Mapo Letrare

Banka e Favoreve, tellallët kulturorë dhe bretkocat e “kënetës letrare”





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:03 - 16/05/20 |
Nga Mark Simoni

Bisedë me shkrimtarin e njohur Artan Gjyzel Hasani


Shkrimtari shqiptarokanadez Artan Gjyzel Hasani përfshin në krijimtarinë e tij 10 libra në poezi dhe 4 në prozë. Me një karrierë të gjatë si gazetar dhe publicist në mediat audiovizive dhe të shkruara shqiptare. Jeton prej 13 vjetësh ne Toronto. Poezi të ndryshme të tij janë përkthyer e botuar në anglisht, greqisht dhe së fundmi edhe në rumanisht. Po ashtu edhe romani i tij “Funeral” në gjuhën angleze është duke pritur dritën e botimit në Kanada.


Bashkëbisedoi Mark Simoni


A mendoni se letërsia shqipe pas ‘90, kur fitoi mundësinë e krijimtarisë alternative dhe eksperimentale, (pra duke ndjekur shkolla, tendenca, rryma të ndryshme), I shfrytëzoi mirë këto mundësi dhe solli vepra të veçanta dhe frymë të re?


Fillimisht Mark unë gjej rastin t’ju falenderoj për vëmendjen tuaj dhe t’ju përgëzoj për pasionin tuaj të pandalshëm letrar, jo vetëm si autor, por edhe si botues. Shumë vite më parë botuesi im i dikurshëm, Shkëlqim Saraçi, më sugjeroi emrin tuaj dhe më dha të lexoj një përmbledhje tuajën në prozë. Ishin shkrime të ndjera dhe plot art dhe u çudita që nuk e kisha ndeshur emrin tuaj në promovimet e përjavshme të mediave kulturore shqiptare. Por tani nuk çuditem më.

Po khehem tek pyetja juaj. Ka shumë sasi dhe fare pak cilesi. Mijëra autorë dhe farepak libra që do mbeten për lexuesin e nesërm. Mendoj se është abuzuar shumë me të shkruajturit eksperimental dhe si pasojë janë prodhuar libra me të cilët mund t’u mburresh miqve dhe farefisit, por jo të kënaqësh shijen artistike lexuesit të panjohur.

A mendoni se gjuha shqipen është e mjaftueshme për të sjellë në të vepra dinjitoze të popujve dhe gjuhëve të mëdha?

Mendoj se kjo varet nga kompleksiteti specifik i një gjuhe, se sa nga të qënurit gjuhë e “madhe” apo e “vogël”,  Gjuha shqipe sigurisht është e mjaftueshme për të sjellë për lexuesin shqiptar vepra dinjitoze të gjuhëve të mëdha dhe ne kemi plot shembuj të tillë ku kryevepra botërore i kanë sjellë lexuesit shqiptar të njëjtën thellësi ndjesish si origjinali. Unë mendoj se e kundërta është e vertetë: veprat e shkruara në një gjuhë të vogël humbasin vlerën artistike kur përkthehen në një gjuhë të madhe. Këtë përshtypjemë ka lënë Kadare i përkthyer në anglisht.

A mund të kemi një panoramë rreth letërsisë që zhvillohet tek ju, si një mundësi që lexuesi i MAPO-s të rrisë gjeografinë e njohjes për letërsitë e vendeve të tjera.

Besoj e keni fjalën për letërsinë kanadeze. Mendoj që në Amerikë të Veriut shkruhet prozë e mirë dhe poezi e dobët. Proza e tyre ka thellësi dhe mendim, kurse poezia e tyre është e mbushur me prozaizëm dhe narracion aspak artistik. Po flas në përgjithësi, se sigurisht këto vende kanë nxjerrë poetë të mëdhenj, gjithsesi të paktë në numër kur mendon që audienca anglishtfolëse është nga më të mëdhatë në botë. Personalisht poezia bashkëkohorë amerikane nuk më tërheq. Kurse prozën amerikane apo kanadeze e konsideroj tërheqëse.

