Juventus është fituesi i përballjes së titanëve të raundit të dytë në Ligën e Kampionëve.
Torinezët mposhtën minimalisht 1-0 kampionët në fuqi të Çelsi, falë një goli të Kieza në fillimin e pjesës së dytë. Bardhezinjtë marrin kreun e grupit H me 6 pikë, ndjekur nga londinezët me 3 pikë.
Por befasia më e madhe erdhi nga Lisbona. Benfika mposhti pastër 3-0 Barcelonën, me spanjollët që nuk po gjejnë busullën këtë sezon.
Portugezët kaluan shumë shpejt në avantazh, me Nunez që në të 3-ën minutë. Silva dyfishoi në të 69-ën, teksa llogaritë i mbylli ai që i hapi, Nunez.
Në sfidën tjetër të grupit, Bajern Mynih bëri goleadë ndaj Dinamo Kiev, 5-0 dhe merr kreun i vetëm me 6 pikë, ndjekur nga Benfika me 3, Kiev me 1 dhe Barcelona me 0 pikë pas dy ndeshjeve.
Ronaldo arriti të lë gjurmë në sfidën numër 178 në Champions, me portugezin që i dha fitoren Mançester Junajtid në frymën e fundit, 2-1 përballë Vijareal. Fitore identike 2-1 regjistroi Salzburg kundër Lille.
Në barazim 1-1 u mbyll dueli i grupit G mes Volfsburg e Sevija.