Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet Instagramit ka hapur një sondazh, ku çdo qytetar mund të votojë nëse besojnë tek transparenca e qeverisë për menaxhimin e fondeve të grumbulluara në Konferencën e Donatorëve për rindërtimin, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. “Jepni mendimin tuaj! Besoni tek transparenca e qeverisë për fondet e tërmetit?”- shkruan Basha në InstaStory.
Kujtojmë se 1.15 miliard euro janë mbledhur për Shqipërinë, nga Konferenca e Donatorëve që u mbajt të hënën në Bruksel. Shuma e dhuruar nga shtete të ndryshme pjesëmarrëse pritet të shkojë për procesin e rindërtimit, pas tërmetit tragjik që goditi vendin nëntorin e vitit të kaluar.
1.15 miliard euro janë donacione, projekte dhe kredi, ndonëse kreditë përbëjnë pjesë kryesore të shumës, ku 160 mln u dhanë nga Banka Botërore, rreth 360 mln euro nga Banka Islamike për Zhvillim, 100 milionë euro nga Banka Europiane e Investimeve, 80 milionë euro nga BERZH dhe mbetet për t’u sqaruar dhe Franca dhe Italia se sa është kredi dhe sa grant.