Lideri demokrat Lulzim Basha ishte i ashpër sot jo vetëm me Kryeministrin Rama, por edhe me ata që mbështesin tezën e tij se “Valdrin Pjetri ka përgjegjësi individuale për të shkuarën si trafikant”. Basha tha se rasti i Valdrinit nuk është rast i shkëputur.
Teksa bëri listën me plot 17 emra kryebashkiakësh me të shkuar kriminale, Basha iu drejtua me një mesazh të qartë për disa personave me ndikim në media dhe jetën publike që i cilësoi si “mercenarë të Ramës”.
“Këta që flasin sot kundër Valdrinit pse nuk thanë apo shkruan asnjë fjalë për Dakon, Gjiknurin, Curbjen, Ymer Lalën”, pyeti Basha publikisht.
Pjesë nga deklarata e Lulzim Bashës:
Sot ka një përpjekje të shfrenuar për ta shitur Valdrin Pjetrin. Rama i pari e shiti, dhe sot ka lëshuar mercenarët në media që ta sulmojnë.
Rasti i Valdrinit nuk është rast i shkëputur. Sot, një pjesë e mirë e të gjithë kryebashkiakëve, që Edi Rama u imponoi me dhunë shqiptarëve janë me të shkuar kriminale ose me lidhje të tanishme kriminale.
Pjerin Ndreu në Lezhë një njeri nga lista e zezë e ambasadës amerikane për përfshirje në trafiqe, u kap së fundmi në dosjen 184, u kandidua për Bashkinë e Lezhës.
Valbona Sako në Durrës është e përfshirë në vjedhjen e votave në bashkëpunim e krimin dhe është përfaqësuese e bandës Dako-Avdylaj me familjarë eksponentë të rëndësishëm të drogës.
Artur Bushi në Krujë është i dënuar për trafik droge dhe nuk duhet të jetë kryebashkiak.
Agim Kajmaku në Vorë është një person me dy identitete dhe i përfshirë në veprimtari të paligjshme në Greqi.
Dionis Ymeraj në Dibër është gjithashtu njeri me të shkuar kriminale. I pushuar për korrupsion dhe nën hetim për korrupsion, i përfshirë në vjedhjen e votave në Dibër, përfaqësues i bandës së Ymer Lalës.
Rakip Suli duhet të ishte përjashtuar dhe ndjekur penalisht, kur ishte deputet, për përfitimet e paligjshme në konflit interesi për objektet me qera e me kontrata, por as nuk u përjashtua, as u dënua, por u kandidua.
Tërmet Peci në Tepelenë, Klement Ndoni, të arrestuar në falgarncë nga policia dhe të ndjekur nga prokuroria për qindra kilogramë kanais.
Në krye të pushtetit lokal Rama po mundohet të imponojë sot përfaqësues të krimit dhe të pakicës kudo në Shqipëri.
Edi Rama dhe mercenarët e tij në media dhe kudo, që sot po përpiqen t’i bëjnë dalje Valdrin Pjetrit duke larë duart, nuk patën asnjë fjalë për të thënë për Vangjush Dakon. E ndaluan edhe SHBA-të të hyjë në Amerikë për korrupsion, por Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk thanë asnjë fjalë dhe nuk shkruan asnjë rresht.
Për Damian Gjiknurin e kapur në korrupsion dhe në tentativë për të pastruar para në SHBA, të kapur në dosjen e 184 si koka e operacionit për shitblerjen e votave me bandën e Ymer Lalës, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë asnjë koment.
Për Jurgis Cyrbjen, përfaqësuesin e bandës së Shullazit në Kuvend, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë thënë asnjë fjalë dhe nuk kanë shkruar asnjë rresht.
Nuk ka thënë e shkruar asgjë as për Ilir Ndrazhin, përfaqësuesin politik në Kuvend të bandës së Avdylajve.
As për Rrahman Rrajan, as për Taulant Yaris, as për Ulsi Manjën, Xhemal Qefaliajn, Paulin Sterkajn, të kapur dhe evidentuar në bashkëpunim me bandit për vjedhjen e votave në Dibër, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe gjithë Shqipërinë.
As për bandën e Xibrakës, bandën e fabrikës së kokainës, ku kanë dalë nga burgu autorët kryesorë. Pse kanë dalë?
Kush nuk e mban mend më: Estref Halili nga Kolonja e Lushnjës u shty drejt vetëvrasjes në paraburgimin e stërzgjatur për një cigare hashash, ndërkohë që kreret e bandës së kokainës u shoqëruan nga policia drejt arratisë dhe ata që u kapën tashmë janë liruar.
E vërteta është se të gjithë këta i mbrojti Edi Rama, se kështu mbron të vëllain e tij, Olsin e përfshirë drejtpërdrejt me protagonistët e fabrikës së kokainës në Xibrakë.
E vërteta është se lidhja e Edi Ramës me krimin është një lidhje e përhershme.
Unë e di që problemi kryesor që ndjejnë shqiptarët është ekonomia, varfëria, papunësia, të cilat godasin direkt jetët e shqiptarëve. Shqipëria ka shumë mundësi për të gjithë. Shqipëria ka mundësi të mos ketë papunësi, të mos ketë varfëri, por kjo gjë kërkon që qeveria të punojë për njerëzit, që ekonomia të ofrojë mundësi për të gjithë.
Kjo nuk mund të arrihet me një politikë të kapur nga krimi dhe nga një grusht oligarkësh. Një qeveri e pakicës punon për pasurimin e pakicës. Një qeveri që vjen në pushtet nga krimi dhe mbahet në pushtet nga krimi do t’i shërbejë krimit.
Një qeveri që vjen në pushtet me paratë dhe mbështetjen e oligarkëve, do t’u shërbejë oligarkëve.
Shikoni bumin e ndërtimit në Tiranë. Shikoni kocnesionet kriminale me kosto të fryra në mënyrë marramëndëse. Janë të gjitha shërbimi dhe favoret që Edi Rama u bën krimit dhe oligarkëve. Ato janë varfërim i shqiptarëve të thjeshtë.
Edi Rama nuk i ka shërbyer kurrë popullit dhe nuk do t’i shërbejë kurrë popullit. Ai është kryeminsitri i krimit, kyeministri i oligarkëve dhe do jetë i tillë deri në ditën e fundit që do të jetë në pushtet.
Vetëm një qeveri qe vjen me votën e lirë të njerëzve, të popullit, punon për popullin.
Ndaj përpjekjet tona për ekonominë, për punësimin, për përparimin do të japin rezultat vetëm kur të zgjidhim problemin e madh politik: Çlirimin e politikës nga krimi dhe oligarkët.
Ata që mendojnë se Edi Rama mund të kufizohet, mund të reformohet apo mund të korrigjohet, janë, në rastin më të mirë, naivë të rrezikshëm.
Edi Rama është i zhytur në krim dhe mbijetesa e tij politike është e lidhur me krimin. Edi Rama duhet të ikë.
Edhe pas ikjes së tij Shqipërisë do t’i duhen përpjekje titanike për të çrrënjosur modelin kriminal që ka instaluar ai në Shqipëri dhe për të kuruar plagët e korrupsionit. Por rrugë tjetër nuk ka.
Pastrimi i sistemit tonë politik, largimi njëherë e mirë i drejtimit kriminal të qeverisje, është shpresa dhe rruga e sigurtë për një Shqipëri që i takon të gjithë qytetarëve të saj.