fbpx

Aktualitet

Basha: Gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër





               Publikuar në : 15:41 - 23/10/19 |
mapo.al

Lulzim Basha që po këmbëngul prej disa muajsh për garantimin e votës së lirë, ka deklaruar se mund të hyjë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që nesër! Ai tha se Rama duhet të japë dorëheqjen pas dështimit me negociatat. Po sipas tij, zgjedhjet e parakohshme sot i duhen më shumë Shqipërisë se sa Maqedonisë së Veriut.


Intervista e Bashës për televizionin Vizion+

Pyetje: Zoti Basha, më 18 tetor Këshilli Europian vendosi të mos hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Pse mendoni ju që është faji i qeverisë, përgjegjësia e qeverisë? Pse kërkoni ju zbatimin e skenarit maqedonas për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme?
Lulzim Basha: E para, nuk e them unë. E thotë vetë Bashkimi Europian që, në rastin e Shqipërisë, nuk pati konsensus, por, përkundrazi, kishte një numër të madh vendesh, jo vetëm Franca, që ishin kundër. Arsyet po kështu, këto vende i kanë bërë të qarta: luftë e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Pra, krimi dhe korrupsioni mbeten shqetësim i madh, ndarja e pushteteve është cituar si problematikë. Por, mendoj se, në vend që të mbështetemi tek deklaratat e 18 Tetorit apo pas 18 tetorit, le të marrim dokumentin e shkruar që nuk lë vend për abuzime, që është rezoluta e Bundestagut, e cila fare qartë tregon rrugën për të hapur negociatat. Kjo rrugë kalon përmes zgjidhjes së krizës politike, përmes dënimit të atyre që shkatërruan zgjedhjet e vitit 2016 dhe vitit 2017, përmes një reforme të vërtetë zgjedhore me pjesëmarrje të gjithë forcave politike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pa plotësimin e këtyre kushteve, Gjermania nuk është në gjendje të thotë “Po”.



Pyetje: Pse na duhen zgjedhje të parakohshme në fakt, si në Maqedoni? Pse është zgjidhja kjo?
Lulzim Basha: Në fakt, Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë. Vendimi i Maqedonisë tregon sesi veprojnë drejtuesit me një fije përgjegjësie ndaj vendit, ata që kanë një fije përgjegjësie ndaj vendit dhe që vendosin interesat e vendit para interesave të veta. Në rastin e Shqipërisë, zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë për të kthyer legjitimitetin e një parlamenti, që tashmë është dëshmuar që është produkt i bashkëpunimit të Partisë Socialiste, të Edi Ramës me bosat e krimit të organizuar. Këtë nuk e thotë thjesht dhe vetëm opozita shqiptare apo ato pak zëra të pavarur të medias shqiptare, tashmë, këtë e thonë politikanët europianë, e thonë vendimmarrësit europianë, e thotë media europiane.


Pyetje: Jeni gati ju të shkoni në zgjedhje të parakohshme? Kushtetuta e parashikon për 45 ditë. Apo duhet të plotësojmë kushte të tjera?
Lulzim Basha: Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës.

Pyetje: Si?
Lulzim Basha: Duke garantuar standardet minimale zgjedhore, për të cilat Partia Demokratike dhe aleatët kanë propozuar një sërë masash.

Pyetje: Ka një debat që po bëhet tashmë prej 9 muajsh, me Edi Ramën kryeministër? Pa Edi Ramën kryeministër?
Lulzim Basha: Secili duhet t’i bëjë pyetjen vetes: një njeriu, i cili është kapur duke vjedhur edhe veten e tij, siç ndodhi me 30 Qershor, mund t’i besohet se do të organizojë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Një njeriu që nuk e lëshon pushtetin edhe kur është shkaktari i refuzimit për herë të katërt të hapjes së negociatave, pra, që ka pushtetin më të shenjtë se çdo gjë tjetër, a mund t’i besohet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme? Po të lexojmë në raportet e OSBE/ODHIR-it përgjigja është e thjeshtë: Jo! Po të lexojmë kushtet e Bundestagut, përgjigja është e qartë: Jo! Po të shikojmë shembullin e fqinjit tonë lindor, edhe aty, 100 ditë para zgjedhjeve do të kemi një kryeministër tjetër dhe një kabinet kujdestar, i cili do të garantojë që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, përballë janë dy interesa të ndryshme, interesi i qytetarëve për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që është edhe interesi i opozitës, dhe interesi i Edi Ramës për ta mbajtur pushtetin e marrë me krimin pa zgjedhje apo, në rastin më të mirë, të jetë përsëri ai që të diktojë rezultatin dhe jo qytetari shqiptarë. Kjo, natyrisht, është e papranueshme, kjo vetëm e thellon krizën. Prandaj, ne jemi fare të qartë dhe të vendosur në kërkesat tona, sepse nuk po kërkojmë asgjë për veten tonë. Po kërkojmë që shqiptarët të vendosin qeverinë që meritojnë me votë. Në qoftë se zoti Rama nuk ka frikë nga vota e qytetarëve, le t’i hapë rrugë një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, të paraprirë nga një reformë zgjedhore, siç e kërkon Bundestagu, me një qeveri kujdestare që garanton vullnetin e munguar në të paktën tre palë zgjedhje, që janë edhe arsyeja kryesore, janë rrënja e së keqes është arsyeja kryesore përse, në mënyrë të përsëritur, na mbyllet dera e Europës para hundës.

