Lulzim Basha i ftuar në studion e Arian Canit, është gjendur përballë pyetjes, se ku shkohet, ku do dalë me lëvizjen e fundit, dorëzimin e mandateve, dhe daljen nga sistemi. Basha tha se kjo që ka nisur nuk është një gjë e lehtë, por fundi i betejës sipas tij, dihet. Që është shkundja, zgjimi i madh i njerëzve, për të hedhur këtë sistem të kalbur, e sjellë një rend të ri të gjërave. “Kjo është beteja mes shtetit të frikës, dhe popullit të shpresës”, tha Basha. Kreu i opozitës tha se kryeministrit i kanë ngelur vetëm dy intstrumenta me të cilët po qëndron, propaganda dhe frika që tenton t’u fusë njerëzve.
Por Basha u shpreh që në krye të herës, se njerëzit tashmë e kanë vrarë frikën. Propaganda dhe frika, i cilësoi Basha, janë grahmat e fundit të regjimit. Djegia e mandatit, pohoi Basha, u ka dhënë shpresë e besim njerëzve, dhe këtë e quajti një prej arritjeve më të mëdhaja të këtij akti. Basha tha se ne duam një shtet që jep llogari para njerëzve, një shtet që ka frikë nga qytetarët. Nëse nuk arrijmë këtë, tha kryetari i opozitës, vendi do shkretohet, do zbrazet, do ikin të gjithë. Goditjen e parë sistemi, sipas Bashës, e mori nga studentët. Të dytën e në vijim nga opozita dhe mbarë njerëzit.