Prej tre ditësh, zonat e thella malore të Qarkut Dibër po përballen me një mot të acartë dhe dëborë mbi 70 cm. Banorët e Lurës dhe Kalasë së Dodës, janë izoluar totalisht, pa energji elektrike, ndërsa i bëjnë thirrje qeverisë për ndërhyrje urgjente pasi po iu mbaron baza ushqimore për blegtorinë.
Një prej tyre është Dali Gjorllaku, i cili thotë se trashësia e borës është mbi 1 metër, dhe mbijetesa po bëhet çdo ditë e më e vështirë. Daliu ndodhet i izoluar bashkë me 200 krerë bagëti, larg banesës, tek stalla. Ai shprehet për News24 se e ka të pamundur të sigurojë ushqim edhe për ta.
Brenda qarkut të Dibrës, rrugët janë bllokuar. Reshjet e dëborës kanë mbuluar vendin me mbi 40 centimetër. Aktualisht aksi rrugor Peshkopi-Tiranë kalohet me vështirësi në praninë e zinxhirëve. Ndërsa rruga më e vështirë që bllokohet herë pas here është nga Pishat e Bulqizës deri në Qafën e Buallit. Kjo, për shkak të ngricave dhe erërave të forta.