Pyetje: Ju përfaqësoni interesat e qytetarëve që besojnë tek opozita, z. Rama përfaqëson interesa, ka mbështetjen e socialistëve. A jeni gati ju të uleni me Kryetarin e Partisë Socialiste në një tryezë dialogu për t’i çelur rrugën zgjidhjes së krizës?
Lulzim Basha: Nuk kemi përjashtuar asnjëherë dialogun. Por dy gjëra të ndryshme është propaganda, pra, ulja për t’u ulur, siç ndodhi në 2017-ën, ku u shfrytëzua vullneti i mirë i opozitës për të vënë interesin e Shqipërisë mbi interesat tona politike. U nënshkrua një marrëveshje, e cila nuk u zbatua dhe Edi Rama mori apo mbajti pushtetin në bashkëpunim me krimin e organizuar. Ndërkohë, çdokush që u kap duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të marrë pushtetin për Edi Ramën, jo vetëm që nuk u ndëshkua, por u promovua. Këto janë arsyet përse Shqipëria ka mbetur në vend. Sepse kjo nuk është një Shqipëri përfshirëse, është Shqipëri përjashtuese, që përjashton, praktikisht, jo vetëm opozitën, por gjithë shqiptarët nga vendimmarrja, nga institucionet, nga barazia para ligjit, nga mirëqenia ekonomike. Këto janë arsyet e vërteta pse Shqipëria është në kolaps ekonomik, në kolaps psikologjik dhe në emigracionin më masiv që ka njohur ndonjëherë që nga fillimi i viteve ’90. Për t’i zgjidhur këto është fare e thjeshtë, rruga përpara: garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk kërkon ndonjë përpjekje të jashtëzakonshme, kërkon që ne të zbatojmë ato kushte që na ka vënë edhe Gjermania, edhe Europa për të hapur negociatat.
• Të arrestojmë dhe të dënojmë personat që u kapën nga prokuroria duke vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin si në vitin 2016, ashtu edhe në vitin 2017.
• Të bëjmë të mundur një reformë zgjedhore, e cila garanton mospërsëritjen e problemeve të zgjedhjeve të kaluara, ku kryesore ka qenë mungesa e vullnetit politik.
Për ne e vetmja mënyrë për të garantuar këtë është një qeveri kujdestare, njësoj siç e ka vendosur në Kushtetutë edhe Maqedonia dhe t’u japim shqiptarëve mundësinë të votojnë e të zgjedhin e të shkarkojnë qeveritë me votë pa qenë ky fundi i botës. Ky është normaliteti i demokracisë. Qeveritë ndërrohen nga votat e qytetarëve. Është anormale dhe jodemokratike mbajtja e pushtetit dhe vënia e pushtetit personal mbi interesat e njerëzve dhe kjo është arsyeja përse Shqipëria u ndëshkua me datë 18 tetor.

