Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nga foltorja e Kuvendit ka komentuar deklaratat e deputetëve të opozitës se në aksi Thumanë – Kashar do të ndërtohet një tra dhe se qytetarët do të të duhet të paguajnë 2.5 euro, për të kaluar në rrugë.
Balluku në përgjigjen e saj deklaroi se, taksimi i makinave në Shqipëri – në rrugët e reja që do të ndërtohen është i njëjtë, ashtu siç ndodh në çdo vend të Bashkimit Evropian.
Sipas saj, Qeveria shqiptare është zotuar dhe i ka vendosur si kusht kompanisë koncensionare që do të vjelë taksat në Thumanë-Kashar, se nuk mund të vendosë asnjë tra në rrugë, nëse nuk do të ketë rrugë dytësore, ku qytetarët të mund të zgjedhin.
“Taksimi në rrugë nuk është një gjë e re, ajo do të funksionojë njëlloj si në çdo vend tjetër të BE-së. Ju kujtoj se qeveria shqiptare është zotuar që asnjë rrugë nuk do të ketë tra, në rast se nuk do të ketë një rrugë alternative”, tha Balluku.
Ndërkohë disa ditë më parë Qeveria miratoi koncesionin për projektimin dhe ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar.
“Një projektvendim është ai që i hap miratimit të kontratës së koncesionit për ndërtimin, operatimin, mirëmbajtjen e aksit rrugor Thumanë-Kashar. Ka pasur debat publik për këtë çështje. Që në vitin 2019, kjo kontratë u anulua, për shkak se ajo hapësirë fiskale u vendos në dispozicion të paktit të universitetit. I jemi kthyer kësaj kontrate se shkojmë në parametra të rinj”.
Balluku theksoi se aksi do të investohet në parimin e koncesionit që do të investojë dhe operojë e transferojë pas 35 vitesh në pronësi të shtetit shqiptar
“Procesi është bërë përmes një negocimi dhe nuk duhet harruar se është ndër më të rëndësishmet të korridorit blu. Synojmë që të hapim lotet brenda vitit 2022, që t’i kemi të përfunduar në 36 muajt e ardhshëm”.