Dino Buzzati
Në një moment të caktuar specialisti i famshëm, brenda dhomës së të sëmurit, i bëri një shenjë të padukshme gruas së të gjorit dhe me një buzëqeshje të ëmbël u nis drejt daljes. Zonja e kuptoi. Si u gjendën në korridor, mjeku mori një pamje që i përshtatej rrethanave, thellësisht njerëzore dhe mirëkuptuese.
E pastroi zërin: – Zonjë, – tha, – është detyra ime e pashmangshme, për fat të keq, t’iu bëj të ditur…burri juaj…
– Është rëndë?
– Zonjë, – tha ai, – fatkeqësisht…situata është e tillë…duhet ta kuptoni që…
– Jo, mos ma thoni!…Ju nuk po nënkuptoni që…
– Aspak, zonjë…Nuk duhet, nuk duhet absolutisht t’i përshkallëzojmë gjërat…por le të themi…le të themi që…brenda tre muajsh…po, po, mund të themi edhe tre muaj..
– Pa shpëtim?
-Nuk ka kufij për dorën e Zotit, zonjë e nderuar. Por për aq sa mund të na thotë shkenca jonë e varfër… po jua përsëris…tre muaj më e shumta…tre muaj… Një dënesë e dhunshme e pushtoi të gjithën. U duk sikur u palos mbi vetveten. E fshehu fytyrën mes duarve. Dridhej e gjitha nga ofshama të forta:
– O Zot i madh, Xhulioja im i gjorë! Kur ja që mjeku ekspert që po qëndronte pranë shtratit të të sëmurit, me një gjest të vogël e ftoi gruan e të gjorit ta ndiqte jashtë. Dhe ajo e kuptoi. Pasi dolën nga dhoma, mjeku mbylli ngadalë derën. Pastaj iu drejtua gruas me zërin e lëmuar të rasteve të rëndësishme: – Zonjë, – i tha, – për një mjek këto janë detyra jashtëzakonisht të papëlqyeshme. Megjithatë duhet të jem i sinqertë…bashkëshorti juaj… – Është shumë keq?
– Zonjë, – tha tjetri duke e ulur akoma më tepër zërin, – e ndiej si një siklet të madh ta them…por është gjithashtu e domosdoshme që ju…
– Atëherë, më duket se duhet të kuptoj…
– Le të merremi vesh: do ishte absolutisht e pavend që t’i paraprinim ngjarjet…Na mbetet, supozoj, një farë kohe…ja…një vit…një vit të paktën…
– I pashërueshëm, atëherë?
– Nuk ka asgjë të pamundur, zonjë, ekzistojnë dhe mrekullitë. Por për aq sa më lejon shkenca të kuptoj…mund të them tamam një vit… E gjori pati një drithërimë, përkuli kokën, i mbuloi sytë me duar duke shpërthyer në një vajtim të dëshpëruar: Oh, i dashuri im i gjorë! Por ndodhi në një moment që sytë e klinikut të madh dhe vështrimi i gruas së të sëmurit u kryqëzuan. Dhe ajo e kuptoi që mjeku po e ftonte të dilte jashtë. Kështu u larguan dhe e lanë të dy të sëmurin vetëm. Jashtë, pasi mbyllën derën, profesori, me theks të rënde e njëherësh plot përfshirje emocionale, mërmëriti:
– Është e trishtë, më besoni, për një mjek të çojë në fund ca detyra si kjo, të padëshirueshme…Por ja që, zonjë, jam i detyruar t’iu bëj të ditur se…burri juaj…
– Gjendet në rrezik?
Terapeuti i ditur u përgjigj: – Mashtrimi në këto raste zonjë, do të ishte një veprim i gabuar…nuk mund t’ua fsheh që…
-Profesor, i nderuar, më flisni me zemër në dorë, m’i thoni të gjitha… – Këtu duhet të merremi vesh, zonjë…Larg qoftë të shesim lëkurën e ariut më përpara…Nuk është çështje ditësh…nuk mundem as unë të jem i saktë…por si minimum…akoma mund të jetojë edhe për tre vjet…
– Si kështu, pra nuk ka më ç’të shpresojmë?