Pyetje: Ju thatë, pas takimit me shefen e misionit të OSBE/ODIHR-it, që reforma zgjedhore është e vetmja rrugë për të dalë nga kriza. Pati një moment konsensusi, kur PD mori pjesë në një tryezë të OSBE/ODIHR-it. Prej atij momenti nuk kemi patur asgjë. Është prishur konsensusi? Po kërkohet të gjendet një rrugë që PD të jetë pjesë e reformës zgjedhore?
Lulzim Basha: Ne e kemi bërë fare të qartë rrugën për të ecur përpara. Kemi marrë një përgjegjësi që, në fakt, nuk na takon ne, por i takon maxhorancës. Por, siç e keni parë, z.Rama e ka trajtuar këtë si një luks personal dhe mendon se, duke u tallur apo duke krijuar procese fallco dhe artificiale, do të arrijë të blejë pak më shumë kohë. Nuk arrin dot ta shesë sapunin për djathë. Kushtet e Bundestagut janë të qarta: reforma zgjedhore duhet të jetë me pjesëmarrje të të gjithë forcave politike dhe kjo reformë zgjedhore nuk duhet të kalojë vetëm në letër, por të zbatohet. Që do të thotë, për ne, zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale. Pikërisht për ta bërë këtë të mundur ne propozuam një mekanizëm, ku të gjithë palët të ulen dhe, pa humbur kohë, të marrin përgjegjësitë e tyre. Ky propozim, me 5 pika, është akoma në tavolinën e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ky nuk është momenti për të bërë lojra, por është momenti për të marrë përgjegjësitë dhe për t’i hapur rrugë një procesi të vërtetë, një reformë të vërtetë zgjedhore. Me hapat e ndërmarrë dje dhe me deklaratat që kam dëgjuar deri më sot, duket qartë që as Edi Rama dhe as bashkëpunëtorët e tij nuk kanë interes në një reformë zgjedhore, sepse kjo, automatikisht, çon në ndërprerjen e lidhjeve midis qeverisë dhe krimit, çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe çon në atë konkluzion që sot e di çdo shqiptar, rotacionin e pashmangshëm, i cili për ne është i pamjaftueshëm. Sepse ky rotacion duhet të sjellë më vete jo thjesht premtimin, por garancinë për shqiptarët që çdo qeveri e re dhe çdo parlament i ri nuk do të kapet nga sëmundjet e kësaj që po lëmë pas dhe të 30 viteve tranzicion.

Pyetje: Kryeministri Rama në fakt ka 79 vota, nuk e kalon dot reformën pa votat e deputetëve që kanë dalë nga listat e PD dhe LSI…
Lulzim Basha: Këto janë çështje teknike, tërësisht të parëndësishme.

Pyetje: Ju a keni menduar të keni kontakte? Janë deputetë që kanë dalë nga listat tuaja.
Lulzim Basha: Jo! Janë çështje tërësisht të parëndësishme. Ne e dimë që ku ka vullnet politik, këto çështje zgjidhen. A zgjidhen me këtë parlament të cunguar dhe jo legjitim, apo zgjidhen me një Asamble Zgjedhore, apo zgjidhen duke u shkuar të gjithë shqiptarëve, duke u thënë “këto janë propozime tona”, duke i lënë shqiptarët të vendosin me referendum, ku ka vullnet ka rrugë.

Pyetje: Ju vetë nuk i njihni ende deputetët që dolën nga listat tuaja?
Lulzim Basha: Nuk është puna se çfarë njoh unë, puna është se çfarë njeh Kushtetuta. Dhe se çfarë njeh Kushtetuta e vendos Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ekziston prej dy vitesh. Prandaj, është vendi në këtë kolaps. Por le të lëvizim përtej këtij debati, nuk është ky problemi. Nuk e mban kjo zgjidhjen peng. Zgjidhjen e mban peng një njeri. Shqipërinë e mban peng një njeri. Interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve po sakrifikohen ditë për ditë nga një njeri i cili shfajësohet, justifikohet, fajëson këdo tjetër, nuk mban përgjegjësi, mbron veten e tij, kur duhet të mbronte popullin e tij, të cilin e ka lënë në mëshirë të fatit dhe ka katandisur popullin me numrin më të madh të emigrantëve sot në botë për frymë.