Cilat janë sëmundjet apo defektet e letërsisë që iu bien në sy, duke filluar së pari nga ajo që njihni nga letërsia shqipe?

Mendoj se zhvillimet letrare në Shqipëri pasqyrojnë të gjithë tallavanë sociale shqiptare të këtyre 30 viteve të fundit.

Ka shumë dukuri të padenja në këtë mes dhe po përpiqem të sjell në vëmendjen tuaj disa prej tyre.

Botuesit synojnë ose bestsellers, libra kryesiht pa asnjë vlerë të spikatur letrare, por që plotësojnë shijen e masave lexuese popullore, ose autorë që paguajnë vetë për librat e tyre në marrevëshjen tipike që u shërben të dy palëve, por aspak letërsisë: botuesi fut në xhep paratë që i jep autori, kurse autori me një thes mbi shpinë mbushur me librat që ia ka printuar botuesi. Një marrëdhenie tejet primitive e librit si mall tregëtia me shumicë.

Këneta letrare dhe bretkocat – ky është termi me të cilin unë kam pagëzuar ato grupe të pafundëm shkronjësish të internetit dhe të botimeve që promovojnë nivelin mediokër të njëri tjetrit. Këta përbëjnë shumicën e zhurmshme. Njerëz me aftësinë dhe dëshirën për famë, më të madhe se talentin që u mungon.”Bretkocat e kënetës” letrare në mungesë të personalitetit artistik përdorin çdo mjet për të qenë të promovuara në gazeta online, në media të shkruar e visive, në panaire dhe grumbullime qokësish që ata i quajnë festival poetike. Eshtë bërë deti kos dhe fjala “poet” është bërë nga me të neveritshmet. Praktikisht unë nuk njoh asnnjë njeri që nuk është poet, shkrimtar ose këngëtar. Poezia është bërë sport masiv.

Por unë nuk mund të fajsoj “kënetën letrare shqiptare”, pasi ata janë në të drejtën e tyre të plotë për të shkruar dhe besuar se janë artistë dhe poetë e shkrimtarë. E theksoj: është e drejta e tyre dhe e çdokujt të kujtojë se po bën diçka me vlerë dhe se është dikushi. Njeriu bën çdo gjë që e bën të ndjehet mirë.

Problemi pra nuk fillon me “kënetën” por me promovuesit e kënetës. Aty fillon dëmi që i bëhet letërsisë dhe lexuesit. Gazetarët e kulturës janë pjesa thelbësore e kësaj të keqeje. Unë e drejtoj gishtin pikërisht te ata. Janë ata që formojnë klikat që e kanë zënë për fyti letërsinë shqipe.

Problemi shtohet me shumë kur inkurajohet dukuria e çmimeve, antologjive dhe panaireve. Nuk ka “bretkocë kënete” që të mos ketë marrë pjesë në një antologji, në një studio televizive, panair, festival, panel letrar etj. I sheh të shfaqen kudo me akses të plotë.

Njerëz që e mbajnë veten si kritikë letrarë, për shumë vite me rradhë kanë promovuar qindra poetë e shkrimtarë. Ku janë sot ata? Kanë qenë vertet ngjarje letrare? Se kështu është shprehur zotëria e tij dhe koleget e tij për secilën paçavure që kanë promovuar. Apo kanë marrë lekët fhr aq u bën. Pra letërsia e kënatës është fitimprurëse pë rata që e promovojnë, por është dëmi më i madh që i bëhet letërsisë.

Në Shqipëri ndodh në mënyrë skandaloze të gjithë “poetët” ka rastisur të jenë miq e shokë mes tyre, me juritë, gazetarët. Pra është krijuar ajo Banka e Favoreve që unë e kam përmendur në dhjetra intervista apo shkrime të mia në lidhje me këtë dukuri.

