Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është ndalur sot me rastin e 7 Marsit në premtimet e pambajtura të kryeministrit Edi Rama përsa i përket arsimit.
Në një postim në “Facebook”, Bardhi shkruan se mashtrimeve të Ramës u ka dalë boja, dhe se në 8 vite ai degradoi arsimin dhe nëpërkëmbi mësuesit, teksa 200 mijë nxënës i largoi nga bankat e auditoret.
Bardhi sjell gjithashtu sekuenca filmike, që sipas tij dëshmojnë fjalët boshe të Ramës. “Njerëzit nuk kanë për të harruar 8 vjet shkelje me këmbë. As mësuesit dhe nxënësit nuk kanë për të harruar. Më 25 prill #ShqipëriaFiton”, – shkruan sekretari i PD-së.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit në “Facebook”:
Mashtrimeve të Edi Ramës u ka dalë boja. Imazhet e videos do ta ndjekin deri në 25 prill për të kujtuar se ai është përgjegjësi kryesor për dështimin. Në 8 vjet, ai degradoi arsimin dhe nëpërkëmbi mësuesit. Propaganda e tij nuk e mbulon dot dështimin 8 vjeçar.
U tall me mësuesit, nuk u rriti pagat siç premtoi, i kërcënoi me vendin e punës dhe bukën e gojës së fëmijëve. Shumë prej tyre i hodhi në rrugë, ndërsa gati 200 mijë nxënës i largoi nga sistemi arsimor shqiptar. Praktikisht, Edi Rama ka bërë krim me arsimin dhe për këtë do ta paguajë faturën në 25 Prill!
Njerëzit nuk kanë për të harruar 8 vjet shkelje me këmbë. As mësuesit dhe nxënësit nuk kanë për të harruar. Më 25 Prill #ShqipëriaFITON.