Pyetje: Ju ishit në Berlin javën e kaluar që është kthyer në pikë referimi për politikën shqiptare gjatë muajve të fundit. A mund të na thoni se cili ishte mesazhi që morët?
Lulzim Basha: Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë partnerët tanë perëndimorë, në veçanti, në Berlin. Me bashkëbiseduesit kemi ndarë jo vetëm shqetësimin për gjendjen, edhe para samitit, ku dukej qartë se edhe kompromisi i gjermanëve do të ishte i pamjaftueshëm për të bindur disa prej vendeve tërësisht mosbesuese ndaj Shqipërisë dhe ndaj raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe për të parë cila është rruga përpara. Në këtë kuptim, mund t’ju them që shqiptarët duhet të jenë të inkurajuar, që kanë miq kaq të mirë e të vendosur që nuk do ta lënë Shqipërinë vetëm, nuk do ta lënë demokracinë shqiptare në dorë të autokracisë dhe të krimit. Siç kanë qendruar në krahun tonë, do të jenë në krahun tonë, do të jenë në krahun e Shqipërisë për ta çuar deri në fund misionin tonë kombëtar, aspiratën tonë kombëtare, që është Shqipëria si gjithë Europa, duke nisur me hapjen e negociatave, që mund të vijë vetëm pas përmbushjes së 9 kushteve të Bundestagut, vetëm pasi vendi të ketë demokraci funskionale, me zgjedhje të lira e të ndershme, institucione që u takojnë shqiptarëve dhe jo pashallarëve të krimit dhe oligarkisë dhe barazi para ligjit, ku çdo shqiptar, pavarësisht prej statusit social, ekonomik apo politik trajtohet njësoj nga ligji, nga prokuroria dhe nga gjykatat.

Pyetje: Pas Berlinit, ju do të niseni në SHBA. Cili është qëllimi i vizitës?
Lulzim Basha: I gjithë kontakti im me faktorin ndërkombëtar, me gjithë partnerët tanë strategjitkë, SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë, Francën, vendet e tjera të BE, Hollandën, kanë një dhe vetëm një qëllim – dhënien fund të kësaj krize të tmerrshme politike, që është kthyer në një krizë ekonomike dhe sociale për shqiptarët dhe hapjen e horizontit për Shqipërinë europiane, në të cilën kam besim të plotë dhe e di që dita po vjen, kur shqiptarët e çliruar nga ky ngërç 6 vjeçar, do të arrijnë të besojnë në potencialin e tyre individual, të besojnë në potencialin e shoqerisë sonë, të besojnë në potencialin e vërtetë të Shqipërisë, i cili, po të vihet në punë, është në gjendje të prodhojë kamje, mirëqenie dhe normalitet për të gjithë shqiptarët.

Pyetje: Ka lidhje, në fakt, kjo vizitë me financimet, siç ju kanë akuzuar kundërshtarët?
Lulzim Basha: Po pse do të ketë lidhje me hetimet politike të Edi Ramës?!

Pyetje: Ka patur një perceptim zoti Basha, që aksioni politik i 9 muajve të fundit të PD nuk është mbështetur nga ndërkombëtarët. A do të përpiqet PD që të ketë ndërkombëtarët me vete?
Lulzim Basha: Perceptimet krijohen në mënyra të drejta dhe në mënyra të gabuara. Përgjgigja më e mirë ndaj këtij perceptimi të gabuar janë 9 kushtet e Bundestagut, që njohin krizën e thellë politike, që njohin shkaqet e kësaj krize, që janë zgjedhjet e kapura nga krimi dhe korrupsioni, që kërkojnë ndëshkimin e atyre që shkatërruan zgjedhjet, që kërkojnë një reformë zgjedhore dhe zbatimin e kësaj reforme zgjedhore, që kërkojnë çuarjen përpara të reformës në drejtësi me Gjykatë Kushtetuese funksionale, me Gjykatë të Lartë funksionale, me SPAK funksional që i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë dhe që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar. Ky qendrim, që është dhe rruga e vetme për të dalë nga kriza, nuk tregon thjesht dhe vetëm që dështimi i 18 Tetorit është dështim i Edi Ramës dhe jo i Shqipërisë, jo i shqiptarëve, por tregon se Gjermania, BE dhe SHBA do të jenë në krahun tonë jo vetëm për daljen nga krizë, por siç e thashë, në realizimin e potencialit tonë të plotë si shoqëri, si ekonomi, si individë. Një vend i bekuar nga Zoti, me njerëz të talentuar dhe punëtorë, çka do të na jepte mundësinë të zhvilloheshim po aq shpejt, madje edhe më shpejt, se disa nga vendet aktualisht anëtare të BE.

