Aktualitet

Bardhyl Londo rrëfen për MAPO-n, dy muajt në shtrat me vdekjen





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:26 - 18/06/19 |
mapo.al

Shkrimtari dhe poeti tregon përballjen me sëmundjen e vështirë, netët e gjata në spital ku “takoi” vdekjen dhe zbulimin e madh të jetës, të një humanizmi të rrallë tek njerëzit që e rrethojnë, tek shoqëria, por dhe tek miqtë virtualë në Facebook


Nga Blerina Gjoka


Kur vdekja na avitet të gjithë bëhemi nga pak filozofë për jetën. Po kur ndodh që ajo i zë rrugën një poeti, e gjitha kthehet në vargje. Shkrimtarin Bardhyl Londo e gjejmë tek Mulliri i Vjetër, pranë Pazarit të ri, aty ku këto ditë po takon shumë miq. Vetëm para dy muajsh ai u përball krejt papritur me një sëmundje të rëndë dhe kaloi me sukses një operacion të vështirë për t’u rikthyer mes të gjallëve, sic thotë ai, si një “krisht” që i ka shpëtuar fatit të paracaktuar.


Kur doli nga spitali, pak ditë më parë, dhe u kthye në tryezën e punës, të letrave e shkrimeve, Londo, e bëri këtë me një shpallje në Facebook, një rrjet social që e ka inkurajuar dhe mbajtur në ditë të vështira, ku ka gjetur solidaritetin e pafund e pamatë.


Një ditë të premte erdhi trokitja e sëmundjes. Vetëm pak ditë kohë kishte për t’i vënë një emër asaj që po i ndodhte dhe të mërkurën e javës tjetër, e pa veten në shtratin e një spitali, në atë shtrat ku do të kalonte orë të gjata bisedimesh me vdekjen deri në të gdhirë. Dhe çdo ditë u kthye nga ai udhëtim i çuditshëm për të parë edhe një herë rrezen e dritës.

“Në një farë mënyre unë jetova bashkë me vdekjen për një periudhë. Kam fjetur në një shtrat me vdekjen. Nuk dihej kush do të fitonte, ajo apo do të fitoja unë. Një përvojë që është vështirë ta tregosh me fjalë. Por është një përvojë që të mëson shumë gjëra, si duhet të jetosh, të luftosh, e si të sillesh. Sikur ke rënë në një planet tjetër dhe shikon gjëra që as i ke menduar kurrë e as i ke provuar kurrë, as në imagjinatën tënde nuk janë shfaqur ndonjëherë.

Ishte një orë, sidomos kur vinte mëngjesi, nga ora 3-4 e natës, ku nuk kuptoja ku isha, isha krejt tjetër njeri, në një botë krej tjetër, ku bisedoja me njerëz që nuk ekzistonin fare, që si kisha parë kurrë. Kjo periudhë vazhdonte 2-3 orë dhe pastaj kthehesha në jetën reale e kuptoja se isha në dhomën e spitalin, kuptoja që ai krevati që më parë më dukej sikur çfarë ishte, në fakt ishte krevati ku isha shtrirë unë, ajo dhoma që merrte përmasa tëçuditshme, ishte dhoma e vogël e spitalit”- rrëfen Londo.

Para disa ditësh ai shkroi poezinë “Kryqi” si një aludim për fatin e tij që e desh të lindte në një datë me Krishtin.

Cigaren që e ka pirë më parë, tani e mban vetëm në buzë pa e ndezur, vetëm si kujtesë të një mëkati që s’duhet ta kryejë më.

Sapo e ka marrë veten nga sëmundja ka nxituar të jetojë ditët e tij, kafetë me miqtë, të lexojë e shkruajë poezi, të rrijë afër njerëzve të dashur. Çdo minutë tashmë ka marrë tjetër kuptim pas këtyre javëve që nga operacioni që zgjati më shumë se 3 orë dhe i ka lënë në trup një vragë që nis në kraharor e përfundon në fund të barkut.

“Sëmundja vjen pa kuptuar, por nuk ikën aq kollaj. Organizmi përshtatet me të dhe i duhet kohë që të rimarrë veten. Ishte një operim i vështirë, masat tumorale ishin në një zonë tepër delikate për ndërhyrje në zorrën e trashë, dhe doktori Edmond Çeliku së bashku me stafin e tij kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”.

Përballjen me sëmundjen Londo tentoi ta mbante për vete, por zbuloi se nuk mund të ishte vetëm në këtë rrugëtim. Së pari familja, vajzat e tij që i qendruan netëve pa gjumë në spital të koka e krevatit, e më pas miqtë e tij, e deri tek befasia, zbulimi i një solidariteti njerëzor në Facebook. Kjo për London ishte një eksperiencë tjetër e jashtëzakonshme, po aq sa lufta me vdekjen.

“Kjo është përvojë që të bën të afrohesh shumë me njerëzit, sepse unë provova marrdhëniet me ta, që ishin shumë prekëse. Nuk po flas vetëm për të afërmit e mi që nuk mu ndanë në asnjë sekondë. Madje unë nuk doja të shkoja fare në operim, thosha ta shtyj sa ta shtyj kështu, por ata këmbëngulën. Për dy vajzat e mia, e vogla erdhi nga Gjermania, la punën atje e erdhi dhe më qendruan pranë. Në spital nuk kisha asnjë cast të lirë, sa u bë problem. Vinin gjithë shokët që e morën vesh. Pastaj më erdhën në shtëpi, ku e lamë derën hapur. Pastaj në Facebook, kuptova një gjë të çuditshme, solidarizimin e njerëzve. Njerëz që nuk i njihja, nga të gjitha trevat shqiptare, që më jepnin kurajo, madje arritën deri atje sa më ofronin ndihmë për gjetjen e ilaçeve. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme kjo për mua, kuptova që nuk ka humbur humanizmi”.

Ky humanizëm që ai gjeti ndër shqiptarë duket se i mungon krejtësisht politikës, sipas tij. Ish-deputet i PD-së, shkrimtari Londo dhe pse në betejën e tij personale për jetën, sërish i ndjek zhvillimet politike në vend. Sipas tij situata aktuale mund të krahasohet vetëm me atë të vitit 1913 në Shqipëri.

“Më duket sikur jemi kthyer në vitin 1913 ku s’po merret vesh çfarë po bëhet. Kjo është një nga momentet më të vështira që po kalon Shqipëria pluraliste. E kanë ndarë Shqipërinë në dy pjesë. Këto zgjedhje nuk mund të jenë zgjedhje, kur gjysma e popullit nuk i do. Ky parlament që është tani është një turp, duhet të shpërndahet”, komenton ai.

Vdekja që iu avit aq pranë, ashtu e pakuptimtë sikur vinte nga një botë e errët në orët e fundit të natës në të gdhirë dita, i ka dhënë poetit një frymëzim të ri për të shkruar. Pas dy vitesh nga romani i fundit “Nata e verbër” ai pritet të na sjellë një libër për jetën, vdekjen e dashurinë, të cilat u përballën në muret e bardha të spitalit.

Bardhyl Londo me mikun e tij, Ilir Kadia. Foto e postuar në fb nga gazetari


Etiketa: , , , , ,

Pas