Deri tani 30 banesa janë shembur në lagjen “5 Maji” në Tiranë, për të krijuar sheshin e ndërtimit për pallatet të pastrehëve nga tërmeti.
Banorët e prekur nuk janë dakordësuar me kushtet e Bashkisë dhe kanë kuindërshtuar prishejen e banesave të tyre.
Këtë të enjte ata kanë protestuar para Kuvendit, ndërkohë që deputetët hynin në institucion për seancën plenare.
Prej muajsh, kërkesa e këtyre banorëve është transparenca sa i përket projektit, por mbi të gjitha e kontratave individuale që u ka ofruar Bashkia gjithsecilit për të firmosur shembjen e banesave të tyre të vjetra dhe më pas për të përfituar banesë në ambientet e reja në bllokun e banimit që do të ndërtohet në lagjen “5 Maji”.
Një prej tyre tregon detaje nga kontrata që u është kërkuar ta firmosin. “Në kontratën që na është dhënë nuk shkon asgjë. Kontrata nis: Unë i nënshkruari i dhuroj pronën time Bashkisë Tiranë. Një nga klauzolat që kontrata ka është që nuk mund ta hedhësh në gjyq. Këta thonë që i kemi sistemuar, por komshinjtë e mi po flenë jashtë. Sot na kanë bllokuar në rrugë, jemi në trotuar. Kur i dëgjon në televizor thonë që i kemi rregulluar, por nuk është kështu”, u shpreh një nga banorët.
“Ne jemi të stresuar, kemi humbur njerëzit e afër, kemi shpenzuar miliona për t’u mjekuar pa asnjë qindarkë nga shteti dhe sot po detyrohemi të lëmë shtëpitë tona dhe të dalim mes rrugës. Asnjë, as bashkia dhe asnjë institucion i këtij shteti nuk ka folur me banorët e lagjes sonë”, deklaroi një banore tjetër.
“Janë 430 banesa tek “5 Maji” që priten të shemben. 30 janë shembur dhe priten të shemben edhe 400. Këta nuk flasin se i ndajnë lekët bashkë. Ata deputetë që po kalojnë atje si skutha pa kthyer kokën pas, janë turpi. I bëjnë ligjet veç për vete për të marrë paratë. Për njerëzit e thjeshtë nuk pyesin. Këta njerëz nuk duhet të lejojë Policia të hyjë në parlament, jo neve”, tha një tjetër banor, njëkohësisht gazetar në mediat vivizve.