Reagimi masiv dhe solidariteti me familjen e mbetur të Myzerinit, kamarierit 20 vjeçar që humbi jetën në përplasjen tragjike me armë në Velipojë, është një nga ngjarjet më të mira pas gjithë këtyre dramave të njëpasnjëshme që sjell në jetë çdo ditë realiteti ynë.
E ëma dhe të tjerë familjarë të më të pafajshmit në këtë histori, nuk janë vetëm këto ditë, dhe kjo i redukton sado pak përmasat e plagës.
Po lehtësisht dallohet një përpjekje e jo pak vetëve për protagonizëm dhe për të bërë bujë, ose për të marrë vemendje.
Kjo është jo vetëm e papranueshme, po edhe sekëlldisëse.
Nisi me shumë dedikime të ndjera në rrjet, disa hartime të shkruara dobët edhe pse nga emra të famshëm, por dallohej aty një tendencë për të marrë share, për të marrë dromca lavdie.
Dhe më e papërballueshmja, vjen më pas me aktet e bamirësisë, të cilat, s’dihet pse, kërkohen të bëhen se s’bën ose në ekran, ose në rrjete sociale, pra aty ku ka shumë audiencë.
Kësaj i thonë të japësh për të marrë diçka në këmbim, dhe si akt pushon së qëni i ndjerë.
Ngjarja e rëndë duhej patjetër të sillte reagim. Protestë po e po. Vënie para përgjegjësive të çdo autoriteti që ka pasur në dorë të parandalojë. Revoltë për armët që janë sheshit. Mospajtim dhe ulërima për policinë që shërben qeverinë dhe interesat e saj elektorale, dhe e ka lënë qytetarin në fund të prioriteteve.
E gjitha kjo, duhej të ishte një lëvizje pas një reflektimi të thellë, ndoshta edhe të heshtur fillimisht.
Nxitimi për ta asociuar emrin me këtë ngjarje, është kuturisja perfide e çdokujt që e di se fiton kapital në një publik thellësisht të prekur në këto ditë, e këto orë.
Bamirësia dhe solidariteti duhen kryer natyrshëm, pa kushte.
Mund të bëhen pa zhurmë, dhe jo siç veproi fjala vjen një reper që për të kapur ballinat e portaleve, nxori në llogarinë e tij në rrjetin social, që ishte gati të mbulonte shpenzimet e varrimit.
Kjo është një reklamë e pamerituar.
Një nojmë që të nervozon, duke e vënë në dyshim sinqeritetin e kontributit dhe ndihmës, edhe pse e nisur me qëllim të mirë.
Asnjëra dorë nuk duhet ta dijë çfarë jep tjetra, thuhet në librin e shenjtë, dhe ka një urtësi të madhe në të.