Aktualitet

Basha: 1.2 mld € për rrugën Fier-Milot, Rama do përgjigjet për çdo abuzim





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:16 - 02/07/20 |
mapo.al

Kreu i PD, Lulzim Basha ka paralajmëruar se nga kryeministri tek çdo zyrtar i ulët apo sipërmarrës do të përgjigjet për çdo abuzim të kryer në detyrë.


Basha merr shembullin e koncesionit me PPP të rrugës Fier- Milot, të cilin e konsideron një rrugë imagjinare teksa shton se në ditët e fundit të pushtetit, qeveria aktuale ka intensifikuar operacionin Kap Ça të Kapësh, duke e pasur fjalën për tenderat.


Ai premton se Shqipëria nuk do jetë më peng i oligarkëve, kurse për turizmin thotë se me eksperiencat më të mira të vendeve të tjera Shqipëria do të shndërrohet në një vend të preferuar për investitorët vendas dhe të huaj.


STATUSI NGA LULZIM BASHA


Çdo ditë shoh e dëgjoj se si kriza ekonomike po thellohet, papunësia po rritet e për biznesin po bëhet gjithnjë e më e pamundur për të mbijetuar.

E njëjta situatë edhe në Divjakë, ku hotelet, baret, restorantet dhe plazhet janë bosh.

Për shkak të dështimit të qeverisë për të menaxhuar situatën me pandeminë, Shqipëria është izoluar dhe futur në listën e kuqe të BE-së. Xhepat e shqiptarëve janë boshatisur dhe shumica janë në pamundësi ekonomike për të pushuar.

Vendet e rajonit dhe të Europës kanë krijuar paketa të njëpasnjëshme për të mbështetur turizmin, u kanë dhënë bonuse financiare qytetarëve për t’i shpenzuar për turizëm, për të ndihmuar operatorët turistikë dhe qytetarët në pamundësi për të pushuar. Në Shqipëri, qeveria i kërkon biznesit të marrë kredi me interesa dhe më të larta se të zakonshmet.

Sepse RAMAVIRUSI, paratë e taksave të shqiptarëve i ka për një grusht oligarkësh.

Në ditët e fundit të pushtetit, kanë intensifikuar operacionin Kap Ça të Kapësh. 1.2 miliardë euro nga buxheti i shtetit parashikon t’i japë për rrugën imagjinare Fier-Milot.

Asnjë qindarkë që i kanë marrë me të padrejtë këtij populli që sot po vuan, nuk do ta gëzojnë. Nga i pari te i fundit, nga zyrtari i nivelit më të ulët deri te kryeministri dhe çdo sipërmarrës, do përgjigjet për çdo abuzim. Ndryshe abuzimi do bëhet rrugë, e Shqipëria do vazhdojë të vuajë.

Shqipëria nuk do të jetë më peng i 5 oligarkëve. Ne do të ndërtojmë Shqipërinë e punës dhe të mundësive për çdo shqiptar.

Do të vendosim taksën e sheshtë 9%, që t’u japim frymëmarrje bizneseve, që të rrisin të ardhurat dhe punësimin, do të investojmë në infrastrukturë, do të heqim “taksën Rama” nga karburantet, çka do të sjellë uljen e çmimit me 24 lekë të reja për litër.

Në bashkëpunim me operatorët turistikë, bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve turistike, ne do të bëjmë gjithçka që ta kthejmë Shqipërinë në destinacion për turistët nga e gjithë bota dhe vend të preferuar për investitorët vendas dhe të huaj.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas