Banorët e Unazës së Re dhe ish-deputeti Klevis Balliu i kanë bërë thirrje Presidentit Ilir Meta dhe ambasadorëve të shohin situatën, pasi nëse policia ndërhyn për shembjen e banesave mund të ketë viktima.
Siç raportuam edhe më herët sot ka patur një prezencë të shtuar të policisë, ndërsa banorët kanë hedhur gurë në rrugë duke paralajmëruar se askush nuk i ndal në të drejtën e tyre për të mbrojtur shtëpitë.
Klevis Balliu u shpreh para protestuesve: “Ata (policët) do të vijnë sot duke numëruar ligjet që vetë nuk i respektojnë. Po bëhen gati me urdhër të Edi Ramës për të dhunuar qytetarët. Flisni sot sa nuk është vonë. Flisni të gjithë për të drejtën tuaj dhe të familjeve tuaja. Ne nuk ndalemi deri në rrëzimin e kësaj qeverie”.
Ndërsa njëri nga banorët tha se “i bëjmë thirrje Presidentit të shohë gjendjen tek Unaza e Re se këtu do ketë viktima. Këto plehra që flasin për drejtësi, këtu në Unazë u kapën duke vjedhur. Ne nuk i lëshojmë shtëpitë për t’ua dorëzuar hajdutëve. Ne i mbrojmë me gjak shtëpitë tona”.
Sakaq, Balliu duke marrë fjalën edhe njëherë u shpreh se “Edi Ramës i duhen viktima! I bëj thirrje aleatëve ndërkombëtarë ti telefonojnë Edi Ramës. Sepse ai do dhunojë këta qytetarë. Këta kanë protestuar për 9 muaj me radhë se s’ka pasur asnjë incident. Nëse policia vjen për ti provokuar, u ndalon atyre dy gjëra; të drejtën për të protestuar dhe të drejtën për pronën e tyre”.
Ndërsa protesta vazhdonte, ka reaguar edhe ish-Kryeministri Sali Berisha. Ai shkruan në facebook: “Stop dhunës policeske ndaj heronjve te Unazës së Re! Narkobandite me uniformë rrethojnë zonën tek Unaza e Re!”
MAPO.al publikon pamjet dhe prononcimet nga protesta në zonën e njohur si “Astir”, Unaza e Re