Pyetje: Zoti Basha, ju kur keni folur për PD që të vijë në pushtet, keni folur për haoje të partisë, për bashkim të partisë. Ju vetë, a keni takuar dikë nga figurat e partisë që, në 2017-ën, ju i latë jashtë listave, në përpjekje për të bashkuar partinë?
Lulzim Basha: Unë takohem vazhdimisht dhe përfitoj shumë nga kontaktet dhe nga përvoja e figurave që kanë kontribuar në PD, si në pozicione të larta drejtuese, si deputetë, edhe kur kanë qenë në lista, edhe kur nuk kanë qenë në lista, por që vazhdojnë të besojnë tek idealet, tek kauza, tek misioni i PD-së dhe, në këtë mënyrë, vazhdojnë të kontribuojnë, jo thjesht dhe vetëm për PD-në, por, të kontribuojnë, përmes PD-së, përmes këshillës së tyre, përmes aktivitetit të tyre, për ndryshimin kaq shumë të dëshiruar dhe të domosdoshëm sot në Shqipëri. Kjo nuk ka ndodhur një herë, kjo ndodh në mënyrë të përditshme, ju garantoj, pavarësisht se, si rregull, ndodh jashtë syrit të medias kurioze.

Pyetje: Kur dogjët mandatet, a ishit ju i vetëdijshëm se kjo rrugë e opozitës jashtë sistemit, do të ishte një rrugë e gjatë?
Lulzim Basha: Pa diskutim!

Pyetje: Deri në 2021-shin?
Lulzim Basha: Përpjekja jonë nuk është për pushtetin tonë personal. Përpjekja jonë nuk është për të shkurtuar rrugën e ardhjes në pushtet të PD-së. Përpjekja jonë është për të shkurtuar rrugën e vuajtjeve të shqiptarëve. Ndaj, edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese lokale, nuk duhet të shikohen si një objektiv politik për të rikthyer disa persona apo për të sjellë disa persona të tjerë në pushtet, por duhet të shikohen si mënyra për të fuqizuar qytetarin, për t’ia ridhënë qytetarit në dorë fatin e vet dhe mundësinë për të zgjedhur fatin e vendit. Sot, këtë mundësi nuk e kanë njerëzit. Sot, fatin e tyre e përcaktojnë, siç e kanë marrë vesh gjithë shqiptarët dhe gjithë bota, bandat kriminale, bosët e krimit, oligarkët. Çdo shqiptar është jashtë kësaj tepsie të babëzisë së Edi Ramës me 10 pashallarë. Prandaj, edhe shoqëria është në këtë ngërç, në këtë krizë, në këtë dëshpërim. Kjo i ndodh çdo shoqërie, ku shteti kapet, ku mundësitë u takojnë vetëm 10 njerëzve dhe gjithë të tjerët janë bujkrobërit e tyre. Ky është një sistem mesjetar. Asgjë nuk është ndryshe me mesjetën e para 500 vjetëve, ku bejlerët ishin pronarët e tokave, kishin të drejta ekskluzive dhe çdokush tjetër duhet të punonte për ta e të dorëzonte tek këta, në mënyrë që të mbiejtonte. Është i njëjti sistem. Vetëm se tani nuk janë bejlerë, nuk janë pronarë tokash, por janë kriminelë që kontrollojnë trafiqet e pastrojnë paratë me koncesione, me PPP, me leje ndërtimi, me ekskluzivitete, janë oligarkë që kanë monopole dhe çdo njeri i ndershëm që ka një ide, që ka një talent, që ka një aftësi, duhet të falet tek këta oligarkë, tek këta kriminelë dhe tek bosi i tyre, që është kryeministri i vendit. Ky sistem duhet shpartalluar. Prandaj ju thashë që rotacioni nuk është i mjaftueshëm. Ne duhet t’u garantojmë shqiptarëve, përmes këtyre hapave, që, njëherë e mirë, fati i tyre të jetë në dorën e tyre. Kjo është mënyra europiane, kjo është demokracia europiane. Vetëm kështu shkon drejt Europës. Çdo rrugë tjetër do të vazhdojë të na çojë në të njëjtin përfundim të dështuar, si ai i 18 Tetorit, që është dështimi i katërt i Edi Ramës, është refuzimi i katërt i Edi Ramës. Tani, ka ardhur koha që edhe shqiprarët ta refuzojnë, dhe të punojmë së bashku për një Shqëpëri ndryshe, për një Shqipëri të vlerave dhe të standardeve reale europiane, jo në letër, por me vepra dhe në realitet!


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas