Nga Lumturi Ymeri Bersava
Etyd vjeshte
Në një ditë
si kjo, e hirtë
me mjegull pezull
dhe sytë
dhe fryma
në çark të dimrit
ngrirë…
Një degë mbetur
pothuaj zhveshur
e thatë, si harpë
Më zbret në duar
pret që të luaj
krejt e mbërdhirë…
Një lot mbi Do
një gjeth tek La
dridhen në Fa
bien nën Re
pastaj përdhe
në ujra, shkrirë…
Etyd fundvjeshte
loti e gjethja
për lamtumirë…
Heshtje blu
Heshtja me aroma
të kaltra e të gjelbërta
si valët e liqenit
e shushurima e plepave,
bën joga
nëpër kthina shpirti
trazon hirin e viteve
skutave të fshehtësive
gacës ku ka mbetur
pakëz dritë e mekur…
Ashtu si perëndimi
shkrin diell sipërfaqes ujore
luhatet puhizës valore
e dalëngadalë
thyhet, përthithet thellësive
atje ku nisin vajin Sirenat
të ringjallin legjendat…
Heshtja përpëlitet qerpikëve,
magjepsës në përkundjen e ëndrrave
edhe të lotëve
mburoja të smeraldëve
më të thellë se blu
moteve, po aty…
Një jetë e zbraza heshtjen
e s’ia nxora dot fundin
kaq mbushur me ty…
Vizatim
Sa herë
njëri-tjetrit i kthejmë shpinën
zë e vizatoj.
Në fillim hijen e ikjes
pastaj të dashurën tënde
të bukur, prej ëndrre…
Pas ikjes
vizatoj dhe të dashurin tim
të kaltër, prej qielli.
Nuk di ç’dreq më derdh bojrat
në ujra, pllanga-pllanga
më prishet portreti…
Cifla
*
Denduri e klorofilës
rëndon thellë hijesh
Bukuri tronditëse …
*
Barkat me aromë gështenjash
ngecur në sqetulla gjiresh
presin motin e ri…
*
Lugjeve të gjelbër
përjetësia e kohës
derdh këngët e Mujit…
*
Stërkalat e Valbonës
verbojnë gurët shekullorë
t’mos ia shohin ikjen…
*
Në gjokset e maleve
nën këmishë mjegullash
Zanat mëkatojnë…
*
Eshtrat e lumit
të bardha si dëbora
pa varr ujrash…
*
Kalldrëmit të toraksit
kuajt trokasin
Ciflat bien syve…
*
Këputet në shpinë mendimi
Dremitja merr rrëshqanë qerpikët
uzurpojnë ëndrrat…
Valbonë 2017
Pemët e jetës
Qëmtoj durimin syth më syth
në shklesë të dhembjes
degës së frymës,
rrëzuar në brinjë të brengës…
Mos më trand, filizë e jetës!
Më dridhen mollëzat gjeth më gjeth
Loti këputet në gjunjë
e thyhet në plasë të buzës,
thërrmohet në brazdë të zemrës…
Mos m’u thaj, kurorë e jetës!
Ankthi m’i ngul sytë në nyjë
Më shënjon gungë në ballë
tetëmbëdhjetë heshta
ndjej në asht…
Pemë e jetës, mos m’u shemb!
Ajo
S’di pse dita
vuri nën hapat e mia
atë rruginë
ku bari s’kish mundur të mbijë…
Dhe shfaqet
përballë meje, ajo
një shapkë mbante mbi kokë
Me dorën tjetër gërricte kofshën
tërhiqte bizhamen
zvarritur përtokë…
Mes nesh
ajriu ngriu
Ngjethjet në lëkurë
mbinë mishit kokrra
Ankthe të akullta
më goditën në kocka…
Ndërsa ajo
asnjë çudi vari në qerpikë
Ngecur në ta
dy pellgje të mjegullt
të përhimtë
S’ia gjej vështrimin askund
vetëdijen, gjëkund…
Nën plaçentën e tejdukshme
kërcëlliten ganxha të egërta
përtej bote
atje
tek një qoshe muri, në cak
mbetur ca flokë
stërpikur me gjak…
Ajo
ah, rritur bashkë
Thua
më njohu ndopak…?!
Pranverë në rebus
Pranë kopshtit të Marsit
ti me sy ndez zjarre lulnaje
me ngjyra prore,
të përkora
përflakur në retina
lule-pjeshka,
lule-molla…
Afrohu më afër
të ndjesh afshin fërgëllues të gufimit
buisjes së sythit, shpërthimit
pa klithma,
të ndjera,
të fshehta
petalet si virgjëresha
përndezur dridhshëm frymimit
përveshur buzët mrekullimit
maisur vrullshëm dritës, vesës,
(çm)endur nën piklat e shiut dehës…
Kundërmim që vlon
me ngjyrë të ëmbël
erëmim të ëmbël
rënkim të ëmbël
Ndjeshmëri e thellë
butësi e ngrohtë
krejt rozë…
I pazëshëm,
i magjishëm
gati hyjnor
ky rebus pranveror…
Unë
E vërteta unë
banoj në kokën time…
Por,
herë, herë arratisem
në strehë dhimbjesh
me pirgje plagësh
e lot fëmijësh…
Apo,
jam banore
e përherëshme atje?!
Dhe vij ndonjëherë
mysafire në trupin tim
sepse koka
më s’më nxe…
Mungesë
Mungesë,
me kthetra shqiponje
më çjerr nëpër gjoks,
hap vënd e bën fole.
Pastaj,
shpupuritesh butë
pi frymën, than lotin
përpëlit sytë dhe fle…
Kujtime
Mbi kopertinën e kuqe
u drodhën duart
të miat, të tuat
dhe koha midis.
Kujtimet thërrmuar
me “bërryla të thyer…”
Në shallin e butë,
ku paloset vjeshta
me copëza dielli
e grimasa qielli,
prehen mijra pulse,
kilometra heshtje…
Ndërsa gishtat
mpleksen nëpër thekë…
Nga kartolina,
në anën e pasme
derdhen shkronjat
si rruzare lotësh…
Në të parmë
male të largët
të lartë si Alpet
ku behin mjegullat…
Mjekra puth gjunjët,
me krahët mbëshjellë…
Në fund
Uturin në nisje
treni ngarkuar me pirgje mendimesh
Rrotullohen rrathët kalendarikë
mbi shina ikjesh
me rrapullimë…
Fërshëllima
gërvish ajrin
në honin e mungesës
Përplas avullin
xhamit të lamtumirës
Që thyhet
në fundin e frymës…
Nëpër re
qerpikët grisin pamje të kujtesës
imazhet e qeshjes e puthjes
zbresin cepave të buzës
në pellgje të mpiksur
lotësh të fshikur…
Pakëz udhë ka mbetur
dhe një tunel i errët
ku kalben hijet
Porta në fund
hap verbimin
e borës së pashkelur…
Ngadalësohen qiejt
statujat alpine
lartohen atje…
Oh, qetësi
mbi supin tënd tani
mund te fle…
Ajo do të vijë
Nesër
Oh nesër është e premtja e lutjes, e faljes
Si e kremtja e madhe e Pashkës, ringjalljes
Ajo do të vijë
Ti
vendosi çarçafë të rinj shtratit
ose
tendosi zhubrat e natës
të mos i lënë shenjë lakuriqësisë
si dëshmi e mëkatit…
*
Ajo do të vijë
puplore rrezëllitëse
me dritë smeraldesh përthyer qerpikëve
ka hartat e mishta në mollëzat e gishtave
gjithë erërat e përbotëshme flijuar në frymë
trekëndëshat biblikë
tatuar në shpirt…
*
Ajo do të vijë
Si premtim, si dhembje, si mall
Si ujëdhesë, si përrua
si lumë pa sht(r)at
pa asnjë vendndodhje në hartë…
Prite pa lot
për çastin martir bëhu gati
Mos harro
mer abdes
të vdekurit preken të pastër
e përcillen të premtes
së lutjes
faljes
ringjalljes…
Ajo,
po vjen …
Brigje
Në breg të natës
malet zgjidhin shajet e mjegullës
i lëshojnë luginës së përhimë
e bari i njomë
ngrin nën brymë…
Në breg të qiellit
retë kafshojnë diellin e dritën
dhe era, veten
Zhvishet gjethnaja, gjithnaja
pemët zgjasin duart
pëshpëritin lutje
si lypsit, trotuarëve…
Në breg të përroit
statujat shkëmbore
varin këmbët në ujra
të qetojnë thembrat,
me kallo të plasura…
Në breg të zjarrit
thëngjijtë e shuar
përgjojnë vdekjen
e gacës së pakallur
pirgut të hirit…
Në breg të mendimit, dyshimit
zemra ngul çengelat
prej venash të këputura,
të pamundura
E shpirti rrëzohet
honeve të humbura…
Në breg të pritjes, fjalës e faljes
durimi kërcet dhëmbët,
të ftohtit gjer në palc…
Udhë e prerë
Jam grua
Mos ma pritni rrugën!
Udha ime zë fill nga firoma e gjallë,
me vërritjen e të qarës
e përgjakje mitre,
nga shkulma dhimbjeje
prej femre-nëne…
Mos më ndalni
që të var kokën si lule dielli
veç me një stinë jete!
Dua të eci si erë
me zërin e pyllit
dhe tingujt e lumit.
Me valsin e ëndrrës
dhe ngjyrën e lules…
Ja!
Lulëzon e çel në çdo stinë
më thith etjen e gjakut
si zjarr i egër më ndjell mëkatin
prej zotit falur…
E çdo petale
si pergamenë delikate
e shkruar me buzën
më erëmon kurmin…
Vetë e kam mbjellë
me farën e retinës së syrit
puthur nga dashuria
E ju
me urrejtjen tuaj
e veshët me cipë metali
të më sharrojë ashtin
aty ku kisha gjurmen
e ma pretë udhën…
Unazën e gishtit
prangën e artë ma bëtë lak
Më mbytët e vërvitët
me damkën e turpit
Ndaj,
ju laj rrugën
me dromcat e gjakut
vjellë për ju
që s’munda t’ju pështyj…
Ecni tani!
Rruga është e lirë,
kapërceni mbi ulërimë…
Përmasa
E madhe korniza
i largët portreti…
Për gishtat e dridhur
pëllëmbën e tkurrur
supet e kërrusur…
Përtej ishte dera
matanë kalldrëmi
etur për të ecur
nga gjunjët e kalbur
e hapat e prangur…
Të gjera mëngët
rrëzuar çorapet
për eshtrat e holla
grirë nga mola
ah, parkinsoni…
I bukur syri
larë prej lotit
mjaftueshëm qielli
për shtëllungat e flokut
të Mamkës sime…
E vogël bota
për zemrën e saj
dhe shpirtin e gjerë
paanë, paskaj…
I love You Mom,
më dridhet zëri
me parkinson…
Erë
Prij erë
Shih si qesh tingulli yt
mbi gjethin që fërgëllon
e bie
në djepin përkundës
të ninullës…
Fryj erë
Ngjishi retë e mallit
në shtegun e vetëtimave
t’u çajë brinjëve…
Nis stuhitë me dimër
Të dridhen e derdhen ujrat
të shkallmojnë brigjet…
Pastaj kur të lodhesh
mblidh këmishën e fantazmës
skaj më skaj të horizontit
E lidhe në kërcijtë e shtratit
nyjë me josh’je-oh’jet…
E bjer(r)
bashkë me to
dyshemesë së harresës
të shkelim dy palë gjurmë…
Redaktoi dhe përzgjodhi Eli Kanina