”. Projekti i cili është kundërshtuar nga forcat politike në Kosovë, sipas analistes Donika Emini do të jetë vështirë i zbatueshëm.
“Në Kosovë ende ekziston një dilemë se a e ka përnjëmend Mini-Shengeni që të heq këto barriera për Kosovën sepse është iniciuar nga një shtet që më së shumti krijon barriera për Kosovën në aspektin rajonal edhe mosbesimi me (Edi) Ramën nëse i sheh marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri për punën e Mini-Shengeit kanë qenë shumë të tensionuara”, tha ajo.
Analistët thonë se ideja e dalë nga procesi i Berlinit për bashkëpunim rajonal për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave do të jetë më e zbatueshme për shkak të mbështetjes nga Bashkimi Evropian dhe mekanizmave për të jetësimin e një ideje të tillë. Ata thonë se një rol të rëndësishëm për zbatimin e këtyre nismave luan normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bisedimet për këtë çështje pritet të rinisin në mesin e muajit qershor kur pritet të mbahet takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi sot kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku në kuadër të këshillimeve për bashkërendimin e politikave përballë këtyre bisedimeve. Zoti Abdixhiku tha se i ka dorëzuar kryeministrit një dokument lidhur me bisedimet.
“Ky dokument përmban parime që Kosova duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e vendimit të GJND-së mbi pavarësinë e Kosovës, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues dhe gjithashtu rezultati final që duhet të jetë njohja dhe anëtarësimi në BE dhe NATO”, tha zoti Abdixhiku. Zoti Abdixhiku tha se këto bisedime nuk duhet të mbahen pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara. Një qëndrim të tillë shprehu një ditë më parë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.