Bari anglez

Triptiku i çuditshëm (1)

Nga Erion Kristo



Arsyeja kryesore e shkrimit të triptikëve është që të sqarojmë një sërë paragjykimesh apo idesh që qarkullojnë mes nesh në mënyrë gojore. Këto ide nuk janë shumë të dobishme dhe kur qarkullojnë në masë dhe njerëzit i përdorin shpesh, krijohen mendësi të caktuara. Pikërisht me këto lloj mendësish të pabaza do të merremi dhe jemi marrë nëpër triptikët tanë, me shpresën se në zjarrin e jetës sonë nuk kemi hedhur pagure me benzinë, por ujë të freskët burimi, për të fikur zjarret e panevojshëm.

Sot do të flasim për Barin Anglez. Besoj që shumë ndër ne e kanë të qartë se për çfarë bëhet fjalë. Klima e Anglisë, tejet e lagësht, lejon një vegjetacion interesant. Dhe kujdesi anglez, bën që bari të duket tejet i bukur. Gjë që bie në kundërti të plotë me barin tonë të harlisur kot më kot, dhe nuk po flasim për atë barin dymetrosh që të nderon kur nuk të fut në burg. Flasim për barin e thjeshtë, atë që hanë lopët. Dhe oborret e shtëpive angleze ngjajnë kaq bukur sa të lindin dëshirën e të jetuarit aty.

Dhe sa herë që flasim për rrokullisjen tonë sociale, sa herë që ngremë probleme apo shohim përtej hundës, gjithmonë turma e njerëzve “me këmbë në tokë” do të na kujtojë se barit anglez i janë dashur 500 vite për të arritur aty ku është tani. Kjo do të thotë se ne duhet të shfaqim durim sa herë që ndodhin gjëma në vendin tonë, sepse këto kanë ndodhur dhe në botë në një kohë të shkuar, por bota ka ecur përpara. Kështu që ne duhet të presim aq kohë sa gjërat të sheshohen, me një fjalë deri sa të sheshohemi dhe ne vetë. Janë procese të pashmangshme, na thonë mentarët dhe dhiarët që shtiren si mentarë. Duhen vuajtur, se kështu e ka kjo punë.

Të gjithë këtyre njerëzve me kaq thellësi mendimi u themi: Po sikur të përdorim barin kanadez, gjithmonë i gjelbër dhe me të njëjtën lartësi, e që mbin brenda vitit? Pra, ne mund të përdorim përvojën e të tjerëve për të përparuar, pra të marrim më të mirën e mundshme nga të tjerët, dhe gati, pa u lodhur, sepse bota është vetëkorrigjuar gjatë procesit. A ka gjëra të mira në botë që mund të merren gati dhe pa u lodhur? Po. Le të marrim për shembull sistemin arsimor dhe ndihmën sociale finlandeze, le të marrim kujdesin për botën virtuale baltike, le të marrim kujdesin për bizneset e vogla e të mesme irlandeze, le të marrim përkushtimin japonez, le të marrim saktësinë zvicerane, e plot e plot virtyte e sisteme të sprovuara në kohë e rezultat. Po ne nuk e bëjmë një gjë të tillë. Madje, ne humbin edhe ato pak zakone të mira që kemi pas pasur.

Të gjithë ithtarëve të barit anglez po u themi se ne kemi humbur shumë kohë dhe nuk kemi çfarë të presim. Të gjithë atyre që na thotë se gjërat do rregullohen vetiu, u përgjigjemi se nëse nuk ndodh procesi i madh i edukimit do të ndodhë procesi i madh i çedukimit. Ky proces i fundit ka ndodhur me fuqi të madhe. Një popull i shpërbërë si ky yni, pa busull, pa vizion, pa lumturi, nuk mund të lihet në mëshirë të fatit, as në mëshirë të politikanëve. Nëse do rrimë të presim, do presim deri sa të vdesim, dhe gjë në dritë nuk do qesim. Nëse nuk ngremë vlera, procesi i kundërt i krijimit të antivlerave vijon me forcë të madhe. Mjafton të shikoni qoftë dhe një krim të kryer nga shqiptarët jashtë atdheut. Do shihni se gjithçka që ndodh është tejet e thekshme. Ne nuk bëjmë krime të zakonshme, por krime të jashtëzakonshme. Aq keq sillemi nëpër botë, sa ne zhbëjmë atë emër të mirë që shqiptarë të jashtëzakonshëm mezi e ngrenë. Shpeshherë nuk merremi seriozisht, sepse disa nga ne nuk e kanë seriozisht, ose janë seriozë vetëm në antiproces, në zhbërje.

Le të marrim për shembull një detaj: institucioni i kafenesë. Është një institucion i frikshëm. Për përmasat e këtij institucioni kanë shkruar mentarët tanë, qysh në vitet ’30. Lexoni shkrimet e pararendësve, por dhe tonat në vitet e tranzicionit demokratik. Nga penat tona kullon gjak e dhembje. Kafenetë mbushur plot (edhe në kohën kur punohej ishte kënga: Kafe Flora mbushur plot). Por nuk do të ndalemi gjatë këtu, se kjo meriton një ligjëratë më vete.

Mjafton të shohim edukimin e fëmijëve me zor, kur i marrin që të vegjël në lokale. Mirë që vetë jemi të degraduar, po përse dhunojmë fëmijët? Fëmijë të të gjitha moshave i gjen nëpër të gjithë lokalet. Vendi i një fëmije nuk është një tryezë lokali, aq më tepër aty ku pihet dhe duhan, sidomos në verë. Fëmijët bëhen nervozë aty, ata duan të luajnë, të kenë hapësira, por ndëshkohen me celularë në duar të rrinë në kafene që prindërit e tyre të bëjnë muhabetet dhe të ndjekin zakonet e tyre të trasha.

Ata i mësojnë fëmijët që vendi më i rëndësishëm i jetës qenka lokali. Fëmijët e mësojnë këtë përmes procesit të inkulturimit. Një proces të nxëni që bëhet pa dhunë e pa disiplinë. Përmes frymës, e thithin. Atyre do u duket lokali gjithmonë i natyrshëm. Si ata fëmijët që mësojnë duhanin qysh herët. Ndoshta nga babai duhanxhi.

Pra, në vend që të edukojmë fëmijët, i çedukojmë ata, i dëmtojmë psikikisht, i ulim në rëndomtësi. Ne nuk u mësojmë atyre vlerën e institucioneve, por u tregojmë se ku është institucioni i institucioneve, kulmi i kulmeve, vendi ku të gjithë përulen, tempulli ku të gjithë falen, nga më i madhi te më i vogli.

Dhe hajde pastaj e mos beso tek armiqtë që na thonë se nuk dimë të bëjmë shtet. Në vend që të mërzitemi me armiqtë tanë, ne duhet të vetanalizohemi, të vetëkontrollohemi dhe të vetëndryshojmë. Në vend që të acarohemi kur na shajnë, ne duhet të kuptojmë trajektoret tona, ecurinë tonë, frytshmërinë tonë. Madje, përkundrazi, duhet të falënderojmë armiqtë tanë të përndezur që na detyrojnë të bëhemi më të mirë. Nuk ka nevojë këtu të kujtojmë filozofët e politikës që pothuaj njëzëri përmendin faktin se një armik i jashtëm ndihmon në rritjen e kohezionit të brendshëm. Po ne nuk na mungon e para, por e dyta.

Kohezioni është diçka që ne nuk e njohim. Ne jemi aty me qindra e mijëra për gjëra pa vlerë (madje 150 mijë like për një foto të thjeshtë në Instagram, një foto aspak frymëzuese, edhe po të ishte vetëm sensuale). Po ne mungojmë aty kur na kërkohet të reagojmë si një trup i vetëm. Pothuaj të vjen mall për një kohë kur “ishim të lidhur si fishekë gjerdani”. Madje dhe ajo kohë ishte qesharake, se ishim të lidhur nga ideologjia, jo nga nevoja për të qenë të lidhur, gjë që mund ta bënim sot, por nuk e bëjmë dot.

Ndaj duhet ndryshuar koncepti që kemi për barin anglez. Ne nuk mund ta lëmë veten “të na mbijë bari”. Ne duhet të jemi të shpejtë, të saktë e të prerë. Ne duhet të riorganizojmë në radhë të parë energjinë. Është marrëzi të besosh se Shqipëria ka nevojë për një politikë të re dhe për politikanë të rinj. Shqipëria në fakt ka nevojë për një mendësi të re. Ky nuk është vetëm konkluzioni im, por dhe i shumë pararendësve që ne i nderojmë. Dhe marrëdhënia me kohën është një marrëdhënie përcaktuese për një komb. Ne duhet të nxitojmë. Nëse po jetojmë kështu: nga njëra tragjedi në tjetrën, nuk kemi për të pasur ndonjë ndryshim thelbësor. Nëse nuk më besoni për këtë fjali, po ju përmend vetëm disa nga ngjarjet e fundit: një prind përdhunonte të bijën dhe shteti nuk e ndihmoi viktimën; një mësues përdhunonte një vajzë, qysh 11 vjeç; një kalimtar vritet për shkak se bandat luftojnë me njëra-tjetrën për një shikim; një vajzë mbytet në Kanion; një vajzë politikane vdes në aksident rrugor etj. etj. Dhe këtu nuk kemi sjellë si fakt që 37 shqiptarë kanë vdekur brenda një viti në Greqi, fakt që nuk çudit askënd. Dhe nga tragjeditë nuk iket thjesht duke mbyllur sytë, apo duke i devijuar te diçka tjetër. Nga tragjeditë iket duke ndryshuar qasjen ndaj jetës.

Dhe për ta mbyllur me Barin Anglez, ne parapëlqejmë Barin Kanadez. Ne nuk pëlqejmë të themi asnjë nga idetë që qarkullojnë në mendjet tona, pa ia nënshtruar atë më parë një gjykimi të thelluar. Por le të tregojmë durim, se triptikët nuk mbarojnë.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252