Na thuaj diçka rreth krijimtarisë suaj, projekteve artistike të së ardhmes, si dhe autorëve dhe librave preferencialë!

Unë vazhdoj të shkruaj në ritmikën time të zakonshme, çdo vit nga një vëllim të ri poetik. Gjithashtu po punoj mbi një roman të ri që shpresoj ta nxjerr në dritë nga fundi i vitit

Ju më pyesni për ndonjë autor shqiptar të preferuar. Me ndonjë përjashtim tepër të rrallë, e theksoj, tepër të rrallë, në shijet e mia letrare nuk bën pjesë asnjë autor i promovuar nga farsat e klikës letrare shqiptare, nga ata që përbëjnë establishmentin e zyrtarizuar letrat shqiptar. Ata pak autorë që pëlqej i kam gjetur larg “bujës dhe rrëmetit” të tellallëve kulturorë të mediave, çmimeve dhe jurive. Nuk janë aspak te famshëm dhe të njohur, por janë autorë që do t’i rrezistojnë kohës edhe në të ardhmen, sepse shkruajnë letërsi, prodhojnë letërsi dhe art.

Çfarë raporti leximi keni me letërsinë e sotme që botohet në shqip, dhe a keni një opinion tuajin përsonal rreth saj?

Falë facebook-ut na jepet mundësia të lexojmë pjesën dërmuese të atyre që janë shkrimtarë dhe të atyre që pretendojnë të jenë shkrimtarë. Unë kam filtrat e mi të vlersimit  dhe e kam shumë të kollajtë të mos humbas kohën dhe gjykimin mes asaj tollovie. Mjafton të lexosh dy tre poezi apo paragrafe të dikujt që të kuptosh se me çfarë niveli artistik ke të bësh. Qarkullojnë shumë plagjiatura apo përpjekje qesharake për të imituar stilin e një tjetri, por këto nuk kanë të bëjnë me letërsinë, por me karakterin e atyre që i ushtrojnë këto zeje të padenja.

Unë nuk besoj se në letrat bashkëkohore shqipe ka më shumë se dhjetë autorë, në prozë e poezi, krysisht periferikë dhe larg tallavasë dhe maskaradës promovuese, krijimtaria e të cilëve është vlerë që do t’i rrezistojë kohës. Sepse koha është vlerësuesi i vetëm dhe jo vaniteti i rëndomtë, etja për famë e shkronjësve dhe etja për para e promovuesve dhe botuesve të tyre, pa lënë mënjanë dukurinë tradicionale shqiptare të Qokës. Në Shqipëri Qoka është një monument kulture që mbrohet jo vetëm nga shteti, por edhe nga vetë populli.

E kam fjalën për autorë që kanë lënë gjurmën e tyre unike dhe të patjetërsueshme në mënyrën e të shkruajturit, pra për ata që shkruajnë për të bërë art dhe jo për sport apo modë.

Faleminderit

Faleminderit ju

 

SKEDA LETRARE E ARTAN GJYZEL HASANIT:

STRIPTIZE NE SHPERITIN TIM (poezi, 1996)

BUSHTRA (roman, 2001, ribotuar si HON ne 2012)

NJE SHQIPTAR NE OBORRIN E EL GREKOS (roman, 2002)

MISIONI PARANOIK (poezi, 2006)

EROTIKA (poezi, 2007)

STINA E PESTE ( dialog poetik me Aida Dizdarin, 2008)

MEKATARI (poezi, 2011)

REPUBLIKA E SEMAFOREVE (roman, 2013)

PRANDAJ (POEZI, 2014)

OVAL (poezi, 2016)

FUNERAL (roman, 2017)

ID (poezi, 2018)

RUTINA PERFEKTE (tregime, 2019)

AMNEZIA FATALE (poezi, 2019)

IMORALISTI (poezi, ne proces botues 2020)

 

 

 

 

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas