Banka Europiane e Investimeve ka deklaruar se do të shkurtojë financimet e reja në vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Në konferencën për shtyp të realizuar në Beograd, zëvendëspresidenti i Bankës Europiane të Investimeve, Dario Skanapieko, u shpreh se kreditë e reja për Ballkanin Perëndimor mund të ulen me 20 për qind, për t’u dhënë kohë vendeve të absorbojnë financimet e mëparshme, ende të papërdorura. Ai deklaroi se përmes kësaj strategjie banka synon të pastrojë të gjitha fondet e padisbursuara për projektet në Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Maqedoni. Për periudhën 2007-2011 Banka Europiane e Investimeve ka nënshkruar 4.2 miliardë euro kredi për projektet në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Por vonesat administrative kanë bërë që vetëm 2.43 miliardë prej tyre të disbursoheshin, duke lënë rreth 1.8 miliardë euro fonde të nënshkruara, por të papërdorura. “Ne duam të shohim një përputhje më të mirë mes kredive që nënshkruajmë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përdorimit të tyre, çka do ta bënte ndihmën më eficente,” deklaroi zëvendëspresidenti i BEI. Banka Europiane e Investimeve financon kryesisht projekte zhvillimi, që nga infrastruktura e deri te mbështetja direkte për biznesin. Vitin e kaluar, ajo disbursoi 859 milionë euro financime në rajon, ku pjesën dërrmuese, ose 67 për qind të tyre, e mori Serbia. Shqipëria është një nga vendet që përfiton më pak nga grantet dhe kreditë për projekte zhvillimi që jep Bashkimi Europian. Kjo për një sërë arsyesh, që lidhen me progresin e ngadaltë në procesin e integrimit, por edhe kapacitetet e ulëta absorbuese. Vetë qeveria shqiptare vitet e fundit ka preferuar më shumë ta orientojë huamarrjen drejt bankave islamike, për shkak të kushteve më të lehta që vendosin këto banka në disbursime. Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka financuar gjatë 2011-s 1 034 miliardë euro në projekte të ndryshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky investim është më i lartë se viti 2010 me 910 milionë euro. Sipas raportit të bankës, 49% e kredive ka shkuar për sektorin industrial, 28% në linja kredie për bizneset e vogla dhe të mesme, 10% për sektorin shëndetësor dhe arsimin, 7% për transportet, 5% për infrastrukturën urbane dhe 1% për shërbimet. Një nga përfitueset më të mëdha të këtyre financimeve, përveç Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë dhe Malit të zi, ka qenë edhe Shqipëria, ku Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka financuar 3,5% të shumës. 3,5 miliardë euro kredi, nga 61 miliardë në total të BEI, janë firmosur për vendet në kushtet e para anëtarësimit në BE. Sipas bankës së investimeve, gjatë fundit të viteve ’90 financimet në Ballkan ishin të fokusuara kryesisht në emergjencën e rikonstruktimit dhe riparimit të infrastrukturës, përfshirë këtu hekurudhat, portet dhe aeroportet, ndërkohë që në katër vitet e fundit aktiviteti financiar i BEI ka përfshirë sektorë të tjerë të rëndësishëm, si shëndetësia dhe arsimi. Që nga viti 1997 që ka nisur aktivitetin në rajonin e Ballkanit, BEI është aktualisht një nga financueset më të mëdha. Përkundrejt krizës financiare globale, kjo bankë ka rritur mbështetjen e saj për biznesin e vogël dhe të mesëm, të cilat i ka konsideruar si shtyllën e ekonomisë. Duke u angazhuar me përmirësimin e kushteve të jetës dhe standardeve ekonomike të popullsisë në Ballkanin Perëndimor, BEI garanton një të ardhme që këto vende të jenë jo vetëm pjesë e BE, por edhe të historisë europiane.