– Do të ishte mendjelehtë nga ana ime t’iu ushqeja iluzione të kota..Fatkeqësisht situata është e qartë… brenda tre vitesh… Fatkeqja nuk arriti ta përmbante veten. Lëshoi një ankim të dhimbshëm dhe u shkri në lot duke klithur:
– Ah, im shoq…burri im i gjorë! Kur ja që në dhomën e të sëmurit ra heshtja. Dhe atëherë, gati me sinjal telepatik, guraja e ndjeu që mjeku i lavdishëm dëshironte të dilte nga dhoma bashkë me të. Dolën, në fakt. Si u siguruan që i sëmuri nuk mund t’i dëgjonte, patologu, duke u përkulur ndaj zonjës, i pëshpëriti në njërin vesh: – Për fat të keq, zonjë, ky është një moment shumë i dhimbshëm për mua. S’mund të bëj tjetër veçse t’iu paralajmëroj…burri juaj…
– Nuk ka më shpresë?
– Zonjë, – tha mjeku, -do ishte marrëzi dhe e pandershme nëse unë, përmes eufemizmave, të kërkoja që…
– E mjera unë… e të thuash që gati po besoja se…e gjora unë!
– Epo jo, zonjë, pikërisht ngaqë nuk dua të lë pas dore asgjë, nuk dëshiroj edhe që tani ju të planifikoni tragjedi të parakohshme. E shoh që po i afrohet fundi fatal…por jo më parë se…jo më parë se njëzet vjet…
– I mallkuar, pa mundësi faljeje?
– Në një farë mënyre po…Nuk mund t’ua shmang, zonjë, të vërtetën e hidhur…maksimumi njëzet vjet… me tepër se njëzet vjet nuk mund t’iu garantoj… Nuk u përmbajt dot. Për të mos u rrëzuar, u mbështet në faqen e murit, duke dënesur.
Dhe mërmëriste: – Jo, jo, nuk mund ta besoj, Xhulioja im i gjorë! U kollit atëherë me diplomaci doktori, duke e vështruar në një farë mënyre gruan e klientit që i rrinte përballë, përtej krevatit: dukej qartë si një ftesë për ta ndjekur jashtë dhomës.
Sapo u gjendën në korridor, zonja e kapi pas krahut orakullin e famshëm duke e pyetur me ankth: – Çfarë kemi? Kësaj, ai iu përgjigj me një zë si të gjykatësit qiellor: – Atëherë, është detyra ime të jem i sinqertë… Zonjë, burri juaj…
– Duhet të dorëzohem? Mjeku vijoi: – Iu jap fjalën e nderit që sapo të shfaqet ndonjë mundësi e vogël…megjithatë më duhet të them…
– Oh Zot i madh, është e tmerrshme… oh Zot! – Ju kuptoj, zonjë, e më besoni që marr pjesë në dhimbjen tuaj… Nga ana tjetër nuk bëhet fjalë për një formë të avancuar. Mendoj se që të kryhet deri në fund, parabolës së vdekjes do t’i duhen të paktën…të paktën pesëdhjetë vjet…
– Si? Nuk ka më shpëtim?
– Jo, zonjë, jo…e ua them me zemrën e ndrydhur nga dhimbja, më besoni…Ka një hapësirë, por jo më shumë se pesëdhjetë vjet… Ra një heshtje e shkurtër. Pastaj klithma që të këpuste shpirtin, sikur një thëngjill i ndezur t’i kishte depërtuar përbrenda: – Uhhhh! uhhhh!… Jo, jo dhe pikë!…Bashkëshorti im!
Thesari im i bekuar! Papritur e shkundi veten. Shikoi drejt në sy mjekun.
I shtrëngoi pulsin: – Profesor, më falni, por atëherë…më thatë diçka të tmerrshme. Pyes veten, pas pesëdhjetë vjetësh… them…gjysmë shekulli…pas pesëdhjetë vjetësh edhe unë…edhe juve…në fund të fundit, atëherë, është një ndëshkim për të gjithë, apo jo? – Pikërisht kështu, zonjë. Pas pesëdhjetë vjetësh të gjithë ne do të jemi nën tokë, të paktën ka të ngjarë të jetë kështu. Por ka një ndryshim, diferenca që na shpëton, ne të dyve, e nga ana tjetër e dënon burrin tuaj…për ne të dy, me aq sa dimë, asgjë nuk është vendosur ende…Ne mund të jetojmë akoma, në shkujdesje të bekuar ndoshta, si atëherë kur ishim 10 apo 12 vjeç. Ne mund të vdesim pas një ore, pas dhjetë ditësh, pas një muaji, nuk ka rëndësi, është tjetër gjë kjo. Për atë jo. Për atë, vendimi ekziston tashmë. Vdekja, në vetvete, nuk është tek e fundit një gjë dhe aq e tmerrshme, ndoshta. Të gjithë do ta pësojmë. Larg qoftë, megjithatë, nëse e marrim vesh, sikur edhe pas një shekulli, pas dy shekujsh, kohën ekzakte kur do të na vijë.
Perktheu Eris Rusi