Kryesore

Banaliteti i papërballueshëm i këtij korrupsioni














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:55 - 14/07/21 |
Mapo.al

Nuk janë vetëm përmasat dhe shtrirja kudo e korrupsionit, në çdo zyrë e tek secili dinjitar i rilindjes, një prej gjërave shqetësuese sot. Ajo çka ulëret është banaliteti me të cilën kryhen këto abuzime. Detajet e zbuluara nga dosjet e SPAK të lënë pa mendje. Tregojnë lakmi, babëzi, grykësi pa limit.






Të lëshuar kryengulthi për të rrëmbyer, plaçkitur çdo qindarkë të mundshme. Tek bashkia socialiste e Lushnjes, dalloje se si shefat atje kishin pjesë në secilën monedhë që menaxhohej prej tyre. Madje bënin edhe trafik influence duke dhënë me bujari naftën e fermerëve për njerëz të rëndësishëm në Tiranë.


Përjashtim çdo ofertuesi të arsyeshëm, dhe dhënie me çmim në kokë e shërbimit për të paracaktuarin. Sikur të jetë kopshti i pasëm dhe paratë e shtëpisë, me të cilat bën ç’të duash.







Edhe skema e tenderit të uniformave të policisë. Një banalitet i skajshëm. Penalizohen operatorët që kanë specialitet pikërisht këtë aktivitet, dhe i jepen 25 milionë euro një kompanie që merret me gërmim dherash. E në fund, veshjet janë të padurueshme në verë, të ftohta në dimër, dhe nuk lahen e nuk hekurosen mirë.



Po më e skajshmja në këtë mungesë elegance në abuzim, rezultoi kjo e ish-zv.ministres së brendshme. Përpos 1 mijë eurove, dhe një telefoni të ri, ajo paska kërkuar edhe një arkë peshk.



Një sasi e tillë peshku nuk është se ka ndonjë vlerë të madhe në treg. Çmimi i vërtetë është tek mentaliteti, tek ideja që rilindja ka, që mund të kërkojë ç’të dojë, ç’ti shkojë mendja, ç’ti thotë oreksi. Pra edhe ca merluc të egër, barbun, koce, kovaç, dhe aty-këtu ngatërruar edhe fruta deti.

Ky stil i marrjes së favoreve, mundësisht paraprakisht, para se puna të kryhet, flet për mentalitetin që udhëheq pushtetarët kudo se ata janë aty për të bërë prikë e pasuri, e jo për të shërbyer.

Komunikimi pa teklif, marrja e parave pa asnjë zor, dëshmon po ashtu për idenë e ngulitur që kanë në kokë, se ata janë qeveria, dhe s’kanë frikë as nga ligji, as nga drejtësia.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas